Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat mesditën e sotme ka akuzuar qeverinë Rama se nuk po shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore sepse qeveria nuk do të dëmshpërblejnë qytetarët e prekur nga dëmet e shkaktuara nga moti i keq.
Berisha dënoi ashpër atë që e quajti “indiferencë çnjerëzore” të qeverisë për mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Sipas tij, kushtet në disa qarqe i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore për një vendim të tillë.
“Para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur. Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre. Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia. Këtu qëndron fakti që narko-qeveria dhe Edi Rama sodisin.”, tha Berisha.
Kryedemokrati ka kritikuar ashpër qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, po menaxhohet emergjenca dhe ka hedhur poshtë akuzat se opozita po e fajëson mazhorancën për përmbytjet jashtë vendit, duke i cilësuar këto pretendime si “tallje cinike”.
“Narko-qeveria është në narkozë të plotë, është jashtë çdo lloj imagjinate, jashtë çdo lloj standardi, që në kushte kur mijëra e mijëra banesa, dhjetëra mijëra qytetarë kanë shtëpitë e tyre të përmbytura, kanë bizneset e tyre të përmbytura, kanë jetën e tyre të kërcënuar, qeveria, narko-qeveria jo vetëm që nuk vendos gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila detyron të ashtuquajturim shtet të mobilizojë të gjitha burimet për të ndihmuar, për të shpëtuar, për të nxjerrë nga rreziku banorët e zonave të kërcënuara, të përmbytura, por lëshon dje një tallje cinike, në të cilën pretendon se opozita po e akuzon për përmbytjet në Greqi dhe Itali, një fantazi e sëmurë e një fantazisti të sfazuar, njeriu i cili tani po përjeton net tmerri çdo natë për shkak të krimeve të tij të bëra evidente.“, tha ai.
Berisha u ndal edhe te problematikat infrastrukturore, duke përmendur Hidrovorin e Hamallajt, për të cilin tha se ka pompa të djegura dhe kanale të bllokuara për shkak të ndërtimeve dhe mungesës së pastrimit, çka sipas tij ka favorizuar përkeqësimin e situatës. Ai e cilësoi veçanërisht shqetësuese gjendjen në zonën e Novoselës, duke përshëndetur kërkesën e Bashkisë së Vlorës për evakuim dhe u bëri thirrje banorëve të largohen sa më parë, për shkak të rrezikut të lartë që paraqet lumi Vjosë.
