E enjte, 30 Prill, 2026

“Mjekësia nuk është thjesht zanat, por profesioni i sakrificës dhe humanizmit”/ Presidenti Begaj: Pas çdo diagnoze qëndron një histori njerëzore

Share

Presidenti Bajram Begaj, përshëndeti sot Konferencën e XXII Kombëtare të Gastro- Entero- Hepatologjisë, ku theksoi rëndësinë e mjekut në shoqëri, duke vënë në pah humanizmin, profesionalizmin, integritetin dhe sakrificën.

Në fjalën e tij Begaj tha se mjekësia, profesioni i mjekut nuk është thjesht zanat. Sipas tij, ky profesion është një mënyrë të menduari që e merr me vete kudo.

“Ajo të mëson të dëgjosh dhe të hulumtosh me kujdes, të kërkosh shkakun përtej simptomës dhe të mos harrosh se pas çdo diagnoze qëndron një histori njerëzore”, vuri në dukje presidenti.

Kreu i Shtetit u ndal te rëndësia e marrëdhënies mes mjekut dhe pacientit, duke e cilësuar të pazëvendësueshëm rolin human të mjekut dhe përgjegjësinë e tij përballë transformimeve teknologjike.

Në këtë konferencë, Begaj përcolli mesazhin për rritjen e besimit në marrëdhënien pacient–mjek dhe në trajtimin mjekësor, në mënyrë që në klinikat dhe spitalet tona pacienti të ndiejë se shkenca dhe humanizmi ecin krah për krah.

“Kjo konferencë është dëshmi e qartë se mjekësia shqiptare është në lëvizje, zhvillohet, përditësohet dhe sfidon veten. Diskutimet mbi risitë në diagnostikim, trajtim, përvojat klinike dhe kërkimet shkencore nuk janë vetëm shkëmbim informacioni, por investim i drejtpërdrejtë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve”, tha Begaj.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për platforma të tilla diskutimi që kontribuojnë në avancimin e mjekësisë shqiptare.

Kreu i Shtetit u shpreh se “konferenca XXII Kombëtare e Gastro- Entero- Hepatologjisë nuk është thjesht një mbledhje shkencore e radhës; është vendi ku bashkohen mendja, përvoja dhe pasioni i mjekësisë shqiptare”.

“Sistemi shëndetësor nuk qëndron mbi ndërtesa, por mbi profesionalizmin, integritetin dhe sakrificën tuaj”, iu drejtua Presidenti mjekëve, duke theksuar edhe sfidat me të cilat përballet mjekësia sot, përfshirë inteligjencën artificiale.

“Teknologjia ndihmon. Inteligjenca artificiale orienton. Por vendimin e merr mjeku. Sepse mjekësia nuk është vetëm shkencë; është gjykim dhe përgjegjësi, është etikë dhe marrëdhënie njerëzore. Brenda pak sekondash, inteligjenca artificiale mund të analizojë mijëra imazhe endoskopike, por ajo nuk mund të ndiejë shtrëngimin e dorës së një pacienti që ka frikë nga diagnoza”, u shpreh Begaj, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënies pacient–mjek, e cila nuk duhet të cenohet nga këto zhvillime.

Në përmbyllje, në një reflektim filozofik mbi sfidat e mjekësisë mes shkencës dhe humanizmit, Presidenti Begaj iu referua veprës së Pikasos “Shkenca dhe Bamirësia”:

“Posteri i konferencës të kujton disi pikturat e Picasso-s. Duke hulumtuar, pashë se, pavarësisht se ka kaluar më shumë se një shekull, vepra e tij ‘Shkenca dhe Bamirësia” mund të na ofrojë ende reflektime të rëndësishme mbi praktikën mjekësore, ndërlidhjen e saj me standardet socio-kulturore, si dhe mbi disa nga sfidat e sotme dhe të ardhshme të mjekësisë”, tha Begaj.

Fjala e Presidentit të Republikës,
Sh. T. Z. Bajram Begaj, në Konferencën XXII Kombëtare të Gastro-Entero- Hepatologjisë

Të nderuar kolegë,
Kolegë nga të gjitha trevat shqiptare,
Të nderuar miq, profesorë, studentë, specializantë,

Është kënaqësi e veçantë, por, mbi të gjitha, është privilegj dhe përgjegjësi të mbaj këtë fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm të Shoqatës së Gastro-Entero-Hepatologjisë. Profesoreshë Liria i përmendi fillimet e shoqatës dhe unë dua të falënderoj profesor Bashon për këmbënguljen, insistimin dhe për gjithçka qe ai bëri për ta bërë këtë shoqatë shumë prezente në atë kohë kur nuk kishte shumë prezencë. Ai e lartësoi figurën e Gastro-Hepatologut në ato nivele për të cilat sot me krenari themi që festojmë 22-vjetorin e kongresit tonë, kongresit të dijes.
Për mua, ky takim ka edhe një ngarkesë personale. Është një rikthim në profesionin e mjekut, te një profesion që nuk të ndahet kurrë, pavarësisht rrugëve që merr më pas në jetë.
Mjekësia nuk është thjesht zanat, është mënyrë të menduari, që e merr me vete kudo. Ajo të mëson të dëgjosh e të hulumtosh me kujdes, të kërkosh shkakun përtej simptomës dhe të mos harrosh se pas çdo diagnoze ka një histori njerëzore. Kjo, në fakt, më ndihmon shumë edhe në punën që bëj sot.
Konferenca XXII Kombëtare e Gastro-Entero-Hepatologjisë nuk është thjesht një mbledhje shkencore e radhës. Është vendi ku bashkohen mendja, ekspertiza, përvoja dhe pasioni i mjekësisë shqiptare. Kjo konferencë është dëshmi e qartë dhe e gjatë se mjekësia shqiptare është në lëvizje. Ajo zhvillohet, përditësohet, sfidon veten. Diskutimet mbi risitë në diagnostikim, trajtim, përvojat klinike dhe kërkimet shkencore nuk janë vetëm shkëmbim informacioni. Ato janë investim i drejtpërdrejtë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Gjatë pandemisë COVID-19, roli i mjekut u bë edhe më i dukshëm. Mjeku nuk ishte thjesht një mjek. Ishte pikë referimi. Ishte zëri që ngjallte besim. Ishte shpesh kufiri midis frikës dhe shpresës. Në ato momente, në atë kohë, shoqëria pa diçka që ndonjëherë e harron: se sistemi shëndetësor nuk qëndron mbi godinën, mbi ndërtesën, por mbi profesionalizmin, integritetin dhe sakrificën tuaj.
Sot sfidat janë të tjera, po aq edhe serioze. Nga sëmundjet kronike, te ritmi i shpejtë i jetës; nga informimi i tepërt, te dezinformimi; nga pritshmëritë në rritje, te burimet shpesh të kufizuara.
Dhe, mbi të gjitha, sot lind një pyetje e natyrshme: a do ta zëvendësojë teknologjia dhe inteligjenca artificiale mjekun?
Besoj se përgjigja është e qartë: teknologjia ndihmon, inteligjenca artificiale orienton, por vetëm mjeku e merr vendimin dhe gjykon, sepse mjekësia nuk është vetëm shkencë, është gjykim e përgjegjësi, është etikë, është marrëdhënie njerëzore.
Brenda pak sekondash, inteligjenca artificiale mund të analizojë mijëra imazhe endoskopike, por ajo nuk mund të ndiejë shtrëngimin e dorës së një pacienti që ka frikë nga diagnoza. Teknologjia mund të na kthejë kohën që na ka munguar, kohën për të parë pacientin në sy, jo vetëm për ta parë atë në monitor.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i profesionit tonë: marrëdhënia pacient-mjek, etika dhe profesionalizmi.
Mjekësia ka përjetuar dhe po përjeton përparim të vazhdueshëm dhe besoj se dekadat e ardhshme mund të sjellin transformime edhe më të thella. Teknologjjia, mediat sociale, inteligjenca artificiale në mjekësi dhe analiza e të dhënave kanë sjellë mundësi dhe potencial për të trajtuar disa nga sfidat me të cilat përballet mjekësia dhe shoqëria sot. Megjithatë, ekziston edhe një rrezik, i cili mund të përçajë marrëdhënien pacient-mjek.
Nga betimi i Hipokratit, e deri më sot, një gjë nuk ka ndryshuar: detyrimi për të mos dëmtuar, për të ruajtur dinjitetin e pacientit, për të vepruar me ndërgjegje, profesionalizëm dhe përgjegjësi.
 
Etika dhe profesionalizmi janë busulla që nuk lejojnë mjekësinë të humbasë drejtimin, kufiri që nuk lejon mjekësinë të kthehet në një proces mekanik.
Në fushën e Gastro-Entero-Hepatologjisë, por jo vetëm, ku ekzaminimet janë shpesh invazive dhe pacienti është në gjendje vulnerabël, etika nuk është thjesht kod sjelljeje, por është mbrojtje e dinjitetit njerëzor dhe profesionalizmit, dhe përgjegjësia nuk është luks, por është detyrim. Sepse pacienti nuk vjen te mjeku vetëm për një recetë apo një procedurë. Ai vjen për shpresë, për besim. Dhe besimi ndërtohet me integritet dhe profesionalizëm, jo me makineri.
Të dashur miq,
Posteri i konferencës të kujton pak pikturat e Picasso-s. Duke hulumtuar, pashë se pavarësisht se ka kaluar më shumë se një shekull, vepra e tij, “Shkenca dhe Bamirësia” , mund të na ofrojë ende reflektime të rëndësishme në lidhje me praktikën mjekësore, ndërlidhjen e saj me standardet socio-kulturore dhe po ashtu me disa nga sfidat e sotme dhe të nesërme të mjekësisë. Uroj që ju ta shikoni dhe ta keni në vëmendjen tuaj këtë vepër të Picasso-s të bërë në vitin 1897, kur ishte vetëm 15 vjeç dhe e inicioi pas humbjes së motrës së tij nga difteria.
 
Në përfundim, dua të shpreh mirënjohjen time për Shoqatën Shqiptare të Gastro-Entero-Hepatologjisë për këtë platformë të shkëlqyer komunikimi!
Ju uroj diskutime shumë të hapura dhe frymëzuese!
Uroj që kjo konferencë të frymëzojë rritjen e besimit në marrëdhënien e përjetshme pacient-mjek dhe ekuilibrin delikat të trajtimit mjekesor! Të shërbejë kjo konferencë si nxitje që nesër, në klinikat dhe spitalet tona, pacienti të ndiejë se shkenca dhe humanizmi ecin krah për krah!
Ta kthejmë atë në një formë arti, siç Picasso e ka bërë më shumë se një shekull më parë!
Shumë faleminderit!

Te tjera

Lajme te tjera