E hënë, 20 Janar, 2025

Kryemadhi: Zgjedhja e presidentit, proces fasadë

Share

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ka quajtur fasadë procesin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Gjatë një interviste në mediet, Kryemadhi tha se “kush mendon që ka një proces normal për zgjedhjen e presidentit, bëhet qesharak”.

Sipas saj, çështja e zgjedhjes së presidentit tashmë, përveçse është një fasadë, është kthyer në një lloj strumbullari për të larguar vëmendjen nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria.

“Sepse ne e dimë shumë mirë që mazhoranca nuk i ka 84 vota. Ndërkohë që Kushtetuta me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, lejon që mazhoranca ta zgjedhë presidentin me 71 vota dhe nuk ka fare pse të bëhet pjesë e një procesi negocimi kur thotë ‘m’i dërgoni me e-mail emrat dhe unë do t’i shikoj’ do ta votoj apo nuk do ta votoj”, deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi theksoi se nëse vërtetë mazhoranca do të kishte dëshirë për të bërë një proces institucional, konsultativ, mund t’ia jepte ta zgjidhte populli presidentin.

Kryemadhi tha më tej se mazhoranca kishte kohën e mjaftueshme të ndryshonte Kushtetutën për të zgjedhur presidentin me referendum.

“Kohë kishim ne, që kur shkarkuan Ilir Metën që ta ndryshonin Kushtetutën, se votat i kishin. Siç ndryshuan Kushtetutën për reformën zgjedhore, siç ndryshuan Kushtetutën për shumë gjëra që iu janë dashur, që në njëfarë mënyre ia dhuruam ne. Po të ishin dhe kaq të sinqertë në procesin e presidentit le ta zgjidhnin me referendum. Dhimbshmëria më e madhe, që pastaj kalon në neveri, është përdorimi i një grupi të caktuar deputetësh disa për karrierë politike, disa gëlltit një lugë çorbë të prishur diku dhe pastaj do të vjellësh dhe do të jesh peng i Edi Ramës të gjithë jetën. Të gjitha këto bëhen që të bëhet pastaj në një proces fasadë, farsë. Çfarë kërkon sot Edi Rama? Kërkon një noter për të noterizuar të gjitha aktet e tij të paligjshme”, deklaroi Kryemadhi.

Te tjera

Lajme te tjera