E enjte, 20 Mars, 2025

Koncesioni i Sterilizimit/ Beqaj: Gjykimi im politik! Berishën, Vokshin e Vasilin do i thërras në gjyq të ma thonë në sy fjalën “hajdut”

Share

 Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh, e quan procesin të nxitur politikisht.  

Në një deklaratë të shpërndarë në facebook nga avokati i tij, Beqaj thotë se ekziston një ngjashmëri shumë e madhe midis procesit hetimor që zhvilloi Albana Vokshi si drejtuese e komisionit hetimor parlamentar të kallëzimit të saj dhe procesit gjyqësor që zhvilloi Gjyqtarja e seancës paraprake. Të dyja proceset zgjatën me muaj të tërë dhe të dyja dështuan duke përfunduar me urdhëra dhe skema për të mbyllur gojën time.

Ish ministri paralajmëron se do të thërrasë në gjykatë Berishën dhe Albana Vokshin

 Natyrshëm që Berisha dhe Vokshi e kanë duartrokitur qëndrimin e Gjyqtares. Të njëjtës gjyqtare që i hoqi masën “arrest shtëpie” Sali Berishës. Të dy këta, si edhe Petrit Vasilin, do t’i thërras dëshmitarë në gjyq. Të ma thonë në sy fjalën “hajdut” dhe po në sy t’u them përgjigjen time.

Pas 9 muajve gjykim paraprake, gjyqtarja e GJKKO, Flojera Davidhi vendosi më 23 janar kalimin në gjykim themeli të dosjes së koncesionit të sterilizimit. Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ish zëvendësministri Klodian Rjepaj do të gjykohen për akuza më të rënda se ajo që SPAK kishte dërguar në GJKKO. Ata do të gjykohen për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.

 Ndërkohë biznesmenin Ilir Rrapaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes dhe të grupit të strukturuar kriminal. Në bankën e të akuzuarve për falsifikim dhe shpërdorim të detyrës do të ulen dhe 6 persona të tjerë teknikë, pjesëtarë të komisionit të ofertave dhe të administratës publike.

Te tjera

Lajme te tjera