E premte, 17 Janar, 2025

Komisioni Evropian lëshon sinjale alarmi për Amnistinë Fiskale, rrezik serioz për Shqipërinë

Share

Komisioni Europian shpreh shqetësime serioze për draftin e prezantuar nga qeveria “Rama” për amnistinë fiskale dhe e konsideron atë një rrezik thelbësor për reputacionin e Shqipërisë. Përmes një deklarate të shpërndarë nga delegacioni i BE-së në Tiranë, Komisioni Europian deklaroi se drafti dobëson kontrollin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave; çka shqetëson shtetet anëtare të Bashkimit Europian si dhe partnerët e tjerë. Përfaqësuesit e Komisionit Europian e kanë shprehur qëndrimin para zyrtarëve të qeverisë shqiptare gjatë takimit të 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë mbajtur më 29 qershor në Bruksel. “Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin. Komisioni theksoi nevojën për qartësi të marrëveshjes tregtare në lidhje me mënyrën se si kompanitë e BE-së mund të konkurrojnë mbi baza të drejta dhe të barabarta për kontrata publike, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, thekson njoftimi.

Drafti për Amnistinë Fiskale

Qeveria shqiptare publikoi para pak ditësh për konsultim publik një draft të ri të projektligjit kontrovers të amnistisë fiskale, pasi u detyrua të tërheqë një projekt të ngjashëm nga shqyrtimi parlamentar vitin e kaluar nën presionin e Komisionit Evropian. Projekti parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës. Qeveria e kryeministrit Edi Rama publikoi në vitin 2020 një nismë për amnisti fiskale ndërsa u përball me kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili theksoi se një amnisti fiskale mund të përdoret për pastrim parash Gjatë takimit të përbashkët BE-Shqipëri, që u bashkëdrejtuara nga Andreë Ëilliams, sekretar i Përhershëm i Nënkomitetit në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të KE dhe Vasilika Vjero, Zv/ministre e Financave dhe Ekonomisë, u diskutuan dhe marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe, për të cilat KE kërkon qartësi dhe të barazi në konkurrim për kompanitë europiane.

Te tjera

Lajme te tjera