E diel, 26 Prill, 2026

Kodi i ri Penal, BE rrëzon draftin: Nuk ka lidhje me standardet europiane, ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve

Share

Bashkimi Europian, përmes Zyrës së Delegacionit në Tiranë, ka rrëzuar draftin e propozuar lidhur me Kodin e ri Penal.

Disa orë pasi Kryeministri Edi Rama zbuloi se ky draft ishte hartuar nga Arben Rakipi, kreu i Shkollës së Magjistraturës, dhe një grup ekspertësh, ndërsa tha se ai nuk do të kalonte për miratim në Kuvend pa një dakordësim paraprak nga Bashkimi Europian apo ekspertët e tij që janë të atashuar në Shqipëri, ka pasur një reagim nga zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë, ku qartazi shprehen kundërshtitë lidhur me draftin e propozuar.

Megjithëse nga mbështetësit e këtyre ndryshimeve thuhet se drafti e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian, Delegacioni në reagimin e tij mban një qëndrim të kundërt, madje ngre alarmin se ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Delegacioni i BE thekson se ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, por nuk ka qenë pjesë e këtij grupi ekspertësh.

“Këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së dhe jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësim, këto shqetësime do të adresohen”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së për Panorama.

Delegacioni i BE, nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.

“Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.

Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e këtij grupi ekspertësh dhe aktualisht po shqyrton projekt-ndryshimet e propozuara, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh.

Megjithatë, jemi në dijeni për shqetësimet serioze të shprehura nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, si dhe nga shoqëria civile, në lidhje me disa prej ndryshimeve të propozuara. Jemi veçanërisht të shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së dhe jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësim, këto shqetësime do të adresohen.

Rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.

Në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së.

Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (p.sh. dekriminalizimi i shpifjes, rishikimi i kuadrit ligjor për trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, abuzimin me fëmijët, armët e zjarrit, pastrimin e parave). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

Te tjera

Lajme te tjera