Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme me gazetarët, bëri publike dhe datën e protestës tjetër të madhe kombëtare. Berisha deklaroi se, data 8 maj është dita kur shqiptarët duhet ti lënë ndasitë mes tyre dhe të bashkohen, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij për korrupsion dhe kapje të institucioneve.
Gjatë deklaratës së tij, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se qytetarët duhet të bashkohen në një ‘kryengritje paqësore’ në Tiranë. ‘Me datën 8 maj, shqiptarët do të mblidhen në rrugët dhe sheshet e Tiranës në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur vendi kundër kreut të organizatës kriminale dhe regjimit të tij.’ Berisha theksoi se kjo protestë duhet të kapërcejë ndarjet politike dhe pakënaqësitë individuale. ‘Të lëmë mënjanë çdo mosmarrëveshje dhe të bashkohemi në këtë kryengritje si shpresa e vetme e shqiptarëve.’
Gjatë konferencës, lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi Ramën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe për mbrojtje të zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive. ‘Edi Rama bllokoi drejtësinë… për të shpëtuar lëkurën e tij deklaroi se çështja Balluku është e mbyllur.’ Berisha shtoi se situata në vend është ‘dramatike’ dhe se qytetarët po largohen për shkak të mungesës së shpresës.
Kreut i PD-së Sali Berisha i kushtoi një hapësirë të madhe edhe skandalit të AKSHI-t që sipas tij, është ‘një nga aferat më të mëdha në historinë e shtetit’, duke akuzuar drejtpërdrejt Ramën dhe familjarët e tij. ‘Strumbullari i të gjithë aferës së AKSHI-t është çifti Rama. Kjo është historia më mafioze në historinë e një shteti.’ Berisha deklaroi se, tenderat në fushën e teknologjisë janë përdorur për përfitime të paligjshme dhe ryshfete të mëdha. ‘Tenderat në këtë fushë janë ato ku mund të spekulohet në mënyrën më të jashtëzakonshme, fitimet janë më të mëdha se me kokainë.’
Lideri i demokratëve Sali Berisha publikoi dhe vendimin e qeverisë të vitit 2017 ku qeveri e Edi Ramës i centralizoi të gjitha prokurimet IT në një dorë të vetme. ‘Edi Rama vendosi që të gjitha tenderat në fushën e IT të bëhen nga AKSHI, duke i bërë padronë të çdo prokurimi.’ Ai akuzoi Ergys Agasin dhe Edi Ramën për manipulim masiv të pronave përmes sistemit të kadastrës. ‘Janë mijëra prona që janë tjetërsuar. Atë që e ka bërë Rama nëpërmjet Agasit nuk e ka bërë asnjë pushtues.’ Ai shtoi se janë zhdukur mijëra faqe regjistrash dhe janë manipuluar tituj pronësie.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi edhe deklaratat e Ramës për përdorimin e Shqipërisë nga SHBA për operacione ushtarake. ‘Nuk mund të justifikoj kurrë që t’i bllokohen bazat vendit udhëheqës të NATO-s, nëse je pjesë e aleancës, duhet të marrësh edhe riskun.’ Ai kritikoi gjithashtu qëndrimet e ndryshueshme të Ramës ndaj Bashkimit Europian. ‘Tre muaj më parë thoshte se Europa nuk ka nevojë për këshilla nga përtej Atlantikut, tani i jep mësime Europës.’
I pyetur për tryezat e reformave, kryedemokrati Sali Berisha përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje politike me Ramën, përveç reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët. ‘Asnjë lloj pakti tjetër me Edi Ramën nuk mund të kemi.’ Ai konfirmoi se Partia Demokratike do të nisë së shpejti procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore. ‘Shumë shpejt do të nisë procesi, po punojmë intensivisht në të gjitha drejtimet.’, tha Berisha.
Në përfundim, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi protestën e 8 majit si një moment kyç për reagimin qytetar ndaj qeverisë. ‘8 maji duhet të jetë dita e shqiptarëve… dita e protestës më të fuqishme kundër këtij regjimi.’
