E diel, 22 Nëntor, 2026

“Kam informacion për filmime erotike dhe korruptive me eksponentë të PS-së”/ Pandeli Majko trondit në mbledhjen Asamblesë: Janë 1 mijë orë filmime, jepni dorëheqjen para se të dalin!

Share

Mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Gjirin e Lalëzit është shoqëruar me debate, përplasje dhe deklarata të forta mes figurave drejtuese të kësaj force politike. Përveç vendimeve për ndryshimet në strukturat drejtuese, kritikat e kryeministrit Edi Rama ndaj socialistëve të vjetër, një paralajmërim i fortë ka ardhur nga ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili foli për ekzistencën e filmimeve komprometuese.

Sipas burimeve nga mbledhja, Majko ka deklaruar se disponon informacione për rreth 1 mijë orë filmime, ku pretendohet se shfaqen eksponentë të Partisë Socialiste në video me përmbajtje erotike dhe korruptive.

“Kam informacion se në 1 mijë orë filmime ka eksponentë të PS-së në video erotike dhe korruptive. Mirë është të jepni dorëheqjen para se të dalin. Mos e vini në siklet partinë dhe kolegët”, mësohet të jetë shprehur Majko.

Përmes këtij paralajmërimi, ish-kryeministri u ka bërë thirrje personave që mund të jenë të përfshirë në këto materiale të largohen paraprakisht nga funksionet që mbajnë, përpara se pamjet e pretenduara të bëhen publike.

Por tensionet në mbledhjen e PS-së nuk janë kufizuar vetëm te paralajmërimi i Majkos.

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj disa prej figurave me përvojë të gjatë në parti, duke i akuzuar për mungesë reagimi gjatë zhvillimeve dhe tensioneve të fundit në kryeqytet.

Sipas burimeve nga mbledhja, Rama e ka nisur fjalën me kritika të drejtpërdrejta ndaj anëtarëve të Asamblesë, duke veçuar veçanërisht socialistët që prej vitesh janë pjesë e strukturave të kësaj force politike.

Kritikat e Ramës, megjithatë, kanë hasur kundërshtime nga disa prej figurave të njohura të PS-së. Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko kanë dalë kundër kërkesës së kryeministrit për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga strukturat drejtuese të partisë.

Sipas burimeve nga Asambleja, tre socialistët kanë argumentuar se Partia Socialiste nuk duhet të funksionojë përmes përjashtimeve dhe se konfliktet e brendshme duhet të zgjidhen përmes debatit dhe diskutimeve brenda familjes politike.

Pavarësisht kundërshtimeve, mbledhja solli ndryshime të rëndësishme në organizimin e partisë. Erion Veliaj u shkarkua nga drejtimi politik i PS-së në Tiranë, ndërsa në vend të tij u emëruan si bashkëdrejtues Ervin Demo dhe Albana Koçiu. Veliaj mbetet anëtar i thjeshtë i Partisë Socialiste.

Ndërkohë, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca u larguan nga të gjitha forumet drejtuese të PS-së, por vijojnë të mbeten anëtarë të partisë.

Në të njëjtën mbledhje, socialistët kanë nisur edhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të 9 majit, duke vënë në lëvizje strukturat për identifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në 46 bashkitë e vendit.

Kështu, Asambleja e PS-së në Gjirin e Lalëzit është shoqëruar me një sërë zhvillimesh që nxorën në pah debatet për drejtimin e partisë, raportet mes kryeministrit dhe figurave të vjetra socialiste, si dhe paralajmërimet për materiale komprometuese që, sipas pretendimeve të Majkos, mund të përfshijnë eksponentë të kësaj force politike.

Te tjera

Lajme te tjera