E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Jepet alarmi në Ballkan, vasali i Vladimir Putinit nis skenarët për të destabilizuar rajonin, kërkon të krijohet “Serbia e madhe” me Kosovën e Malin e Zi, reagon ashpër Podgorica

Share

Tjetër konflikt mund të shpërthejë në Ballkan. Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, të dy “shërbëtorë” besnikë të Vladimir Putinit, vazhdojnë të provojnë me skemat e tyre për të ndezur  fitilin e “fuçisë së barutit” në rajon. Dodik, në një intervistë në fundjavë për Sputnik tha se “Serbia e Madhe” duhet të formohet përmes mjeteve demokratike, masave politike dhe jo përmes luftës.  “Ne po jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri i botës, serbët nuk duhet të ngecen në befasi, por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm. Nga Serbia, Republika Srpska, nëse është një vendim kaq demokratik, dhe Mali i Zi”, tha ai. I pyetur nëse mendon se Serbia do të ketë sukses në mbrojtjen e Kosovës, ai tha se politika kombëtare dhe shtetërore serbe duhet të mbetet e përkushtuar ndaj kësaj çështjeje. “Më duhet të them se Vuçiç e ktheu këtë çështje në skenën ndërkombëtare përmes procesit të negociatave, por edhe përmes procesit të tërheqjes së njohjeve të Kosovës dhe Metohisë nga një numër i konsiderueshëm vendesh. Mendoj se duhet të mbajmë një zgjidhje korrekte dhe të qëndrueshme afatgjatë dhe kjo nuk është në interesin e Britanisë dhe Amerikës”, tha Dodik. Lideri serb e konsideroi bashkimin e Republikës Srpska, Kosovës dhe Malit të zi në një shtet, si zgjidhjen e vetme.

Reagon Mali i zi

Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e ashpër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, e cila ka reaguar dje ndaj deklaratës të presidentit të etnitetit të Bosnje e Hercegovina, Milorad Dodik, duke i kërkuar që të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste. “Nuk është hera e parë që Mali i Zi bëhet objekt komentesh të papërshtatshme dhe të papranueshme për qëllime të situatave politike lokale në rajon dhe/ose me qëllim të cënimit të qëllimshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, perspektivës evropiane dhe sigurisë së rajonit, prandaj i bëjmë thirrje zotit Dodik që të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste dhe të sillet politikisht dhe me përgjegjësi shtetërore, në frymën e marrëdhënieve miqësore, siç ushqehen nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në reagim.

Alarmi

Dodik dhe Vuçiç janë politikanët që ndërmarrin politikat e Putinit në Ballkan. Serbia dhe Republika Srpska nuk i kanë arritur qëllimet e tyre nga vitet 1990-ta. Përveç kësaj, ata ushqejnë marrëdhënie shumë të ngushta me Rusinë. Frika është tani se agresioni aktual kundër Ukrainës, por edhe lufta në Izrael mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor. Deri më tani ekspertët për ta parandaluar një gjë të tillë kanë kërkuar që Ballkani Perëndimor të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur në BE dhe duke vënë në dukje se ky është një lloj edhe detyrimi moral marr parasysh zhvillimet e viteve 90-ta. Plani i Dodikut për shkëputjen e “Republika Srpskas” është ende i gjallë në kokën e Dodikut, pavarësisht. Rusia e Serbia theksojnë se mbështesin sovranitetin territorial të Bosnje e Hercegovinës. Diplomatë e ekspertë i kanë bërë shpesh thirrje NATO-s dhe Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg që të japin garanci të forta për Ballkanin Perëndimor se ata nuk do të mbeten të bllokuar. Gjithashtu ata thonë se duhet ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar kërcënimet ndaj Kosovës e Bosnjë Hercegovinës. Askush nuk e di se cilat janë qëllimet e Putinit.  Kujtojmë se Serbia vazhdon të mbështesë makinerinë ushtarake të Kremlinit dhe nuk po kërkon burime alternative të energjisë në mes të mosmarrëveshjeve të intensifikuara mbi një taksë mbi importet e gazit rus. Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë edhe pse Perëndimi i ka bërë thirrje të vazhdueshme.

Te tjera

Lajme te tjera