E premte, 14 Gusht, 2026

Ja të gjitha prapaskenat që shndërruan Kuvendin e Kosovës në “ring boksi”, grushte e shkelma mes deputetëve, goditet dhe Albin Kurti, si emri i një serbi ndezi incidentin e turpshëm

Share

Rigels Seliman

Vetëm një ditë pas një hapi të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, një incident i pakëndshëm, i pazakontë dhe i paprecedentë në Kuvend, i ka dhënë një goditje të fortë imazhit dhe reputacionit të Kosovës.  Pikërisht në ditën kur nisi tërheqja e një pjese të policëve nga objektet komunale në Veri, dhuna që dikur mbizotëronte në këtë pjesë të vendit, papritur “u zhvendos” në Kuvend. Një përleshje masive fizike, që nisi teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim në foltore dhe pastaj u duk se nuk i gjendej fundi, u shndërrua në kryefjalën e ditës, në Kosovë, por jo vetëm. Incidenti ka bërë “jehonë” edhe në mediat ndërkombëtare, nga agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”, tek “The Guardian”. Sigurisht, edhe mediat serbe, e kanë pasqyruar ngjarjen, dukshëm, ndonëse indirekt, në favor të tyre. Brenda vendit, reagimet ishin të shumta, megjithatë, duket se thelbi ishte i njëjtë: 13 korriku ishte ditë e rëndë për Kosovën.

Si nisi përleshja

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po fliste për marrëveshjen e nënshkruar në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, kur papritur shpërtheu dhuna dhe tensioni në Kuvend. Fillimisht ishte deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, që e quajti Kurtin “rrenc”. Më pas, njëra prej deputeteve vendosi një fotografi në foltoren e Kuvendit, ku shihej kryeministri me “hundë të zgjatur”, që simbolizon gënjeshtrën. Pas disa sekondave, letra u largua dhe u shqye nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Kjo e acaroi deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë nga një shishe në drejtim të zëvendëskryeministrit Bislimi. Më pas, përleshja u bë më e ashpër dhe ministrat e Qeverisë sulmuan deputetin Lushtaku bashkë me të tjerët që dolën aty. Grushtat nuk kanë pushuar mes njeri tjetrit, deri kur në seancë ndërhyri edhe sigurimi i kryeministrit Kurti.

“Episodi i dytë”

Deputetët janë përplasur sërish, në të konsideruarin me ironi, “raundi i dytë”, nga deputetja Adriana Matoshi. Opozita tentoi që të parandalonte mbajtjen e seancës që u thirr nga 41 deputetë. Ata fillimisht bllokuan foltoren, teksa Kuvendi miratoi Projektligjin për çmimet e produkteve medicinale. Opozita vendosi pranë foltores një pankartë ku shkruhej “Zdravo” (“Përshëndetje”), me portretin e Mimoza Kusari-Lilës, dhe atë të kryeminstrit Albin Kurti, të cilët shfaqeshin si personazhi vizatimor “Pinoku”. Sakaq, edhe Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca gjatë seancës u gjuajt me shishe uji. Pas tensioneve, seanca vazhdoi me shqyrtimin e pikave që ishin në rend të ditës. Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se pas largimit nga salla plenare e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, seanca mund të vazhdonte.

Akuzat e PDK

Pas përplasjeve fizike në Kuvendin e Kosovës ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media. PDK ka akuzuar zv/kryeministrin Besnik Bislimi se ishte i pari e nisi përleshjen, duke sulmuar me shishe Mërgim Lushtakun. Sipas PDK, Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazh të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty dhe goditi deputetin Mërgim Lushtaku, ndërsa ky i hodhi ujë pas incidentit. “Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e PDK.

Reagimi i Vetëvendosjes

Edhe Partia Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka reaguar pas incidentit, duke dënuar dhunën e shkaktuar në parlament, duke i cilësuar deputetët e PDK-së, si një bandë rrugaçësh, të cilët sulmuan kryeministrin dhe ministrat e Kosovës. “Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalin në sjelljen e rendit dhe kushtetutshmërisë në Republikë. Në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht”, ka shkruar ndër të tjera Partia Lëvizja Vetëvendosjes, duke e cilësuar sulmin si një veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë.

Reagimi i LDK

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi, duke theksuar se e djeshmja ishte një tjetër ditë e rëndë në historinë parlamentare të Republikës. “Pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës. Nuk e kanë pasur asnjëherë, as në të shkuarën dhe as tani. Sot, ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës. Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj”, shkruante ditën e djeshme LDK në Facebook.

Reagimi i Osmanit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po ashtu, në një postim në Facebook shkroi se përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik. Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, shkruante ditën e djeshme Osmani. 

Reagimi i Konjufcës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nga ana tjetër, ka thënë se episodi i dhunës në sallën e parlamentit, shënoi një ditë të rëndë për Kosovën. Ai ka kërkuar nga të zgjedhurit e popullit dhe kabineti qeveritar të ruajnë qetësinë dhe të hapin një kapitull të ri, pas incidentit. Ai shtoi se sjellje të tilla nuk dëshiron të përsëriten. “Uroj që kjo situatë të kapërcehet dhe raste të tilla të mos përsëriten më”, tha Konjufca ndër të tjera.

Motivet e Lushtakut

Asnjë notë pendese nuk shfaqi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku pasi sulmoi kryeministrin. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lushtaku ai u shpreh se reagimi i tij ishte “kundër Radojçiçit dhe argatëve të tij”. Po ashtu ai ka paralajmëruar se do të padisë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ministren Albulena Haxhiun dhe Hekuran Muratin të cilët u përfshinë në përleshjen e sotme në Kuvendin e Kosovës. Në një deklaratë për mediat ai tha se sulmi ishte i koordinuar nga qeveria.

SHBA i “tërheq veshin”

Sakaq, reagimi i pare ndërkombëtar, ishte ai i ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, që shkroi pas incidentin, se ishte për të ardhur keq të shihje çfarë ndodhi.  Ai ka shtuar se përdorimi i dhunës nuk është mjet për të shprehur mospajtimet. “Është për të ardhur keq të shoh se çfarë ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mospajtimet. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”, ka shkruar Hovenier.

Kush është Milan Radoiçiç?

Sakaq, emri që “ndezi” Kuvendin e Kosovës, është serb. Milan Radoiçiçi është nënkryetar i subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë, Listës Serbe. Opozita pati reagim të ashpër ndaj Qeverisë pas konfirmimit të Kusari–Lilës se kishte komunikuar me Radoiçiqin për të kërkuar mbështetjen e Listës Serbe për disa iniciativa ligjore. Vetëvendosje, jo vetëm tani, por edhe para se të vinte në pushtet, e kishte cilësuar Radoiçiçin si një kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës. Ai në të kaluarën është pritur disa herë në zyrën e kryeministrit të Kosovës.Emri i tij është i njohur për drejtësinë në Ballkan. Ai është përmendur në aktakuza si një nga udhëheqësit e grupit kriminal, i cili planifikoi vrasjen e politanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Po ashtu, ai është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, pasi konsiderohet se ka qenë i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Te tjera

Lajme te tjera