Avokati dhe juristi i njohur, Idajet Beqiri ka komentuar vendimin për dënimin e Izet Haxhisë me 21 vite burg, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjykata dënoi ditën e sotme 21 vite burg për Izet Haxhinë si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari në 1998-ën. Por për avokatin mbrojtës të Izet Haxhisë, dënim i këtij të fundit, ishte i pritshëm. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokat Beqiri theksoi se gjyqtarët që dënuan Izet Haxhinë janë “kamikazë” të Sali Berishës, ndërkohë që sipas tij, vendimi është absurd dhe kryekëput politik. “Gjykata e Apelit Tiranë, pas konkluzioneve përfundimtare që paraqitëm, duke kërkuar pafajësinë e Izet Haxhisë, ose alternativën tjetër të prishjes së Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shkelje të rënda të rregullave procedurale të gjykimit, u tërhoq për të marrë vendimin dhe për ta shpallur atë pas një muaj kohë. Sot kjo Gjykatë Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për dënimin me 21 vite burg të Izet Haxhisë! Vendimi i Gjykatës së Apelit, ashtu sikurse edhe Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është një vendim politik, antiligjor, absurd, një turp i rëndë për një sistem gjyqësor të Shekullit të 21. Çështja në Gjykatën e Apelit Tiranë u shqyrtua nga tre gjyqtare magjistrate “kamikaze”, të cilat dhanë sot “provën e parë” se në karrierën e tyre si gjyqtare në planë të parë do vënë politikën, mungesën e integritetit profesional, të qënurit të varura dhe të frikësuara nga xhahilët vrasës të vërtetë, me Sali Berishën në krye”, deklaroi ai.
Avokati: Vendimi do e apelojmë në Strasburg
Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, avokat i Izet Haxhisë, zoti Idajet Beqiri zbuloi se ata do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, duke kërkura drejtësi, ndërsa theksoi se ata kanë prova që implikojnë Sali Berishën në vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. “Vendimin e Gjykatës së Apelit do e ankimojmë në Gjykatën e Lartë, jo se kemi besim në atë Gjykatë, pasi edhe atje, si në të gjithë sistemin gjyqësor, “e ka marrë ferra uratën”, por për të konsumuar të gjitha rrugët ligjore të sistemit të brendshëm, me qëllim që zgjidhjen e pafajësisë së plotë dhe të një dëmshpërblimi të madh për proceset flagrante antiligjore të zhvilluara në Shqipërinë tonë të ndotur kaq rëndë prej berishizmit primitiv, t’i fitojmë në Gjykatën e Strasburgut”, u shpreh ai.
Ja si Beqiri akuzonte gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës
Por vendimi djeshme i Gjykatës së Apelit nuk e ka suprimuar avokatin e njohur, Idajet Beqiri. Ky i fundit edhe kur Gjykata e Tiranës vendosi pak muaj më parë të dënojë me 21 vite burg Izet Haxhinë, hodhi akuza ndaj trupës gjyqësore. Asokohe avokati mbrojtës i Haxhisë, Idajet Beqiri theksoi se gjyqtari çështjes u komandua nga ish-kryetarja e Gjykatës së Tiranës për të mbrojtur interesat e Sali Berishës. “I pritshëm sepse që kur u hodh ‘shorti’ u komandua gjyqtari që do merrte çështjen. E komandoi ish-kryetarja e Gjykatës së Tiranës e cila më pas e zuri vetingu dhe sot është jashtë sistemit gjyqësor. Ajo shihet mikja më e ngushtë e Argita Berishës, vajzës së Berishës. Politika dhe krahu politik i Berishës ishte i interesuar që ky rigjykim që u bë me një sforcim të jashtëzakonshëm, qeveria Berishës bëri përpjekje të jashtëzakonshme që Izet Haxhia mos të vinte kurrë në Shqipëri, derisa ai për të sqaruar të vërtetën e vrasjes së Azem Hajdarit, ishte vetë ai që erdhi i bindur që reforma në drejtësi do bënte çudira, ka mbetur jashtëzakonisht i zhgënjyer. Këtyre gjyqtarëve paragjykues, iu dha lëmi, sasia e grurit, kali dhe një litar, litari ishte nga një 20 metro në 25, pra nga 20-25 vjet burg. Prokurori tha 25, gjykata për të qenë më luajale i dha 21”, nënvizoi Beqiri./Rigels Seliman/