Rigels Seliman
Fati i Ilir Metës, sipas avokatit Idajet Beqiri, është i parashkruar dhe tepër i zymtë. Hetimet ndaj tij, që aktualisht ndodhen në fazën përfundimtare, pritet të kalojnë për gjykim në themel, njësoj si rasti i Sali Berishës. Por paralelisht me këtë proces, ndaj Metës po mblidhen prova të reja për një mori aferash të tjera të rënda korruptive, që e përfshijnë nga koha kur ka qenë në pushtet si dhe gjatë gjithë karrierës së tij politike. Në listën e gjatë të skandaleve të tij përfshihen privatizimi i Bankës Kombëtare, Profarma, lidhjet me Alpetroli, ARMO, dhe katër hidrocentralet kryesore: Shkopeti, Ulza, Bistrica 1 dhe 2. Këto nuk janë vetëm raste zhvatjeje dhe përvetësimi të pasurive publike, por edhe raste që, sipas Beqirit, mbartin pasoja kriminale me implikime të rënda. Një nga rrjetet më të errëta të korrupsionit të Ilir Metës lidhet me industrinë e guroreve në Shqipëri. Ai akuzohet se kontrollon mbi 100 gurore të shpërndara në gjithë vendin – nga Mali i Tomorrit dhe Zaloshnja deri në Dajt e në Korçë – të cilat, në vend që të ishin burim të ardhurash për shtetin, janë kthyer në burim pasurimi personal për të. Por aktiviteti i Metës shkon shumë më larg sesa brenda kufijve të Shqipërisë. Sipas Beqirit, Meta ka ngritur një perandori ekonomike me pasuri të paluajtshme dhe asete të shumta në Londër mes tyre hotele, restorante dhe lokale në zonat më të shtrenjta të kryeqytetit britanik si dhe zotëron një minierë floriri në Kongo. Pasuri të tjera të fshehura janë identifikuar edhe në Indi, ku është eksportuar mermeri shqiptar, ndërkohë që përfitimet janë kanalizuar në mënyrë të paligjshme në llogaritë e tij personale.
Ja akuzat e Idajet Beqirit nda Ilir Metës
“Ilir Meta dhe Sali Berisha, të dyja familjet e tyre, janë të mbytura në krim dhe në korrupsion, dhe ata nuk ka det t’i lajë, jo lumë. Për rrjedhojë, fati i Ilir Metës është jashtëzakonisht i zymtë, njëlloj si i Sali Berishës. Madje, në fushën e korrupsionit, por të korrupsionit edhe me pasoja të rënda, jo vetëm zhvatje të pasurisë së shqiptarëve, por edhe eliminime fizike të njerëzve për të bërë korrupsion. Ashtu sikur Saliu me Gërdecin edhe me të tjerat pastaj më mbrapa, se ka eliminuar Saliu, s’ka lënë kënd pa eliminuar. Nuk flitet vetëm për ato 5.000 të vrarët e 1997-s. Mos harroni Remzi Hoxhën, mos harroni prokurorin Xhevat Hana, mos harroni Trebickën, mos harroni një numër tjetër avokatësh që janë ekzekutuar me urdhër të Berishës, përveç atyre afërsisht 200 të Tropojës, djem nga më të mirët, të rinj të Gjakovës, që ai ka mbushur varret atje. Pra, edhe fati i Ilir Metës në këtë drejtim është me të vërtetë tepër i zymtë. Sepse mbi të, përveç të tjerave, pra, këtyre tre akuzave që ai ka dhe që hetimet thuajse janë drejt fundit, pasi tani diskutohet që të kalojë çështja për gjyq, dhe pastaj të marrë të njëjtin status si Sali Berisha, që të kalojë çështja për gjykimin e themelit. Por në kohën që do të vazhdojë ky lloj gjykimi, atij do t’i bashkangjiten edhe akuza të tjera për afera të tjera të rënda korruptive, duke filluar që nga privatizimi i Bankës Kombëtare, duke vazhduar me Profarmën, duke vazhduar me raportet e tij me Fufarmën. Do të vazhdojë afera e rëndë korruptive me Alpetrolin, me ARMO-n, me katër hidrocentralet e Shkopetit, Ulzës dhe Bistricës 1 dhe 2, dhe një sërë aferash të tjera. Do të vazhdojnë pastaj aferat e tjera vetëm me guroret e Shqipërisë, që ai i ka në pronësinë e tij, dhe që janë një numër i jashtëzakonshëm, e kalojnë 100 numrin, duke filluar nga Mali i Tomorrit, Mali i Zaloshnjës, edhe deri në Korçë, edhe këtu mbrapa Dajtit në Tiranë. Dhe me mermerin që ai ka bërë aferë nga më të rëndat korruptive, deri në Indi ka shkuar mermeri i Shqipërisë, por që çdo gjë ka hyrë në xhepin e Ilir Metës. Dhe pastaj me një numër të konsiderueshëm asetesh që ai ka nëpër botë. Kam parasysh këtu minierën e floririt në Kongo. Kam parasysh rreth më shumë 40 asete nga më të çmuarat: hotele, restorante luksoze, bar-kafe në zonën më të shtrenjtë të Londrës e të tjera me radhë. Kështu që krimet e tyre janë të tilla që hap pas hapi, shkallë pas shkalle, por fillimisht duke i patur atje në “vath” – dhe ai është futur tashmë në “vath” dhe nuk del dot nga ai “vath” i 313-ës – atëherë dhe SPAK do ta ketë pak më të lehtë tani që t’i vazhdojë edhe hetimet e tjera. Dhe SPAK nuk është i kapur nga Rama. Edi Rama s’ka absolutisht asnjë lloj autoriteti mbi SPAK.” Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.