E premte, 25 Shtator, 2026

Gjykata e Lartë la Veliajn në qeli, Rama: Tirana dy vite me kokë të prerë! Kalvari i tij, unik në Europën demokratike, në burg edhe pse s’ka prova se është i rrezikshëm

Share

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, e cila vendosi që kryebashkiaku Erion Veliaj të qëndrojë në qeli. Pavarësisht se mbrojtja dhe të tjerët pretendojnë se Tiranës i duhet një drejtues jashtë qelisë, togat e zeza vendosën ndryshe.

Edhe kryeministri Edi Rama thotë se e respekton vendimin e Gjykatës së Lartë, sepse vendimet e gjykatave duhet të respektohen, por sipas tij kryeqyteti është “pa kokë” dhe 1 milionë banorët e Tiranës po paguajnë pasojat e një eksperimenti.

Shënimi i Edi Ramës:

“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!  Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë.

Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur:

Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik.”

Pritshmëritë për lirimin e kryebashkiakut ishin të larta, ku jo më larg se mbrëmjen e së hënës, vetë avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi se një masë më e lehtë sigurie do të vendosej për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Mirëpo, vendimi i ditës së sotme i ka dhënë fund këtyre aludimeve, duke lënë në fuqi masën “Arrest në burg”.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej  shkurtit 2025. Qytetari i parë i Tiranës akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Te tjera

Lajme te tjera