E hënë, 20 Janar, 2025

Gjon Bruçi: Paskal Milo po provokon me qëndrimet për përplasjet e PKSH me ballistët, ja faktet që i rrëzojnë pretendimet, nuk fshihet dot tradhtia e tyre

Share

Historiani Paskal Milo, pasi u shkollua dhe kulloti livadhet e begata të socializmit, pasi provoi disa ngjyra të pluralizmit partiak të kohës së “demokracisë” vendosi të marrë edhe gjerdanin e provokatorit. Në dy vëllimet e librit të tij për historinë e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, na bën një zbulim interesant, se si Balli Kombëtar, për inat të një letre “kërcënuese” që Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar, Enver Hoxha, u drejtonte ballistëve në tetor të vitit 1943, kur këta të fundit ishin “fejuar” me fashizmin italian, dhe pas vdekjes së paparashikuar të tij, u martuan me nazistët gjermanë, që ishin më të pashëm dhe më seriozë në veprën e tyre të shtypjes e gjenocidit njerëzor mbi racat jo ariane.

Historiani me mbiemrin “Milo”, me dy librat e tij pseudohistorikë është puthur me “Milon”, por kurrsesi me të vërtetën. Zotërinjtë Porodino, Çuni, e veçanërisht Ylli Meçe, në prononcimet e tyre tek gazeta “SOT” e datës 21 shkurt 2022, i kanë bërë një radiografi të saktë personazhit tonë, sa antihistorik, aq edhe histerik, histeri që tashti në hyrje të moshës së tretë e ka vënë në shërbim të kufomës së Ballit Kombëtar, me shpresë se mund ta ringjallë, për ta përdorur si kontingjent në partinë e tij sociali-demokrate, apo demokraci-socialiste, të cilën e ka shitur për tri aspra tek një i tretë, që nuk ka asnjë lidhje me socialdemokracinë. Po, a i duhet kujt një kufomë që dergjet prej 78 vitesh në “Mbretërinë e Hadit”??!!! Në këtë prononcim, dëshiroj t’i kujtoj historianit Paskal Milo, disa të vërteta, të cilat janë vulosur në kohën dhe vendin kur kanë ndodhur, dhe janë sanksionuar në mënyrë të palëvizshme në të gjithë dokumentet historike të kohës së djeshme e të sotme, dokumente që janë shoshitur e kanë dalë pa firo, edhe prej atyre që duan të revizionojnë historinë.

Faktet

Po përmend shkurtimisht disa prej këtyre momenteve të regjistruara në histori:

1. Në Konferencën e Pezës, në 16 shtator 1942, organizuar me iniciativën e Partisë Komuniste Shqiptare, ishin thirrur përfaqësues nga të gjitha shtresat e popullit, “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Në këtë Konferencë Kombëtare, morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare, me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër okupatorit. Ky organizim mori emrin Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar. Protagonistët e kësaj Konference ishin 17 delegatë, përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare dhe shtresave me bindje politike nga më të ndryshmet. Këta protagonistë ishin: Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni, Skënder Muço, Ymer Dëshnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru, Nexhmije Xhuglini. Njëmbëdhjetë të parët ishin përfaqësues të rrymave të ndryshme nacionaliste, ndërsa gjashtë të fundit, ose një e treta e tyre ishin përfaqësues të Partisë Komuniste. Mungesa e figurave të tjera “nacionaliste” në këtë Kuvend të madh Kombëtar, nuk ndodhi për faj të PKSH, si organizatore. As për shkak të largësie të vendit ku zhvillohej kuvendi. Peza është pothuajse lagje e kryeqytetit, ku ndodheshin shumica e “pecigrosëve” të nacionalizmës shqiptare. Arsyeja e vetme e kësaj shmangie të disa personazheve, si Mit’hat Frashëri, etj., ishte kujdesi për të kuptuar situatën, dhe për të parë reagimin e pushtuesit. Fakti që të nesërmen e Konferencës, fashistët italianë mësynë dhe dogjën Pezën, i bindi “pecigrosët” e nacionalizmit, se kishin bërë mirë që ju shmangën rrezikut. Ata preferonin një riardhje në pushtet, pa pushkë e pa sakrifica, por vetëm më ndihmën e pushtuesit, ashtu siç kishin vepruar me të gjithë pushtuesit që kaluan mbi vendin tonë.

2.- Kjo që theksova më sipër, vërtetohet me veprimin e “pecigrosëve” të nacionalizmës shqiptare, me në krye Mit’hatin, të cilët, jo më larg së një muaj mbas Konferencës famëmadhe të Pezës dhe krijimit të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, mblidhen aty rrëzë zyrave të fashizmit, dhe krijojnë Organizatën e Ballit Kombëtar, me “Dekalogun” e tyre të famshëm, që do të bëhej shumë shpejt material për poemën satirike të partizanit Shefqet Musaraj: “Epopeja e Ballit Kombëtar”! Pyes pseudohistorianin Milo: A ishte normale, që pas krijimit nga shqiptarët të një Fronti Çlirimtar pluralist, disa shqiptarë të tjerë, ta konkurronin atë me “fronte” të tjera paralele, ndonëse objektivi ishte i njëjtë: Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare? Çdo të thoshte historiani Milo, nëse pas Kuvendit të Lezhës të organizuar nga Skënderbeu, ndonjë princ tjetër si Muzakajt, apo Arianitasit, të organizonin Kuvende të dyta e të treta në Berat apo në Vlorë?

3.- Nga momenti i krijimit të Ballit Kombëtar (nëntor 1942) e gjer në Tetor 1943, kur Enver Hoxha, paska “provokuar” e “kërcënuar” ballistët, janë plot njëmbëdhjetë muaj. Pyes historianin Paskal: Çfarë bënë dhe si u sollën ballistët gjatë këtyre njëmbëdhjetë muajve? Nëse historiani profesor nuk e din, po ia kujtojmë me fraza sa më të shkurtra: Në krye të organizatës së Ballit kombëtar u vendos Mit’hat Frashëri, që hiqej antizogist dhe me prirje nacionaliste. Por së bashku me të në kryesinë e organizatës ishte edhe ministri kolaboracionist i drejtësisë në qeverinë e Mustafa Krujës, Hasan Dosti, dhe në krah të tij, Ali Këlcyra, Kol Tromara, Koço Muka. Për këta personazhe, historiani Kristo Frashëri shkruan se: “Të tjerë politikanë që ishin mbajtur gjer atëherë si burra më të mirë (fjala është për anëtarët e Ballit Kombëtar), u kthyen me këmishën e zezë (si kolaboracionistë fashistë) dhe kërkonin t’i mbushnin mendjen gjithkujt se pushtimi i huaj ishte çlirim”. A mund ta revizionojë Paskali ynë këtë përcaktim të historianit Kristo Frashëri?

4.-Në janar 1943 kryetari i organizatës së Ballit Kombëtar në Pogradec, Xhavit bej Starova, lidhi me komandantin e përgjithshëm italian të sigurimit publik, gjeneral Xaninin, një marrëveshje me anën e së cilës, tradhtari merrte përsipër të krijonte një grup “vullnetarësh” prej 200 vetë për luftë kundër çetave partizane, sidomos kundër çetës partizane të Mokrës, të drejtuar nga Reshit Çollaku. Më 5 janarë1943, Xhavit bej Starova do të shkruante: ”Porsa u ktheva në Pogradec, i raportova Xaninit, sipas marrëveshjes së kryer në Tiranë.”(AQSh. Letër Xhavit Starovës drejtuar Xaninit,5 janar 1943).

5.-Më 17shkurt 1943, në Fier, u nënshkrua një marrëveshje me italianët nga gjashtë krerët kryesor të Balli Kombëtar, midis të cilëve Bektash Cakrrani, Eqerem Peshkëpia, Qazim Selfo dhe të dy komandantët italianë, kolonel Kualia (Eneriko) dhe kapiten Pietro (Pepe).

6.- Por bashkëpunimi i drejtpërdrejtë i Ballit Kombëtar me pushtuesit u kurorëzua me një “Protokoll nderi”. Marrëveshja e bërë midis Ali Këlcyrës dhe Nuredin Vlorës (anëtarë të KQ të BK) me kryekomandantin italian të forcave pushtuese në Shqipëri, Renzo Dalmazo, e 15 marsit 1943, që u quajt “Protokolli Dalmaco-Këlcyra”, është finalja e turpit e Ballit Kombëtar, si bashkëpunëtor me fashizmin. Për këtë “Protokoll” nuk është nevoja të zgjatemi.

Argumentet

Realisht, Paskal Milo nuk bën asnjë zbulim. Letrat e Enver Hoxhës drejtuar Komiteteve Qarkore të PKSH dhe Komandave të njësive partizane, janë botuar në librin “PPSH, DOKUMNTE KRYESORE”, botim i vitit 1971, pra nuk kanë qenë kontingjent i “zbulimit” të Paskalit, por material në dispozicion të çdo lexuesi, pjesa e konsiderueshme e të cilëve kanë lindur para vitit 1971. Pra, asgjë e re në “Frontin e zbulimit historik” të Paskalit./Sot/

Te tjera

Lajme te tjera