Jo vetëm “I.M’, që dyshimet janë se bëhet fjalë për ish-presidentin Ilir Meta, por janë edhe plot 5 politikanë të tjerë të lartë që ka aludime se kanë qenë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Kryetarja e Autoritet të Dosjeve, Gentiana Sula ka folur dje për çështjen më të nxehtë që ka mbërthyer vendin dhe shkaktuara debate të forta politike, sikundër është hapja e dosjeve, teksa në një studio televizive zbuloi se në total i kanë çuar parlamentit një dokument sekret ku jepeshin 6 politikanë të lartë si spiun, I.M dhe 5 të tjerë, po ashtu me iniciale. Madje, zonja kritikoi edhe punën e Komisioneve “Mezini” dhe “Bezhani”. nuk kanë bërë transparencë. “Nuk ka shërbyer për një lloj katarsisi ato 2 Komisione, nuk kanë dhënë transparencë, ato kanë bërë Lustracion, nuk ka lustracion pa informim, puna është të nxjerrësh faktet në dritë. Ka ndodhur një debat publik gjatë gjithë kohë, me emra, por nuk ka qenë shterues, kishin 6 politikanë, zyrtarë shumë të lartë, ishin 6 dhe parlamentit i kemi çuar dhe një dokument shtesë, ku ishin gjithë ngjarje shtesë”, deklaroi ajo.
Akuzat e PL se dosjet janë manipuluar, nuk qëndrojnë
Nga ana tjetër, Sula i ka kthyer përgjigje edhe Ilir Metës që akuzon se Autoriteti i Dosjeve ka manipuluar dosjet. Një gjë e tillë, sipas Sulës, nuk mund të ndodh pasi procesi është në duar e një sërë njerëzve hap pas hapi. “Të manipulosh një dokument zyrtar tek ne, e kemi thënë se dokumentacioni qoftë në letër është dhe mikrofil, ka 2 kopje që ekzistojnë, në autoritet nuk ndodh gjë individuale, ligjet e shtetit janë të tilla që ka regjistra, ka punë në grup, ka kamera, ka roje, do bashkëpunojmë me organet, manipulimi i tekstit bie”, u shpreh ajo.
Ja si do merret vendimi për Metën
Po ashtu, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula tregoi edhe rrugën se si do të merret vendimi nëse politikani i lartë I.M, ka qenë apo ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit. Nëse ka qenë apo jo politikani i rëndësishëm Ilir Meta, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, Sula theksoi se vendimet e autoritetit të Dosjeve nuk ndodhin në mënyrë individuale, por janë kolegjiale. Dhe nëse vendimi kontestohet, pala mund ta ankimojë e më pas edhe vendimi mund të çohet edhe në Gjykatën Administrative. “Rrugët janë të hapura. Qoftë personi vetë, qoftë institucioni i caktuar. Ne do mblidhemi, asgjë nuk ndodh në mënyrë individuale është kolegjiale. Mirëpo Autoriteti është jashtë politikës, është A politik. Në thelb janë 5 veta, ato do të vendosin. Kemi një sekretariat teknik që propozon. Të gjitha vendimet publikohen. Nëse vendimet kontestohet, pala mund të ankimojë. Nëse nuk pranohet vendimi është edhe gjykata administrative”, tha ajo.
Amendamenti i PD
Ndërkohë, Sula u shpreh se ligji do të zhbëjë sekretin! Sa i takon amendamentit të PD-së që dosjen të ketë mundësi ta kërkojë çdo qytetar, Sula tha se kjo pikë i gjeti të papërgatitur, por ka protokolle se si do të kërkohet një dosje. Megjithatë, tha Sula, ligji mbron palët e prekura, ndërsa bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe persekutorët, janë të pambrojtur. “Një bashkëpunim nuk duhet të shihet si një gjë e tmerrshme. Ajo që sot vlen është dalja nga sekretit. Sekretin duhet të zhbëjmë. Një nga gjërat e mira është se deklasfikohen me ligj dokumentet. Të gjitha qarkullohen si të thjeshta. Sanksionet për keqpërdorim, kjo është një gjë e mirë. Ndryshimi që ishte dhe amendamenti nga Alibeaj është se çdo qytetar do kërkojë dosjen. Ka disa elemente në mënyrën si u perifrazua amendamenti, duhet të dijë se si do të përdoret informacioni. Duhet të kemi një moral të përdorimit të dokumentit dhe jo ta keqpërdorë. Ka protokolle sesi do të kërkohet dokumenti. Na gjeti papërgatitur ky amendament. Ligji i mbron palët e prekura. Nëse je viktimë t’i do të pyetësh. Bashkëpunëtorët dhe persekutorët janë të pambrojtur”, nënvizoi Sula. /Rigels Seliman/