Derbi i Londrës mes Çelsit dhe Arsenalit është mbyllur në “paqe” 2-2, edhe pse me një fund dramatik të përballjes në “Stamford Bridge”.
Çelsi, në radhët e së cilës mungonte Armando Broja, i cili nuk ka rikuperuar problemet fizike që shfaqi në grumbullimin me kombëtaren shqiptare, dominoi ndeshjen, pasi u shfaq shumë më mirë se “Topçinjtë”. Goli i Palmer me penalti që në minutën e 15 i dha avantazhin shpejt bluve të cilët krijuan më shumë volum loje.
Ata dyfishuan shifrat në startin e pjesës së dytë me një supergol të Mudrik. Por ndoshta skuadra e Poçetinos e mendoi të mbyllur para kohe duelin dhe lëshoi terren, duke i dhënë mundësinë Arsenalit të kthehej në ndeshje.
Rajs shkurtoi diferencën në minutën e 77 të sfidës dhe në minutën e 84, erdhi goli i barazimit me anë të Trosard, duke siguruar të paktën një pikë për ekipin e Artetës, i cili mbetet kështu i pamposhtur në këtë kampionat dhe me pikë të barabarta me Sitin.