Këshilli i Ministrave ka miratuar me urgjencë në mbledhjen e kësaj të mërkure “Aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes”.
Ky vendim do të duhet të ratifikohet në seancë plenare.
Ditën e djeshme, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla, u ka kërkuar deputetëve të PS që të rrinë të gatshëm për një seancë të posaçme për miratimin e këtij vendimi.
Sot Këshilli i Ministrave ja përcjell dokumentin e miratuar Kryetarit të Kuvendit, që më pas të caktohet edhe seanca plenare që sipas burimeve, pritet të jetë këtë javë.
Ftesa e Trump ishte si një ‘xhekpot’ për Edi Ramën, i cili prej një viti nuk kishte asnjë kontakt me administratën e presidentit amerikan. Edhe pse shumë shtete e shohin me rezervë këtë ftesë, Ramës i mjafton të jetë në një tryezë me Trump. Për këtë arsye, kreu i qeverisë sot e bëri të ditur se do të pranojë të jetë pjesë e Bordit, teksa çështja do të kalojë për miratim në Kuvend.
Për këtë arsye, socialistët janë vënë menjëherë në lëvizje për përgatitjen e aktit, i cili do të kalojë me procedurë të përshpejtuar. Fillimisht, drafti do të miratohet në qeveri dhe më pas do të kalojë për miratim në Kuvend. Për këtë arsye, kreu i grupit të PS, Taulant Balla, u ka dërguar një mesazh deputetëve që në seancën që do të mbahet për këtë rast të jenë të gjithë të pranishëm.
“Përshëndetje kolegë dhe kolege! Aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas miratimit nga Qeveria, do të kërkojë edhe ratifikimin/votimin në Kuvend. Prandaj, ky proces do të realizohet me procedurë të përshpejtuar, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, sapo të vijë nga Këshilli i Ministrave. Ndoshta do të kemi nevojë për një seancë në ditët në vijim. Ju lutem, merrni masa paraprakisht për sigurimin e prezencës”, shkruhet në mesazhin e Ballës drejtuar deputetëve socialistë”, thuhet në mesazhi që u ka mbërritur socialistëve.
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot se selia blu mbështet plotësisht dhe vlerëson përpjekjet për paqe në Gaza të presidentit amerikan, Donald Trump, duke mos e mohuar votën pro Ramës.
I pyetur nëse demokratët do të votojnë pro aderimit të Shqipërisë, në Bordin e Paqes, pas ftesës së presidentit amerikan, Donald Trump, Berisha tha se nuk ka asnjë dijeni dhe do të informohet në lidhje me këtë gjë.
“Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Do shoh. Unë po informohet nga ju. Parimisht ne mbështesim plotësisht përpjekjen dhe vlerësojmë lart përpjekjen për paqe në Gaza, planin për paqe të presidentit Trump. Nuk di asgjë tjetër më shumë se kaq”, tha Berisha.
Duke qenë se qeveria miratoi aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe tashmë pritet të kalojë në Kuvend, Berisha tha se Rama e bëri me urgjencë këtë veprim për të shpëtuar nga protesta.
