Nga Rigels Seliman
Lugina e Preshevës, që përfshin komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në jug të Serbisë, është një zonë me shumicë shqiptare që prej dekadash ndodhet në margjinat e vëmendjes shtetërore, politike dhe ekonomike. Sot, ajo përballet me dy rreziqe madhore që kërcënojnë vetë ekzistencën e saj: pasivizimin sistematik të adresave të banorëve shqiptarë dhe varfërinë strukturore që po e zbraz këtë trevë nga popullsia.
Pasivizimi i adresave – një proces që në dukje mund të duket teknik – është kthyer në një mjet të heshtur për të përjashtuar shqiptarët nga sistemi administrativ dhe politik i Serbisë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga regjistrat civilë për shkak të pretendimeve për mungesë banimi të përhershëm. Kjo do të thotë që ata nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje, të aksesojnë shërbime publike, apo të lëvizin lirshëm në vendin e tyre. Në praktikë, kjo përkthehet në një formë të heshtur shpërnguljeje, që nuk ndodh më me dhunë, por përmes byrosë së zyrave shtetërore.
Përveç pasivizimit, një tjetër plagë e thellë është varfëria e vazhdueshme që e ka shoqëruar këtë zonë. Me mungesë të investimeve, papunësi të lartë dhe mungesë perspektive për të rinjtë, Lugina është shndërruar në një zonë që po shpopullohet çdo vit. Strukturat ekonomike janë të dobëta, mundësitë për zhvillim të kufizuara, dhe mbështetja nga shteti thuajse inekzistente.
Ky realitet ka pasoja të mëdha: për komunitetin që jeton atje, për të rinjtë që largohen në emigracion, për fëmijët që rriten pa ndjenjën e sigurisë dhe për vetë identitetin kombëtar që në këtë trevë është në mbijetesë. Është një ekzistencë që jeton mes përpjekjes për të mos u harruar dhe përballjes me një sistem që e shtyn drejt zhdukjes graduale.
Nëse nuk ka një ndërhyrje serioze, e koordinuar dhe afatgjatë – si nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar – rreziku që Lugina të humbasë karakterin e saj shqiptar është real dhe i afërt. Kjo nuk është më vetëm një çështje politike apo kombëtare: është një çështje njerëzore, e dinjitetit, e të drejtës për të ekzistuar në tokën tënde me identitetin tënd.
Është koha që Lugina të mos mbetet më vetëm në heshtjen e saj. Çdo vonesë është një hap më pranë boshatisjes së saj – jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga shpresa.
