E premte, 17 Janar, 2025

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor histori suksesi, për periudhën Janar-Qershor 2022 mbi 200 mijë shërbime të ofruara me risi për qytetarët

Share

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhja publikoi dje raportin e shërbimeve për periudhën Janar-Qershor 2022. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë ofruar 218,625 shërbime risi, që rritën të ardhurat me 193% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

“Pa rritur taksa e tarifa të shërbimeve jetike mbi mjetin dhe drejtuesin e mjetit, madje duke eliminuar praktika e ulur kostot për qytetarët në shumë sektorë (si p.sh.: heqja e vërtetimeve, eliminimi i kontrollit fizik në disa praktika, leja e re e mjetit që hoqi dy dokumente e uli tarifat, dublikati me ulje tarife për leje drejtimi, zerimi i tarifave për mjetet elektrike e plug-in, heqja e testimit për rinovimet e CAP, ulja e tarifës së kartave të Tahografit, kalimet direkte për shtesat e kategorive të leje drejtimit nga B në D, mjetet historike pa taksa, amortizimi i TVML mbi vlerën e mjetit, zgjatja e afateve të vlefshmërisë për certifikata, licenca e dëshmi, etj) përmes shërbimeve risi, është rritur portofoli i shërbimeve dhe ulur koha e kryerjes së shërbimeve në shifra rekord edhe për 6-mujorin e parë të vitit 2022”, tha ai. Gonxhja bëri me dije edhe statistikat e publikuara. Ai tha se rezultate të tilla janë arritur falë miradministrimit.

“Referuar statistikave të publikuara, janë: 1,278 qytetarë në orë të shërbyer, 77% më shumë të ardhura se në vitin 2018 dhe 20% më shumë të ardhura se në vitin 2021. Këtë 6- mujori shënohen 218,625 shërbime risi. 171% më shumë shërbime risi krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 dhe 193% më shumë të ardhura nga shërbimet risi krahasuar me vitin 2021. Rezultate të tilla të arritura falë mirëadministrimit, përmirësimit të ndjeshëm të kushteve të punës dhe motivimit të ekipit, sporteleve virtuale, komunikimit dinamik, sistemeve inovative të shërbimeve online dhe informatizimit, modernizimit të infrastrukturës fizike, luftës ndaj ryshfeteve”, deklaroi Gonxhja.

Te tjera

Lajme te tjera