E hënë, 7 Shtator, 2026

Dosja “AKSHI”, GJKKO lë në burg Ergys Agasin, SPAK i shton një akuzë të re, biznesmeni mohon se ka përfituar tendera dhe ka qenë pjesë e grupeve kriminale

Share

“Nuk kam qenë asnjëherë pjesëmarrës në tenderë, nuk kam pasur asnjë përfitim financiar nëpërmjet tenderimit dhe nuk kam qenë asnjëherë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme”. Këto janë deklarimet që dha dje para togave të zeza ErgysAgasi, i arrestuar nga forcat e policisë pasditen e 26 gushtit, pas 8 muajve në arrati në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Përkundrejt këtyre pretendimeve, SPAK, nga ana tjetër, thotë se përmes kompanisë së tij “EA Solution”, Agasi nuk rezulton përfitues i drejtpërdrejtë i garave të AKSHI-t, por ishte personi në krye të një grupi kriminal që i orkestronte ato përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit, duke marrë në këmbim milionë euro, për shërbime fiktive. Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale.

Akuza e korrupsionit, sipas avokatit të Agasit, MaksHaxhia, iu bë e ditur vetëm këtë të premte gjatë seancës ku Gjykata e Posaçme (GJKKO) la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar në mungesë prej dhjetorit të vitit të kaluar.”Po kërkojmë që të na paraqesë provat prokuroria për ku qëndron korrupsioni dhe korruptimi”, theksoi ai dje para gazetarëve.

Për avokatin e Agasit, “këto janë masa që merr prokurori për të siguruar procesin e vet për të mos pranuar dështimin… këto provat dhe kjo dosje kur t’i nënshtrohet procesit të debatit në gjyqin e themelit ju siguroj që do jetë drejt pafajësisë së Agasit.”Mbrojtësi i Agasit tha se takimet e përfolura në zyrën e klientit të tij, me personazhë të ndryshëm, zyrtarë publikë, nuk janë të vërteta.

“Aludimi ka ardhur nga mediat që është servirur, që zoti Agasi është personazh që bën politikën shtetërore, bën politikën ekonomike, cakton buxhetet, etj, por sot në proces prokuroria që edhe pse gjatë kontrollit ka sekuestruar një minikamer, nuk solli absolutisht, absolutisht asnjë moment, asnjë pasazh filmimi nga këtu”, vijoi Haxhia. Ndërkohë avokati tha se nuk i takon atij të tregojë se ku ka qëndruar ErgysAgasi gjatë arratisë.

Biznesmeni ErgysAgasi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, në ndjekje nga policia që nga Elbasani, pas një vëzhgimi disa javor nga SPAK. Në makinë me të si shofer ndodhej edhe ish zyrtari i lartë i policisë së Elbasanit, Ulian Shpataraku, i njohur si i besuari i ish-kryepolicit, Proda. Nxjerrja e fotove të tyre gjatë arrestimit çoi në pezullimin e dy efektivëve të Shqiponjave.Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Pjesë nga deklarata e avokatit MaksHaxhia

Maks Haxhia: Pas një procesi 7 orë në GJKKO, më vjen shumë keq dhe ndjehem i ligështuar që ju s’ishit prezent, për arsye sepse unë jam i vetëm dhe jam i paaftë që të zhbëj atë opinion që është mbarsur kundra të mbrojturit prej meje, ErgysAgasi. Po të ishit atje do ishte një ndihmë e madhe jo vetëm për Ergysin, jo vetëm për ne, por edhe për të orientuar drejt opinionin që të marrë vesh që proceset nuk bëhen në media nga njerëz të caktuar.

Megjithatë kam një falënderim për gjykatën, të paktën na la prej shtatë orësh të debatonim dhe të paraqisnim argumentet tona të cilat ishin të detajuara dhe mund të them që si konkluzion, pavarësisht se gjykata vendosi që të mos ja ndryshojë masën e sigurimit atë të arrestit në  në burg, por si konkluzion ne si mbrojtje dalim me një optimizëm për shkak sepse këto provat dhe kjo dosje kur t’i nënshtrohet procesit të debatit në gjyqin e themelit ju siguroj që do jetë në drejt pafajësisë së Agasit.

Problemi është që akuza e heqjes së paligjshme të lirisë e adresuar nga akuza në drejtim të zotit Agasi, përfundimisht me ato analiza që ju bënë provave të administruara dhe vendimeve të organit të prokurorisë, që hoqi sekuestron nga makina dhe nga vëllezërit Mergaj, tregoi dhe çoi automatikisht në çlirimin e kësaj akuze në ngarkim të zotit Agasi.

Dua të them se ajo që na bëri dhe optimist tjetër ishte sepse organi i akuzës, në çmimin tonë natyrisht sepse ne shohim në detaj jo vetëm dosjet dhe dokumentet e përfshira në të por edhe qëndrimin e organit të akuzës, i cili sot erdhi me një akuzë të re për korrupsion që populli kujton se është kjo akuzë, por sot u vendos korrupsion pasiv edhe ndaj zotit Agasi.

Gjë që do të thotë në çmimin tonë gjithmonë e theksoj që pasiguria e materialit të paraqitur deri tani e ka ndjekur organin e prokurorisë deri në ditën e sotme dhe kështu për të përforcuar dhe për të qëndruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës edhe për t’i thënë dhe opinionit që ne jemi këtu, sot u paraqit kjo akuzë.ErgysAgasi dha shpjegimet edhe insistoi dhe provoi dy gjëra. Gjëja e parë që s’ka qenë asnjëherë pjesëmarrës në tenderë dhe nuk ka patur asnjë përfitim në financat dhe nëpërmjet tenderimit dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme.

Takimet e zyrtarëve me Agasin?

MaksHaxhia: Atëherë aludimi ka ardhur nga mediat që është servirur, që zoti Agasi është personazh që bën politikën shtetërore, bën politikën ekonomike, cakton buxhetet, por sot në proces prokuroria që edhe pse  gjatë kontrollit ka sekuestruar një minikamer, nuk solli absolutisht, absolutisht asnjë moment, asnjë pasazh filmimi nga këtu. Tashi të takosh një njeri që s’është kriminel, por është një njeri i nderuar, nuk është vepër penale me sa di unë të paktën prej 45 vjetësh që jam në këtë profesion.

-Kush e ka korruptuar ErgysAgasin dhe çfarë funksioni ka patur sipas SPAK kur është korruptuar?

MaksHaxhia: Se di pra, unë këtë po them. Po kërkojmë që të na paraqesë provat prokuroria për ku qëndron korrupsioni dhe korruptimi.

-Atëherë si arsyetoi prokurori veprën penale të korrupsionit, ku konsiston?

MaksHaxhia: Solli vetëm urdhrin

-Lidhja me shpatarakun ishte shoqërore apo?

MaksHaxhia: Mos më spostoni nga ky pozicion që jam se s’ka të bëjë fare. Ai është në juridiksion tjetër, nuk ishte pjesë e debatit as nuk është përmendur fare.

Çfarë ka ndodhur me Agasin?

Kujtojmë se tetë muaj ka zgjatur arratia e ErgysAgasit, i shpallur në kërkim që prej dhjetorit nga SPAK-u për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Biznesmeni Agasi u arrestua pasditen e sotme në Durrës, teksa lëvizte me një Audi luksoz. Operacioni është zhvilluar nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me SPAK-un, të cilët e kishin pikasur mjetin me të cilin udhëtonte Agasi që në qytetin e Elbasanit.

Agasi është ndjekur për të paktën 40 kilometra, drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit, ku u arrestua në zonën e Plepave. Mediat publikuan pamjet e momentit të arrestimit, kur rrethohet Audi, ndërsa një nga pjesëtarët e Operacionales, i maskuar, i ul kokën Agasit, ndërsa i vihen prangat. Biznesmeni dallohet i veshur sportiv, me një bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra ngjyrë të zezë, një orë të bardhë dhe shapka.

Në makinë me të si shofer ndodhej edhe ish zyrtari i lartë i policisë së Elbasanit, Ulian Shpataraku, i njohur si i besuari i ish-kryepolicit, Proda. Edha Shpataraku ishte i shpallur në kërkim pasi disa javë më parë kërcënoi me jetë punonjësit e një hoteli në jug.  Shpataraku ka qenë Zv/ drejtor i Policisë së Elbasanit. Edhe pse Proda e transferoi pranë vetes kur u vu bë krye të policisë së shtetit, besohet se kishte ende ndikim në hije në drejtimin e bluve të Elbasanit.

Gjë që lidhet edhe me pretendimet publike e politike mbi influencën e ErgysAgasit në Elbasan.Ndaj Shpatarakut u ngrit një tjetër akuzë. Ai u arrestua në flagrancë për shoqërimin e Agasit, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit, ndërsa agjentët e BKH-së ushtruan edhe kontrolle në banesën e tij në zonën e Liqenit të Thatë.Ndërkohë, biznesmeni Agasi u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku agjentët e BKH-së mbërritën menjëherë për ekzekutimin e masës së arrestit me burg.

3 orë pas përfundimit të procedurave, Agasi u dërgua në Bllokun e Sigurisë, ku do të qëndrojë 48 orë derisa të dalë para GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë.Ndaj Agasit, gjykata e Posacme kishte caktuar masën ‘arrest në burg’ në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-T, si i dyshuar në krye të një grupi kriminal që përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit paracaktonte tenderat në këtë institucion.  Sipas hetimeve, mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të ErgysAgasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta.

Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezultoi nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.Biznesmenit ErgysAgasi i janë sekuestruar në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompania EA Solution. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e “EquosResort”.

Bashkë me të në kërkim ishte shpallur edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua një muaj më parë në Francë teksa fluturonte me avion privat  mbi një central bërthamor dhe që ndodhet në paraburgim në proces ekstradimi drejt vendit tonë. Në hetim për dosjen e AKSHI-t, në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndodhet ish drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera