Familjarë, miq, qytetarë të thjeshtë e politikanë e pritën me lot në sy dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me 81 vite burg për krime lufte. Nga Tirana në Prishtinë, reagimet kundër aktgjykimit të Hagës ishin të shumta, ndërsa shpresat tashmë janë te Apeli.
“Marre!” (Turp) Me vetëm një fjalë, të shoqëruar me një imazh të hartës së Europës ku yjet janë zëvendësuar me tela me gjemba, kryeministri Edi Rama shprehu kundërshtimin e tij ndaj vendimit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u shpreh i trishtuar nga vendimi, duke theksuar se askush dhe asgjë nuk mund ta njollosë UÇK-në.“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm. Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie”, shkroi ai.
Politikanët e Kosovës që ndoqën procesin në Hagë i kanë kthyer shpresat te ankimi i vendimit. Glauk Konjufca e quajti aktgjykimin të padrejtë dhe dënimet tepër të rënda, ndërsa ish-ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj kërkoi apelim sa më të shpejtë.
Kreu i veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, shprehu shpresën se vendimi do të ndryshojë në shkallën e dytë. Edhe ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e cilësoi vendimin të papranueshëm dhe bëri thirrje që qytetarët të ruajnë qetësinë.
“Vendimi është i papranueshëm dhe i padrejtë. UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe çlirimtare. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë”, tha Haradinaj.
Në Shqipëri, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore për kundërshtimin e vendimit.
“Duhet të mbrojmë lirinë dhe çlirimtarët nga ky vendim i padrejtë! Duhet të gjejmë të gjitha rrugët juridiko-ligjore të çbërjes së këtij vendimi”, thekson Balla.
Duke e quajtur një ditë jo të mirë për mbarë kombin shqiptar, kreu i PD, Sali Berisha tha se Beogradi po feston për dënimet e padrejta.
“Nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”, tha Berisha.
Ndërsa Gazment Bardhi e cilësoi aktgjykimin të pabesueshëm dhe të papranueshëm. Ilir Meta, në reagimin e tij nga qelia, shkroi se vendin e drejtuesve të UÇK-së e ka përcaktuar historia. Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi që Shqipëria dhe Kosova të ndërmarrin veprime ligjore kundër vendimit.
Ndryshe nga reagimet e politikanëve shqiptarë, Bashkimi Europian u bëri thirrje palëve të tregojnë përmbajtje. Zëdhënësi Guillaume Mercier tha për REL se Dhomat e Specializuara duhet të lejohen të ushtrojnë mandatin pa ndërhyrje dhe kujtoi se katër ish-krerët e UÇK-së kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin.
