Rigels Seliman
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin e vitit 2026 për Klimën e Investimeve, duke lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare “Rama 4” për korrupsion të përhapur, krim të organizuar dhe pastrim parash. Sipas Uashingtonit, paratë e paligjshme nga trafiku i drogës dhe evazioni fiskal po deformojnë tregun dhe po prishin barazinë në konkurrencë. Raporti nxjerr në pah se investitorët e huaj përballen me rreziqe reale zhvatjeje nga administrata publike, ndërsa skemat e PPP-ve dhe statusi i investitorëve strategjikë po përdoren për të favorizuar kompani të lidhura me pushtetin.
Pasiguria me pronat mbetet një alarm kombëtar për shkak të digjitalizimit të papërfunduar dhe korrupsionit në Kadastër, ç’ka po i shtyn bizneseve të kërkojnë zgjidhje në arbitrazhin ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kërkonjnë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) të godasin pa frikë korrupsionin e nivelit të lartë dhe të dërgojnë prapa hekurave zyrtarët e korruptuar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndërkohë, emigracioni masiv po zbraz vendin, duke detyruar sipërmarrjet të marrin punonjës nga Azia Juglindore. Megjithëse treguesit makroekonomikë shënojnë rritje, Uashingtoni paralajmëron se problemet strukturore po pengojnë potencialin e vërtetë të Shqipërisë.
PJESË NGA RAPORTI I DASH
PPP-të dhe investitorët strategjikë nën kritika
Departamenti i Shtetit ndalet edhe te partneritetet publike-private. Raporti vlerëson se kontratat PPP zvogëlojnë mundësitë për konkurrencë dhe vuajnë nga analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike. Kritika ngrihen edhe për mënyrën se si ka funksionuar ligji për investimet strategjike. Pavarësisht se ligji i miratuar në vitin 2015 synonte të tërhiqte investime vendase dhe të huaja në sektorë strategjikë, DASH thotë se pak investitorë të huaj kanë përfituar statusin e investitorit strategjik. Shumica e projekteve të miratuara janë të përqendruara në turizëm dhe financohen nga kapital vendas. Raporti evidenton gjithashtu se investitorët e huaj që kanë aplikuar për këtë status janë ankuar për përgjigje të ngadalta nga AIDA. Më tej, raporti evidenton një problem perceptimi edhe më serioz: numri relativisht i vogël i investitorëve të huaj që kanë marrë statusin strategjik ka kontribuar, sipas DASH, në perceptimin mes investitorëve të huaj se ligji ka përfituar kryesisht kompani vendase me lidhje të afërta me shumicën qeverisëse.
Korrupsioni “minon shtetin e së drejtës”
Por një kapitull i posaçëm i raportit i kushtohet korrupsionit. DASH konstaton se, pavarësisht ekzistencës së një kuadri ligjor për luftën kundër tij dhe parandalimin e konfliktit të interesit, korrupsioni vazhdon të minojë shtetin e së drejtës, të rrezikojë zhvillimin ekonomik dhe ta pengojë Shqipërinë të arrijë potencialin e saj të plotë. Investitorët e huaj rendisin korrupsionin, krimin e organizuar dhe çështjet e lidhura me to ndër problemet më të mëdha të mjedisit të biznesit. Problemet e evidentuara përfshijnë korrupsionin në gjyqësor, qeveri, prokurime publike dhe media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, pastrimin e parave, ndikimin e krimit të organizuar, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave.
DASH vlerëson se nevojitet bashkëpunim më i mirë mes institucioneve shtetërore për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe për të trajtuar atë që raporti e cilëson “kulturë të përhapur të pandëshkueshmërisë”. Në këtë drejtim, raporti nënvizon se përparimi i mëtejshëm i strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe vazhdimi i dënimeve për korrupsionin e nivelit të lartë do të ndihmonin në tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja. Në të njëjtën kohë, DASH evidenton progresin e SPAK dhe BKH-së në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e personave të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar, përfshirë zyrtarë të lartë aktualë ose të mëparshëm dhe figura të krimit të organizuar.
Raporti përmend hetime të profilit të lartë, arrestime dhe dënime të zyrtarëve publikë, por njëkohësisht nënvizon nevojën për rezultate të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Departamenti i Shtetit kërkon gjithashtu bashkëpunim më të mirë mes agjencive qeveritare për të avancuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për të adresuar atë që raporti e cilëson si një “kulturë të përhapur të pandëshkueshmërisë”.
Gjyqësori, investitorët ankohen për korrupsion dhe procese joefikase
Ndërkohë raporti ndalet gjerësisht edhe te sistemi i drejtësisë. Megjithëse Shqipëria ka ndërtuar një kuadër të gjerë ligjor për çështjet tregtare dhe kontraktuale, DASH thotë se shumë investitorë të huaj ankohen se korrupsioni gjyqësor dhe procedurat joefikase të gjykatave cenojnë mbrojtjen gjyqësore të investimeve. Për këtë arsye, sipas raportit, investitorët kërkojnë shpesh arbitrazhin ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Gjatë dhjetë viteve të fundit janë zhvilluar shumë çështje arbitrazhi mes investitorëve të huaj dhe qeverisë shqiptare, me vendime si në favor ashtu edhe kundër shtetit shqiptar.
DASH evidenton gjithashtu se, pavarësisht synimit të deklaruar të Shqipërisë për të tërhequr dhe mbështetur investimet e huaja, investitorët që janë përfshirë në mosmarrëveshje me shtetin kanë raportuar mungesë dialogu produktiv me zyrtarët qeveritarë dhe hezitim të shpeshtë të tyre për të zgjidhur konfliktet. Reforma në drejtësi vlerësohet ndërkohë si një hap i rëndësishëm. Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan vettingut u shkarkuan për pasuri të pajustifikuar ose lidhje me krimin e organizuar, apo dhanë dorëheqjen për të shmangur procesin. Por boshllëqet e krijuara në sistem kanë sjellë edhe stok çështjesh, veçanërisht në apel, duke ngadalësuar gjykimin e tyre.
Pronat, korrupsion dhe tituj ende të pasigurt
Pronësia është një tjetër nga pikat më problematike të raportit. DASH vlerëson se individët dhe investitorët vazhdojnë të përballen me sfida të konsiderueshme në mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë. Sektori i pronave perceptohet si një nga sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit. Procedurat për regjistrimin dhe marrjen e titujve vazhdojnë të konsiderohen të ndërlikuara dhe të prekshme nga korrupsioni i përhapur. Raporti evidenton se problematikat kryesore përfshijnë korrupsionin, mungesën e transparencës, procedurat joefikase, mungesën e një sistemi të integruar efikas të menaxhimit të tokës, digjitalizimin e papërfunduar dhe mospërputhjet mes titujve ligjorë dhe hartave kadastrale.
Shifrat e përfshira në raport tregojnë përmasat e problemit: megjithëse 91% e tokës rezulton e regjistruar, vetëm 43% e titujve të pronësisë, 69% e dokumenteve mbështetëse dhe vetëm 10% e hartave kadastrale ishin digjitalizuar. Për më tepër, rreth 80% e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë ende verifikim për saktësinë. DASH paralajmëron potencialisht investitorët që të tregojnë kujdes në transaksionet me pronat. Raporti përmend gjithashtu problemet historike me pronat e konfiskuara gjatë regjimit komunist, duke vlerësuar se procesi i kthimit dhe kompensimit ka qenë i ngadaltë dhe i shoqëruar nga korrupsioni. Çështje të tilla zgjasin për vite në gjykata dhe shumë prej tyre përfundojnë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Shqipëria mbetet në kategorinë e vendeve kryesore për pastrimin e parave
Miëpo, edhe pse Shqipëria doli në tetor 2023 nga “lista gri” e FATF-së, raporti evidenton një tjetër element të rëndësishëm. Raporti amerikan International Narcotics Control Strategy Report 2025 e mbajti Shqipërinë në kategorinë “Major Money Laundering Jurisdictions”, ku vendi ishte përfshirë për herë të parë në vitin 2017. Çështja e pastrimit të parave përmendet disa herë në raportin për klimën e investimeve dhe lidhet drejtpërdrejt me shqetësimet e investitorëve për konkurrencën dhe funksionimin e tregut.
Emigracioni po zbraz tregun e punës
Ndërkaq një tjetër alarm lidhet me fuqinë punëtore. Sipas raportit, emigrimi i të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar ka krijuar mungesa në tregun e punës dhe po ndikon në perspektivën e investimeve. Duke iu referuar një raporti të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, DASH shkruan se Shqipëria ka pësuar emigrim masiv dhe vlerësohet se rreth 40% e fuqisë punëtore shqiptare punon jashtë vendit. Mes faktorëve që nxisin emigrimin përmenden varfëria, diferencat e pagave me vendet e tjera dhe korrupsioni e klientelizmi. Gjetja e punonjësve vendas të kualifikuar është kthyer vitet e fundit në shqetësimin kryesor të anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Mungesa e fuqisë punëtore, veçanërisht në turizëm, ka detyruar kompanitë shqiptare të rekrutojnë punonjës nga Azia Juglindore.
Investimet rriten, por problemet strukturore mbeten
Megjithatë pavarësisht kritikave, raporti evidenton edhe një panoramë pozitive në disa tregues ekonomikë. Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% në vitin 2025, inflacioni zbriti në 2.2%, ndërsa borxhi publik ndaj PBB-së ra nga 75% në vitin 2021 në 52.6% në 2025. Investimet e huaja direkte arritën gjithashtu nivel rekord. Të dhënat paraprake të Bankës së Shqipërisë të cituara nga DASH tregojnë se FDI-të arritën 1.84 miliardë dollarë në 2025, ndërsa stoku total i investimeve të huaja arriti në 17 miliardë dollarë, 57% më shumë se në vitin 2021.
Pasuritë e paluajtshme morën pjesën më të madhe të flukseve të investimeve të huaja, me 34%, të ndjekura nga shërbimet financiare me 18%, industria nxjerrëse me 10% dhe tregtia me shumicë e pakicë me 10%. Investimet amerikane gjithashtu janë rritur: stoku i FDI-ve amerikane arriti 490 milionë dollarë në 2025, nga 382 milionë dollarë një vit më parë, ndërsa hyrjet e reja ishin 72 milionë dollarë. Por raporti e vendos këtë rritje përballë problemeve strukturore që vijojnë të rëndojnë klimën e biznesit: korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, informaliteti, dobësitë e gjyqësorit, pasiguria mbi pronën dhe konkurrenca e shtrembëruar mbeten ndër pengesat kryesore të evidentuara nga investitorët e huaj dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
