Në një intervistë ballore me gazetaren Çim Peka në “Syri TV”, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka lëshuar një breshëri akuzash të rënda nga arratia, duke goditur pa doreza kryeministrin Edi Rama, kabinetin qeveritar dhe sistemin e drejtësisë.
Sulmi ballor ndaj Edi Ramës: “Qeliza alfa kancerogjene”
Ahmetaj drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama si përgjegjësi kryesor për degradimin e shtetit, duke e cilësuar si “qelizën alfa kancerogjene” të Shqipërisë dhe të vetë Partisë Socialiste. Ai deklaroi se Rama po përdor pushtetin dhe instrumentet e drejtësisë për të mbuluar aferat e vërteta miliardëshe, ndërsa veten e cilësoi si një “kokë turku” të zgjedhur me ndërgjegje nga kreu i qeverisë për të shpëtuar bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
Trafik ndërkombëtar armësh dhe lidhja me raketat e kapura në Itali
Gjatë transmetimit në “Syri TV”, Ahmetaj publikoi një audiopërgjim të janarit 2026, ku dëgjohet biznesmeni izraelit Ron Yeffet duke biseduar me persona rusishtfolës dhe ukrainishtfolës. Sipas tij, biseda fakton një trafik ndërkombëtar armësh të sjella nga Afrika, të cilat paketohen në Shqipëri e dërgohen në zona konflikti jashtë çdo kontrolli të NATO-s. Ai iu bëri thirrje medieve investigative ta lidhin këtë rast me kapjen e fundit nga autoritetet italiane të një furgoni me raketa lufte.
Skema “KAYO”: Grabitja pa tender e Delvinës dhe TEC-it të Vlorës
Ish-numri dy i qeverisë zbardhi atë që e quajti “Koncepti KAYO” — një skemë ku shteti merr vetëm 20% të aksioneve në kompani publike dhe 80% i lihen privatëve për të devijuar miliona euro pa tender. Përmes këtij modeli, sipas Ahmetajt, Rama dhe njerëzit e tij po tentojnë t’i japin izraelitit Ron Yeffet gazi e Delvinës, TEC-in e Vlorës dhe 2.1 milionë m² tokë shtetërore, duke përgatitur edhe një “trust” në SHBA për t’i shpëtuar syrit të Ambasadës Amerikane.
Ridagandisja e ministrave: Skandali “Ermal Raketa”
Ahmetaj zbuloi edhe prapaskenat e emërimeve në kabinetin qeveritar, duke treguar origjinën e pseudonimit të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi. Brenda ushtrisë ai thirret “Ermal Raketa”, pasi në momentin kur Rama e kishte kritikuar se po e zhgënjente, ai i ishte përgjigjur me servilizëm extrem: “Unë për ty bëj dhe raketë!”.
Kërcënime me eliminim fizik, rrëmbim fëmije dhe “notimi” në kripto
Në tonet më dramatike të intervistës në “Syri TV”, Ahmetaj pretendoi se segmente të caktuara e dinin që dërgimi i tij në burg do të çonte në eliminimin e tij fizik. Ai denoncoi tentativa reale për rrëmbimin e fëmijës së tij të vogël dhe kërcënime nga grupe të kokainës. Në mbyllje, ai nënvizoi se ndërsa familja e tij u kontrollua për çdo qindarkë, eksponentë të lartë të qeverisë Rama dhe drejtësisë “notojnë në kriptomonedha” për të fshehur pasuritë e tyre.
