E hënë, 27 Korrik, 2026

Berisha: Libri i kuq është akuza më e rëndë ndaj Ramës, brigjet po shpopullohen pasi tokat po ua marrin kriminelët. PD po bën gati akt padinë

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar librin ‘The Albanian Files’ (Dosja Shqiptare), me parathënie të Ramës, si ‘akuzën më të rëndë’ ndaj një kryeministri shqiptar në historinë e pluralizmit.

Në konferencën e sotme me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se ky botim përbën provën se kryeministri e konsideron Shqipërinë pronë personale dhe se territoret më të lakmuara të vendit u janë dorëzuar, organizatave kriminale dhe trafikantëve të drogës. ‘Libri i kuq ‘Albanian Files’, me parathënie të Edi Ramës, është libri me të cilin Edi Rama fakton shqiptarëve dhe botës se e konsideron Shqipërinë një çiflig të tij. Ky çiflig, sipas tij, u është dhënë për zhvillim karteleve të drogës, baronëve të drogës dhe organizatave kriminale shqiptare e ndërkombëtare,’ u shpreh Berisha.

Sipas kreut të opozitës Sali Berisha, zhvillimet përgjatë vijës bregdetare kanë sjellë largimin e banorëve vendas, të cilët, sipas tij, po detyrohen të shesin pronat përballë presionit të grupeve kriminale. ‘Banorët në brigjet e vendit po shpërngulen pothuajse me forcë. Trafikantët u shkojnë me thasë me para, ua blejnë tokat dhe i largojnë nga trojet e tyre. Një qëndrim të tillë ndaj shqiptarëve nuk ka mbajtur asnjë pushtues në histori,’ deklaroi ai.

Kryetari i PD-së Sali Berisha krahasoi mënyrën e administrimit të bregdetit gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike me atë të qeverisë aktuale. Ai kujtoi se qeveria e tij kishte angazhuar një kompani britanike për hartimin e studimeve mbi zhvillimin e bregdetit, ndërsa akuzoi Edi Ramën se i hodhi poshtë ato plane menjëherë pas ardhjes në pushtet. ‘Edi Rama në vitin 2014 përmbysi studimin britanik dhe kaloi në planin e integruar të zhvillimit të bregut, që në fakt ishte plani i masakrimit të bregut,’ tha Berisha.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u shpreh se, në librin ‘The Albanian Files’ dokumentohen qindra projekte që janë realizuar për interesa të grupeve kriminale dhe për pastrim parash. ‘I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust-it të hetojnë shtrirjen e tentakulave të narkoshtetit shqiptar. Për 523 projekte janë paguar minimumi nga 1.5 deri në 2 miliardë euro,’ deklaroi kreu demokrat. Berisha përmendi edhe projektin e pretenduar në Kanionin e Gjipesë, duke thënë se libri, sipas tij, vërteton akuzat që kishte bërë më parë ndaj kryeministrit. ‘Tani del libri i kuq që fakton atë që kam paraqitur para publikut. Ky libër përbën dosjen më kriminale në historinë e Shqipërisë së 35 viteve të fundit,’ u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së bëri të ditur se Partia Demokratike po përgatit një kallëzim penal. ‘Përshëndes dërgimin e këtij materiali në SPAK nga përfaqësues të protestës. Garantoj qytetarët se Partia Demokratike po e studion këtë dosje dhe do të paraqesë një aktpadi tjetër në SPAK. Për ne kjo është dosja më kriminale,’ deklaroi ai.

Te tjera

Lajme te tjera