Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në takimin e organizuar me qëllim përkujtimin e inxhinerëve dhe drejtuesve të shquar të sektorit të naftës, që u pushkatuan nga diktatura e Enver Hoxhës. ‘Enver Hoxha në llojin e vet disa aspekte ja kalonte dhe Kim Jong Un-it. Se të paktë janë ata që e dinë sot që ai kishte vepër edhe për naftën. Dhe në veprën e tij mbi naftën, për naftën, ai përcaktonte dhe se ku duhej të shpohej. Se ma thotë kjo mendja ime, thoshte, se ky trekëndësh apo ky katërkëndësh ka naftë. Dhe natyrisht inxhinierët ishin të detyruar të shponin. Po aty naftë nuk kishte, sepse e thoshte mendja e tij. Dhe pastaj vinte sabotimi, pastaj vinin proceset, vinte persekutimi dhe terrori ndaj tyre’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në takimin e organizuar nga departamenti i të përndjekurve në PD, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, sot në Shqipëri xhelatët dhe banditët nderohen njësoj si në diktaturën e Enver Hoxhës. ‘Sot në Shqipëri nderohen, për fatin më të keq, xhelatët. Nderohen banditët dhe kriminelët. Kohë identike në rrafshin moral me atë të diktaturës së Enver Hoxhës. Të vendosësh në qytetin e Durrësit një rrugë me emrin Kristaq Rama, është një fyerje, është një poshtërim, është një dhunë morale për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë të Shqipërisë.’, tha Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës në takimin me të përndjekurit ka akuzuar Edi Ramën se përfaqëson një formë të re diktature, duke e krahasuar me regjimin e Enver Hoxhës. Ai u ndal te krimet e regjimit komunist dhe solli në vëmendje varjen e poetit Havzi Nela, duke deklaruar se ai ishte një figurë e rëndësishme që kishte mbrojtur të drejtat e njeriut dhe çështjen kombëtare. ‘Kristaq Rama ishte njeriu që firmosi për varjen e Havzi Nelës, një poet kolos, i cili vargjet e tij ia kushtonte të drejtave të njeriut, frymëzimit nga Helsinki dhe Kosovës’, deklaroi Berisha. Sipas kreut të PD-së, ekzistojnë ende në Shqipëri raste ku persona të dënuar nga historia mbahen në kujtesë publike me emra rrugësh apo nderohen. Berisha akuzoi mazhorancën socialiste se po rikthen, të njëjtin model moral të së kaluarës.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje simpatizantëve dhe qytetarëve që ti bashkohen protestës që të arrihet suksesi i saj. Sipas tij, kjo do të ishte nderimi më i madh për martirët e lirisë, që u vranë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. ‘Një protestë e madhe qytetare rinore është në vazhdim. Duhet të bëjmë gjithçka që të finalizohet me sukses misioni i saj. Kontributi i gjithsecilit është i jashtëzakonshëm. Ky është nderimi më i madh që u bëjmë ne martirëve të lirisë, të rënëve të kombit, shërbimi më i madh që i bëjmë të ardhmes së fëmijëve tanë dhe të kombit shqiptar dhe Shqipërisë.’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij.
