Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit disa ide të reja për forcimin e sigurisë së Evropës. Propozimet vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë po ndikon gjithnjë e më shumë në sigurinë e vendeve evropiane dhe kur janë shtuar incidentet e dyshuara të sabotimit dhe shkeljet e hapësirës ajrore nga dronët.
Von der Leyen tha se Evropa ka tashmë shumë mjete për t’u mbrojtur, por institucionet dhe mënyra e marrjes së vendimeve nuk janë përshtatur mjaftueshëm me kërcënimet e reja.
Këshilli Evropian i Sigurisë
Një nga propozimet kryesore është krijimi i një Këshilli Evropian të Sigurisë, një format i veçantë i takimeve të liderëve evropianë, ku do të marrin pjesë edhe partnerë të rëndësishëm si Ukraina, Britania e Madhe, Norvegjia dhe Kanadaja.
Sipas von der Leyen, ky format do të krijonte një hapësirë të përhershme për diskutimin e çështjeve të sigurisë së kontinentit. Ideja nuk është e re. Presidenti francez Emmanuel Macron e kishte propozuar më herët, ndërsa në vitin 2018 ajo mori mbështetje edhe nga Franca dhe Gjermania.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur mund të nisë Këshilli i ri dhe çfarë kompetencash konkrete do të ketë. Gjithashtu, mbetet e paqartë se si do të bashkëpunojë me NATO-n dhe formatet e tjera të bashkëpunimit ushtarak evropian.
Një protokoll për emergjencat e sigurisë
Një tjetër propozim lidhet me kërcënimet hibride, si sabotazhet, sulmet kibernetike dhe incidentet me dronë. Von der Leyen kërkoi krijimin e një Protokolli Evropian të Sigurisë, i cili do t’u mundësonte vendeve anëtare të koordinoheshin më shpejt kur përballen me kërcënime serioze që nuk arrijnë nivelin e një sulmi të armatosur.
Ideja është krahasuar me nenin 4 të NATO-s. Ky nen lejon një vend anëtar të kërkojë konsultime urgjente me aleatët kur konsideron se siguria, integriteti territorial apo pavarësia politike e tij është në rrezik.
Protokolli i propozuar nga Komisioni do të mbështetej te klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë në traktatet e BE-së. Nëse një vend do ta aktivizonte mekanizmin, shtetet e tjera do të mblidheshin për të koordinuar një përgjigje evropiane dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Por disa ekspertë kanë ngritur pikëpyetje nëse një mekanizëm i ri do të sillte realisht më shumë siguri, pasi NATO dhe BE kanë tashmë procedura për reagimin ndaj kërcënimeve.
BE kërkon më shumë kapacitete ushtarake
Një tjetër pikë e rëndësishme e planit është rritja e investimeve në të ashtuquajturat kapacitete strategjike. Këtu përfshihen satelitët, avionët e transportit ushtarak, furnizimi me karburant në ajër dhe kapacitetet e inteligjencës. Këto mjete janë të rëndësishme për funksionimin e forcave ushtarake në terren.
Von der Leyen njoftoi krijimin e një Instrumenti Evropian për Kapacitetet Strategjike, i cili synon të mbështesë investimet afatgjata në këto fusha dhe t’i koordinojë ato me NATO-n.
BE-ja po përgatitet gjithashtu për mundësinë e një pranie më të vogël ushtarake amerikane në Evropë. Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, ka vlerësuar më herët se zëvendësimi i disa kapaciteteve amerikane mund të kërkojë rreth 500 miliardë euro investime. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të financohet ky plan dhe si do të bindë BE-ja vendet anëtare të rrisin investimet e tyre.
Çfarë pritet më tej?
Propozimet e von der Leyen pritet të jenë pjesë e strategjisë së re të sigurisë së BE-së, e cila pritet të paraqitet muajin e ardhshëm. Në qendër të saj do të jetë forcimi i bashkëpunimit mes vendeve evropiane, rritja e kapaciteteve të mbrojtjes dhe koordinimi më i ngushtë me NATO-n.
Por, për momentin, shumë detaje mbeten për t’u përcaktuar, përfshirë mënyrën e financimit, kompetencat e mekanizmave të rinj dhe mënyrën se si do të funksionojnë në praktikë.
Ftesa për Kanadanë
Ndërkohë Kanadaja mund të bëhet vendi i parë në botë me statusin e ri të “anëtarit të asociuar” të Bashkimit Europian.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e bëri ftesën gjatë fjalimit për Gjendjen e Unionit në Strasburg, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri kanadez Mark Carney.
Statusi është krejtësisht i ri dhe ende nuk ka një kuadër të përcaktuar. Nuk është bërë e qartë nëse Kanadaja do të ketë të drejtë vote në institucionet e BE-së apo çfarë kompetencash konkrete do të ketë.
Ottawa dhe Brukseli po diskutojnë tashmë për përfshirjen e Kanadasë në programe si Erasmus+, Horizon Europe dhe për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale.
Von der Leyen propozoi gjithashtu një aleancë të re me Kanadanë në teknologji, inteligjencë artificiale, energji, minerale kritike, mbrojtje dhe projekte në Arktik.
Nisma vjen në një moment kur Kanadaja po kërkon lidhje më të ngushta me Europën, mes tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara. Bashkëpunimi pritet të diskutohet më tej në samitin BE-Kanada që do të mbahet në Montreal në tetor.
