E diel, 20 Prill, 2025

Basha në Dibër: Ka vetëm një PD, më 6 mars të gjitha bashkë për ndryshimin e madh

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me qytetarë të Dibrës, në mbështetje të kandidatit të PD për bashkinë, Luan Haka.

Në fjalën e tij Basha u shpreh se, Luan Haka është kandidati më i mirë për Dibrën. Ai është pjesë e Dibrës. Jam krenar që është kandidat i Partisë Demokratike. Ai do kujdeset për Dibrën, për dibranët.

“Luani do ta bëjë Dibrën një vend më të mirë për të gjithë, pavarësisht se është i djathtë apo i majtë, për ti shërbyer njerëzve dhe familjeve. Ka vetëm një rrugë për dibranët që mos të kenë për kryebashkiak modelin e Edi Ramës, të inceneratorëve, modelin e korrupsionit të Edi Ramës. Ka vetëm një mënyrë: Vota për Luan Hakën. Nuk duhet të bie pre e marifeteve të vjetra dhe të reja dhe dibranët me mençurinë e tyre nuk janë në shitje, nuk gënjehen dhe nuk mashtrohen. Ka një Parti Demokratike dhe do të jetë me votën dhe besimin e dibranëve kryetari i bashkisë së Dibrës më 6 mars”, tha Basha.

Basha u shpreh se “ do kthejmë vëmendjen, përkushtimin merituar  dhe punën e shërbimeve të harruara ndaj dibranëve”.

“Në mënyrë të përmbledhur do theksoj prioritetet e punës sime pas 6 marsit. Do kthejmë vëmendjen nga zhvillimi i bujqësisë përmes ngritjes së tregut të shitjes së produkteve dhe ndërtimit të magazinave mbledhëse dhe frigoriferëve për të depozituar produktet. Do të bashkëpunojmë dhe me projekte ndërkombëtare për të sjellë subvencione për fermerët, si dhe do të ndikojmë për uljen e çmimeve të inputeve dhe karburantit për bujqësinë. Do punojmë fort të sjellim investime për rrugët që të lidhen me qytetin, si dhe të kryhen ndërhyrje për funksionalitetin e sistemit të vaditjes së tokave. Do të sjellim investime për ndryshimin e mjediseve të shkollave dhe qendrave shëndetësore, si dhe pajisjes së tyre me ngrohje dhe aparatura mjekësore moderne. Do nxisim bashkëpunimet me projekte të huaja për zhvillimin e bujtinave, agrobiznesit, në mënyrë që ta kthejmë Dibrën në një destinacion kyç të turizmit malor. Partia Demokratike ka një program të detajuar dhe ambicioz për ta nxjerrë Dibrën nga kriza, për të gjallëruar biznesin dhe për të zhvilluar bujqësinë. Në 6 mars, të gjithë bashkë për ndryshimin e madh”, tha Basha.

Kandidati për kryetar bashkie për Dibrën, Luan Haka në fjalën e tij u shpreh se, “ne do t’i fitojmë zgjedhjet, për të kthyer shpresën dhe besimin te qytetarët. Ne jemi të bashkuar dhe të fortë dhe kjo vjen nga vullneti i dibranëve. Nuk ka kundërshtarë mes demokratëve, kundërshtari i vetëm është Edi Rama”, tha ai.

Ai theksoi se, “prej gjithë këto vitesh në keqqeverisjen e Ramës dhe bashkisë së Rilindjes, Peshkopia dhe njësitë vendore, fshatrat dhe banorët janë lënë në mëshirë të fatit. Bizneset e vogla po mbyllin qepenin dhe po ikin të dëshpëruar. Dibranët dhe veçanërisht të rinjtë ikin pse nuk gjejnë as edhe një mundësi shkollimi e punësimi”.

“Më mbështesni, më votoni mua dhe programin e zhvillimit të PD dhe ne të gjithë do e kthejmë bashkinë, institucionin publik më të përgjegjshëm, më mikpritës e transparent që ka njohur ndonjëherë Dibra. Do kthejmë vëmendjen, përkushtimin e merituar dhe punën e shërbimeve të harruara ndaj dibranëve”, theksoi Haka.

“Partia Demokratike ka një program të detajuar dhe ambicioz për ta nxjerrë Dibrën nga kriza, për të gjallëruar biznesin dhe për të zhvilluar bujqësinë”, përfundoi ai.

Te tjera

Lajme te tjera