I penduari i drejtësisë dhe vrasësi me pagesë Nuredin Dumani ka paralajmëruar se do të ketë zhvillime të forta nga zbërthimi i platformës “Matrix”. Ai ka vijuar dëshminë në gjykatë, ku është ndalur te raportet me Talo Çelën. Ai ka zbuluar dhe arsyen e ‘thyerjes’ së marrëdhënies me këtë të fundit.
Ndërsa sa i përket vrasjes së Andi Zylyfit, deklaroi se u porosit nga Gim Kabashi, i njohur si Baca, dhe se informator ishte Fatos Gosa.
Sipas tij, Gosa informonte me telefon të enkriptuar dhe se ishte Talo Çela që fliste me të.
Më tej Dumani tha se kishte bërë biseda për vrasjen e Talo Çelës.
“Kel Kamami më ofroi 2 mln euro për vrasjen e Erion Alibej. Me tha do të jap edhe Talon. I thashë, dua 1.5 mln euro, po më sill Talon përpara”.
Platforma Matrix u bllokua nga ndërkombëtarët dhe mes shumë gjuhëve që fliteshin aty, është dhe shqipja. Vetë Nuredin Dumani ka deklaruar kohë më parë ekzistencën e kësaj platforme, ku porositeshin vrasje.
Europol bëri me dije se ata kanë arritur të sigurojnë 2.3 milionë mesazhe në këtë platformë, e cila është përdorur në 33 gjuhë të ndryshme, mes të cilave edhe gjuha shqipe.
Bëhet fjalë për një aplikacion të komplikuar, i cili presupozohej të ishte i sigurt. Por policia holandeze, ajo franceze dhe Europol kanë rënë në gjurmët e serverave të aplikacionit dhe i kanë sekuestruar duke bërë rikuperim të mesazheve. Në Shqipëri, ndër të parët që e pranoi se e përdorte ishte Nuredin Dumani, i cili tha se aty merrte porosi për vrasje.
Pra, në vendin tonë ky aplikacion është përdorur masivisht dhe në momentin që do të dalin bisedat, mund të kemi tërmet në politikë, drejtësi dhe botën e krimit. Madje ky tërmet mund të jetë shumë herë më i fortë se ai që ka shkaktuar “Sky Ecc”.
Arsyeja është e thjeshtë. Bisedat në “Sky Ecc” janë zhvilluar deri në vitin 2021. Pas kësaj periudhe ka një terr informativ. Pra, falë “Sky Ecc”, SPAK ka zbardhur vrasje e krime të shumta që kanë ndodhur deri në 3 vite më parë, por për periudhën 2022-2024 nuk ka biseda. Ndërkohë në këtë periudhë ka pasur shumë ngjarje të mëdha kriminale. Atentatet gjatë viteve 2022-2023 kanë shkundur nga themelet vendin. Që nga vrasja e Brilant Martinajt, e deri te zhdukja e Vis Martinajt.
Diskutimet në seancë
Avokati Përparim Kulluri: Si jeni arrestuar?
Dumani: Isha i plagosur.
Avokati: Keni thënë se do vrisnit Otin? Pse nuk e vratë?
Dumani: Sepse nuk ishte në Elbasan.
Avokati: Pse i thatë Suel Çelës “më vranë” dhe pastaj “më vratë”?
Dumani: Sepse vetëm ai e dinte që unë isha aty.
Avokati: Pse i jeni drejtuar Suel Çelës me fjalën “më vratë” në Sky. Pse ja atribuon tentativën e vrasjes Suel Çelës?
Dumani: Mua më ka nxjerrë në pritë Sueli. Unë kam shkuar atë ditë në Elbasan bashkë me Henrik Hoxhën të vrisnim Ot Kilën. Shkuam me dy makina, por ai nuk ishte fare në Elbasan.
Henriku komunikonte vazhdimisht me Suel Çelën. Unë vetëm pas atentatin i shkruaja. Më pas nuk kam komunikuar më edhe pse ai ka kërkuar. Do zbardhet Matriksi e do dalin.
Avokati: Pse e bëre marrëveshjen me prokurorinë?
Dumani: Se atëherë mu hapën sytë.
Avokati: Çfarë ju ka premtuar prokuroria për marrëveshjen e bashkëpunimit?
Dumani: Asnjë gjë.
Avokati: Kur e njohe Talo Çelën?
Dumani: Fundi i 2009 fillim 2010. Jam njohur nga Ilirjan Feçi.
Avokati: Pse u prishëm marrëdhëniet me Talo Çelën?
Dumani: Ai ka urdhëruar Altin Ndocin të vrasë vëllanë tim.
Avokati: A ka ndenjur makina që u përdor në vrasjen e Andi Zylyfit në garazhin tënd?
Dumani: Po. Ka qenë një makinë që e kishte vjedhur më parë Altin Ndoci.
Avokati: A është përdorur në ngjarje tjetër?
Dumani: Po për një ngjarje tjetër në Spitallë. Porositës ishte Baca, Gim Kabashi.
Avokati: Keni pretenduar se Fatos Gosa ka qenë informator tek vrasja e Andi Zylyfit?
Dumani: Po ka qenë. E kam paguar.
Avokati: Si ka informuar Gosa?
Dumani: Me telefon të enkriptuar. Fliste Talo Çela me të.
Avokati: Kur e ke takuar Talon për herë të fundit?
Dumani: Ngeli puna e kunatit të Mir Haxhisë pa u bërë.
Avokati: Keni thënë që Andi Zylyfi kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë dhe ishte interesuar për vrasjen e kushëririt të vet, vëllait të Alibeajt dhe Dylgjerit dhe se i bënte karshillëk Kel Kamamit.
Dumani: Po, i shkonte Kel Kamamit paralel me makinë.
Avokati: Kur i ke shkëputur marrëdhëniet me Talon?
Dumani: Takimi i fundit ka ardhur ai tek shtëpia ime. Fund 2019 fillim 2020. Ne kishim debatuar shumë me të.
Avokati: Kur jeni shkruar për herë të fundit?
Dumani: Me Sky, në verë 2020.