E enjte, 23 Prill, 2026

Ambasadorja Artemis Malo forcon urat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kanadasë – diplomaci aktive në fushën e kulturës, ekonomisë dhe dialogut ndërinstitucional

Share

Në ditët e para të nëntorit, Ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të rëndësishme që pasqyrojnë një diplomaci aktive, gjithëpërfshirëse dhe të përkushtuar ndaj forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe mbështetjes së komunitetit shqiptar në Kanada.

1 Nëntor 2025, Ambasadorja Malo mori pjesë në inaugurimin e televizionit të parë në gjuhën shqipe në Kanada, “AlbTV Canada”, një arritje me rëndësi të veçantë për diasporën shqiptare. Ky projekt mediatik përfaqëson një hap të madh drejt ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në mërgatë, duke ofruar një platformë profesionale që promovon identitetin kombëtar dhe lidhjet ndërmjet brezave të shqiptarëve në Kanada.

Në vijim, Ambasadorja mori pjesë në Forum-in Global të Torontos, një nga platformat më të njohura ndërkombëtare që bashkon diplomacinë, qeverisjen, sektorin privat dhe inovacionin. Gjatë këtij aktiviteti u trajtuan tema kyçe për zhvillimin ekonomik e teknologjik, si investimet e huaja direkte, tranzicioni energjetik, inteligjenca artificiale dhe sipërmarrja e qëndrueshme. Pjesëmarrja e Ambasadës së Shqipërisë në këtë forum nënvizoi përkushtimin për të promovuar potencialet ekonomike të vendit tonë dhe për të zgjeruar hapësirat e bashkëpunimit me partnerët kanadezë në kuadër të Diplomacisë Ekonomike.

Ndërkohë, me ftesë të Z. Jerry Sherman, President i Embassy Connections Canada, Ambasadorja Malo mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me kolegë diplomatë dhe deputetin kanadez James Bezan, i cili ka mbajtur pozicione të rëndësishme në Dhomën e Komunave, përfshirë atë të Ministrit Konservator për Mbrojtjen Kombëtare. Takimi shërbeu si një mundësi e vlefshme për shkëmbimin e ideve mbi sigurinë ndërkombëtare, politikën e mbrojtjes dhe forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Këto tre aktivitete përbëjnë dëshmi të qartë të rolit aktiv të Ambasadës së Shqipërisë në Kanada në promovimin e identitetit kombëtar, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit diplomatik në një prej vendeve me prani të konsiderueshme të komunitetit shqiptar në Amerikën e Veriut.

Te tjera

Lajme te tjera