Nga Rigels Seliman
Albana Koçiu përfaqëson modelin e një zyrtareje moderne që e ka ndërtuar karrierën mbi profesionalizmin dhe përkushtimin institucional.
Nga drejtimi i administratës publike, ku u dallua për standarde të larta transparence dhe eficience, ajo dëshmoi se reforma nuk është thjesht slogan, por proces i prekshëm.
Më pas, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, tregoi se menaxhimi i një sektori kaq jetik kërkon përgjegjësi, organizim dhe ndjeshmëri sociale.
Sot, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ajo ka dëshmuar se është në lartësinë e detyrës dhe të besimit që i është dhënë.
Rrugëtimi i saj institucional tregon qartë një vijë koherente: përkushtim ndaj ligjit dhe shtetit.
Ajo nuk e ka parë asnjëherë pushtetin si privilegj personal, por si përgjegjësi publike.
Në çdo detyrë ka treguar se bën diferencën përmes qartësisë në vendimmarrje dhe seriozitetit në komunikim.
Prandaj, kontributi i saj nuk i bën nder vetëm ministrisë që drejton apo forcës politike që përfaqëson, por mbarë Shqipërisë.
Sulmet e fundit të artikuluara nga figura të opozitës si kreu i PD, Sali Berisha dhe disa analistë pranë tyre duken më shumë si histeri kolektive sesa si debat racional.
Ato kanë ardhur në një moment kur ministrja kërkoi diçka elementare: distancimin e qartë nga dhuna ndaj policisë gjatë protestës së 10 shkurtit.
Kjo kërkesë nuk ishte politike, por parimore.
Ajo ishte një thirrje për përgjegjësi dhe respekt ndaj institucioneve të rendit.
Të kërkosh që dhuna të dënohet nuk është akt armiqësor, por akt shtetformues.
Të mbrosh policinë kur ajo sulmohet është detyrim kushtetues i çdo ministri të Brendshëm.
Reagimi i ashpër ndaj kësaj thirrjeje tregon më shumë për ata që sulmojnë sesa për atë që mbron ligjin.
Në vend që të përballen me përgjegjësinë morale për aktet e militantëve, ata zgjedhin retorikën e akuzës dhe sulmeve histerike. Kjo tregon se Berisha dhe shupra e tij, janë opozitë pa alternativë.
Por historia politike shpesh ka treguar se zërat e matur qëndrojnë më gjatë se britmat e momentit.
Albana Koçiu ka zgjedhur tribunën e ligjit dhe të institucioneve, jo të rrugës dhe të kaosit.
Kjo e bën atë një figurë që përfaqëson stabilitet, integritet dhe vizion.
Kështu që në një kohë kur polarizimi është i thellë, ajo mbetet shembull i një zyrtareje që vendos shtetin mbi gjithçka.
