E diel, 20 Prill, 2025

Adriatik Alimadhi “shpërthen” ndaj Brahos dhe Xhafës: Partizanët ishin banditë, historia e LANÇ kullon gjak shqiptarësh, e vërteta do t’i përcaktojë kriminel. Akuzat ndaj ballistëve shpifje, komunistët dhe Paskal Milo kanë manipuluar historinë

Share

Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi ka replikuar në distancë me ish-zyrtarin e lartë të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa, ish-kreun e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Spartak Braho, sa i takon rolit të Ballit dhe Partizanëve në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Alimadhi rendit faktet që sipas tij, tregojnë krimet e komunistëve dhe partizanëve në Shqipërinë e para dhe pas Luftës Nacional Çlirimtare. Madje sipas numrit 1 të Ballit Kombëtar, komunistët të kryesuara nga Muharrem Xhafa, historiani i njohur, Paskal Milo, etj, kanë manipuluar historinë e Shqipërisë. Sipas zotit Alimadhi, Partizanët ishin banditë, historia e LANÇ kullon gjak shqiptarësh dhe se vërteta do t’i përcaktojë kriminel.


-Zoti Alimadhi, ditët e fundit është hapur një debat sa i takon rolit të Ballit dhe Partizanëve në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Figura si Spartak Braho, Muharrem Xhafa dhe Odhise Porodini, gjatë kësaj jave përmes reagimeve dhe intervistave për gazetën “SOT”, kanë hedhur akuza të forta në adresë të Ballit Kombëtarë dhe drejtorit të Institutit të Krimeve të Komunizmit, Çelo Hoxha, të cilën i kanë akuzuar si pinjollë të pushtuesëve nazifashistë. Keni një koment?

E kam thënë shpesh herë dhe nuk i tërhiqem idesë time sepse jam i mbështetur fortë me fakte dhe është e provuar me dokumente, të cilat po flasin çdo ditë për vrasje shqiptarësh dhe krime çnjerëzore, të kryera në pabesi nga kriminelët komunist dhe kriminelët partizan, do vazhdoj ta them sa te kem frymën time se; veprimtaria e komunistëve dhe e partizanëve është e gjitha veprimtari kriminale, e cila kullon gjak të pastër shqiptarësh dhe eshtrat e patriotëve shqiptare janë të shpërndara në arat e këtij kombi të vrarë nga kriminelët komunist dhe kriminelët partizan. Kjo tingëllon pak keq, por e drejta duhet thënë dhe të shpëtojmë një herë e mirë nga kjo kolere e keqe e madhe. Duhej operacion i fortë që të shpëtonte shoqëria shqiptare nga mendësi komuniste, që dhe shqiptarët të kuptojnë të drejtën dhe të vërtetën dhe të ndaheshin përfundimisht nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e ideologjisë kriminale komuniste.

-Po kush ta bënte këtë, vetë komunist…

Duhet ta kishte bërë kjo politikë 32 vjeçare, por nuk e bëri, kjo pra duhej bërë me njëherë fill pas viteve 1990, për ta shkëputur një herë e mirë shoqërinë shqiptare nga shpifjet e komunistëve. Kurse Muharrem Xhafa dhe Spartak Braho kanë mbetur te kjo mendësi, jam i sigurt që shoqëria shqiptare është shkëputur nga këto mendje të mykura, ju ka ikur koha.

-Dakord, por po hidhni akuza të forta dhe këto janë shumë të ndjeshme kur jemi një ditë para 5 Majit, e cila është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët, pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit. Madje nesër mbushen plot 80 vite nga vrasja e heroit të Popullit, Qemal Stafa. Nuk mendoni se këto deklarata do të merren si provokim nga komunistët dhe veteranët?

Shiko i dashur gazetar Rigels, ka mundësi të më thoni, çfarë përfaqëson Qemal Stafa? Ende 5 maji dita e dëshmorëve, duket e çuditshme! Mendoj se çdo gjë që lidhet me veprimtarin kriminale komuniste duhej të ishte hequr. Këtu nuk shtrohet çështja  e një emri komunist sepse komunistët, zakonisht kanë abuzuar me emra simbol, por ka qenë gjithçka false dhe nga ana tjetër i vranë të gjithë shqiptarët një e nga një. Kjo pra duhej bërë me njëherë fill pas viteve 1990, për ta shkëputur një herë e mirë shoqërinë shqiptare nga shpifjet e komunistëve. Duhej operacion i fortë që të shpëtonte shoqëria shqiptare nga mendësi komuniste, që dhe shqiptarët të kuptojnë të drejtën dhe të vërtetën dhe të ndaheshin përfundimisht nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e ideologjisë kriminale  komuniste. Një gjë s’e kanë kuptuar akoma shqiptarët, është se ndjenja nacionaliste dhe komunizmi janë dy veprime të kundërta që s’mund të pajtohen kurrë me njëra-tjetrën. Nacionalizmi është dashuri për kombin, për bashkimin dhe lartësimin e tij, kurse komunizmi është internacionalizëm i bazuar në të ashtuquajturin bashkim proletar botëror. Këto dy parime të kundërta nuk mund të pajtohen në një ide të vetme, as në një luftë të përbashkët. Nacionalistet luftonin për të mbrojtur kombin e tyre kurse komunistet luftonin për të bërë revolucionin komunist me tërë egërsinë e tij. Për të gënjyer popullin, komunistet bënin sikur luftonin kundër pushtimit të huaj, por e vetmja gjë që u interesonte ishte revolucioni komunist; të cilin e zbatonin në mënyrën më të tmerrshme dhe mizore. Përderisa mos të jetë kuptuar ky ndryshim ndërmjet nacionalisteve dhe komunisteve, shoqëria shqiptare nuk do te kuptojë asgjë nga historia e tij e 50 viteve të diktaturës kriminale komuniste.

-Çfarë prisni ju nga politika shqiptare dhe keni fakte për këta akuza të forta që hidhni në adresë të LANÇ dhe partizanëve?

Është për të ardhur keq që politika e këtyre 32-vjetëve nuk është shkëputur nga kjo mendësi. Gjykatësi më i mirë është koha prandaj koha na dha të drejtë. Në çdo periudhë që kombi ka nevojë dhe ne kemi qenë aty historikisht dhe e kemi dhënë këtë kontribut patriotik dhe i kemi qëndruar besnik kombit shqiptar, dhe nuk kemi bërë luftë me kohë të pjesshme ashtu siç pretendojnë kriminelet komunistë sikur kanë bërë luftën antifashiste, gjate luftës së dyte botërore, në vitet 1943-1944. Arkivat dhe dokumentet, faktet po nxjerrin të vërtetën janë, vrarë zero italian dhe zero gjerman nga lufta partizane…dhe ku është lufta partizane? Ky është një turp, ne bënim luftë kombëtare sa herë qe na thërret kombi, kemi qenë dhe jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë. Gënjeshtra dhe shpifje kanë bërë historinë, brezat edhe sot po edukohen me këto të pavërteta, por unë mendoj se politikbërja i ka përdorur dhe vazhdon t’i përdorë këta mjeranë qe nuk dinë ç’të thonë dhe të bëjnë, lufta partizane dhe lufta antifashiste, ajo ishte luftë vëllavrasëse asgjë tjetër.  Po ku kuptojnë ata të paditur, ata mjeranë, ata të pabesë, të palexuar dhe të pa kuptuar me të drejtë dikush ka thënë; “mora pushkën dola malit, të luftoja për atdhe, dija gjë unë i varfëri, se armiku ishim ne.”, dhe kjo ju shkon atyre trutharëve. Kuptojnë gjë këta shokët Muho dhe shoku Braho se Shqipëria ngeli republika e shtete jugosllave, këtë gjë shkatërruese kanë bërë kriminelët partizanë dhe kriminelët komunistë. Këtu dallon një nacionalist nga një kriminel komunist, po të duash atdheun do të vritesh, po të duash atdheun do të japësh jetën, do të pushkatohesh, do të theresh për atdheun tënd.

-Mund të na jepni më shumë detaje…

Të gjitha krimet barbare të partizanëve gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare janë të provuara dhe të dokumentuara. Kuptoni ju njerëz që ende ne duhet t’iu themi këtyre të pashpirtëve që nuk kanë kuptuar akoma, se duhet të kishin kërkuar ndjesë, por vazhdojnë akoma me fyerje dhe banalitete. Unë mundet t’iu them atyre kafshojeni gojën dhe rrini urtë, dilni dhe kërkoni falje për gjithçka që i keni bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kërkoni falje publikisht more kriminelë. Keni sy dhe faqe, pale na bëni akoma tradhtarë, të pabesë! Pushoni dhe mbylleni gojën tuaj të shpifur, sepse vetëm prej jush ka vuajtur ky komb i mjerë, pushoni ore të paudhë dhe të pafe. I kam lexuar të gjitha shkrimet e tyre me shumë kujdes, jam edukuar ndryshe nga familjarët e mi, kam një kulturë tradicionale si gjithë familjet shqiptare. Si familje dhe si fis kemi kontributin tonë në historinë e Shqipërisë, kemi dhënë gjithçka, ia kemi bërë hallall kombit tonë dhe do ta vazhdojmë ta japim sa herë të kërkohet, por kjo është demokracia. Secili të flas ashtu siç ai e mendon, kjo është liria e fjalës. Kjo e bën edhe gazetën tuaj më demokratike, që të ketë edhe mendime të ndryshme, pavarësisht banalitetit, por duhet të flitet realisht me prova dhe me fakte dhe pa e fyer dhe përbaltur atdhetarin dhe patriotin, këtu bëhet dallimi midis nesh dhe atyre gojëprishurve dhe shpirtzinjve. Ata mendojnë se Shqipëria është vetëm e tyre, nuk ka vend për shqiptarë të tjerë. Kurse ne themi se Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga bindjet. Kështu jemi ne dhe ky është dallimi ynë, kjo është e vërteta, pavarësisht me vonesë, por kam bindjen se sa të ngordhi goja e disa veteranëve e këtij tipi si Xhafa, sa të ngordhi goja e përdalë e Milos dhe sa të hiqet mendësia komuniste e disa veteranëve të mjerë, mendoj se Shqipëria dhe shqiptarët do të shpëtojnë njëherë e përgjithmonë nga kjo ligësi dhe mendësi denigruese dhe e dëmshme për kombin shqiptar. Kjo është e gjitha!

 -Ju mendoni se do të vendoset drejtësi dhe historia do të shkruhet drejtë, duke qenë se sipas jush është shtrembëruar?

Jam besimplotë se në Shqipëri do të vijë koha që fjalët partizan dhe komunist do të ngelen me të urryerat nga brezat që do vijnë dhe atëherë mendoj se shpëton njëherë e përgjithmonë shoqëria shqiptare. Ju me thoni mua se çfarë thonë këto mendje të mykura, po ku pyet Balli Kombëtar se çfarë thonë disa dallkaut dhe gojë shpifur, Balli Kombëtar i ka pasur dhe i ka rrënjët tek ekzistenca shqiptare, te shqiptarizmi dhe patriotizma, ka lindur dhe është themeluar me idenë qe të vihet plotësisht në shërbim të kombit shqiptar dhe jo Kombi Shqiptar të vihet në shërbim të Ballit Kombëtar.

-Po partia që ju drejtoni, pra e kam fjalën për Ballin Kombëtar, gjatë kontributi ka në këtë histori…

Koha po tregon çdo ditë se Balli Kombëtar e ka dhënë kontributin dhe e ka bërë vetëflijimin e tij për interesat e larta kombëtare. Idealet e Ballit Kombëtar kanë triumfuar dhe po lartësohen dita ditës dhe ato po triumfojnë. Shikoni zhgabën, Qeleshen tradicionale shqiptare si po mbush botën dhe e vendosur në kokat e shqiptarëve pa yllin e moskovit. Shikoni hartën etnike, brohoritjet Shqipëri etnike, shikoni që e gjithë politika po flet me gjuhën e Ballit Kombëtar dhe ç’ka thënë Balli Kombëtar po realizohet sot. Nuk është problem se triumfon Balli Kombëtar, por fiton Shqipëria dhe shqiptarët, fiton kombi shqiptar, ky është dhe kjo do te ngelet alternativa jonë edhe në vazhdim.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera