E premte, 14 Gusht, 2026

Fillojnë “ditët e vështira” për Serbinë dhe Kosovën, Gjermania ultimatum që të zbatohet menjëherë “Marrëveshja e Ohrit”, Vuçiç vendoset “me shpatulla pas muri”, ja çfarë pritet të ndodhë në Bruksel

Share

Kjo javë pritet të jetë e nxehtë për politikën serbe dhe kosovare.  Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rode, ka thënë ditën e djeshme se takimi i datë 14 shtator mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti vjen në një “moment kritik”. Ai theksoi se është i domosdoshëm përkushtimi i plotë i Beogradit dhe Prishtinës për de-përshkallëzimin e situatës dhe kërkoi që të dyja palët t’i përkushtohen dialogut, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe demokracisë pjesëmarrëse. “Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet menjëherë”, tha Rode. Thirrja e ambasadorit gjerman vjen katër ditë para takimit të ri mes presidentit serb dhe kryeministrit kosovar. Ky do të jetë takimi i tyre i parë pas shpërthimit të tensioneve në veri të Kosovës më shumë se tre muaj më parë, që acaroi edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në periudhën e kaluar, e më shpesh pas shpalljes së takimit, Bashkimi Evropian tha se presin që palët të sillen me përgjegjësi, të angazhohen në de-përshkallëzimin e situatës dhe organizimin e zgjedhjeve të reja lokale dhe në këtë mënyrë të hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Flet Vuçiç

Edhe presidenti i Serbisë në një konferencë për media pas përfundimit të takimit të parë të samitit të Procesit të Bërdo-Brionet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ka thënë se pret që takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) të jetë i vështirë. “Unë pres që do të jetë takim i vështirë, asnjëri prej tyre nuk ka qenë i lehtë dhe jo sepse po flasim me Kurtin, por po flasim me përfaqësuesit e Brukselit dhe ata gjithmonë do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës, në një mënyrë apo në një tjetër”, ka thënë presidenti serb dje në një konferencë për media. Në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-së deri në vitit 2030, presidenti serb ka shprehur skepticizmin e tij se kjo mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, duke thënë se nuk dëshiron t’i gënjejë qytetarët e Serbisë, derisa vetën e ka cilësuar “ujk” dhe “veteran politik”. “Unë jam veteran politik, ujk. Nuk mund të besoj se ne do të hyjmë në BE në 2026, nuk do të na pranojnë në 2027 ose 2028. Nuk do të gënjej popullin as për shkak të zgjedhjeve, as për ndonjë gjë tjetër”, ka theksuar Vuçiçi.

Vendosja e sanksioneve

Duke komentuar deklaratën e kreut të diplomacisë kroate, Gordan Grliç Radman, në Sofje se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Vuçiç tha se “ne vetë vendosim se kujt do t’i vendosim sanksione”. “Kjo është edhe arsyeja pse ne dallojmë nga Prishtina se kush është vend sovran dhe kush nuk është dhe nuk do të jetë kurrë”, tha Vuçiç. Ai i tha Kroacisë dhe Bullgarisë që “të kujdesen për shqetësimet e tyre dhe të mos ndërhyjnë në politikën e Serbisë. “Si e kujton ai që po flasin se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Nga të gjitha temat, kroatët dhe bullgarët flisnin për atë që duhet të bëjë Serbia”, theksoi Vuçiç. Ai u kërkoi atyre që të mos përzihen në politikën serbe. “Hajde se ju mjaftuan hallet dhe hallet tuaja, merak o bullgarë, çfarë do të bëni në vendin tuaj kroatë, çfarë do të bëni në vendin tuaj dhe mos u përzieni në punët e Serbisë dhe bëhuni shumë të zgjuar”, tha presidenti i Serbisë.

Ndërhyrja e BE

Pas situatës që u krijua në maj këtij viti në veri të Kosovës, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut. E në prag të mbajtjes së takimit në nivel të lartë, i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak gjatë javës së kaluar ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ku është biseduar rreth përgatitjeve për takimin e së enjtes. “Ne e patëm një diskutim të gjatë dhe përmbajtjesor për t’u përgatitur për takimin e dialogut të nivelit të lartë javën e ardhshme”, shkroi Lajçaku në platformën “X”. Ai theksoi se përqendrimi i tyre kryesor në takimin e 6 shtatorit në Bruksel ishte “si të përparojmë në normalizimin e marrëdhënieve”. Lajçak thotë se po punohet shumë që takimi i 14 shtatorit të sjellë rezultate pozitive. Ndërkaq zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Kosova insiston në barazi të palëve në dialog. “Përgatitjet e BE-së për takimin në kuadër të dialogut të Nivelit të Lartë më 14 shtator po kryhen me intensitet dhe ne po punojmë që të kemi rezultate pozitive”, shkroi ai në Facebook.

Te tjera

Lajme te tjera