Rigels Seliman
Shokët e Gjukanoviçit po arrestohen. Për këdo që e njeh Ballkanin modern, këto fjalë nënkuptojnë diçka që ishte e paimagjinueshme deri vonë. Për shkak të të gjithë sundimtarëve ballkanikë dhe njerëzve të fuqishëm në tridhjetë vitet e fundit, Milo Gjukanoviç ishte më jetëgjati dhe më i fuqishmi, siç shkruan “Slobodna Bosna”. “Imagjinoni një njeri që ka qenë katër herë kryeministër dhe dy herë president i vendit dhe është vetëm 61 vjeç. Ishte kryeministër për njëzet vjet, pastaj president për gati një dekadë, dhe ështëende katër vjet larg pensionit. Ky është Milo Gjukanoviç”, kështu shkruan media e njohur, duke shtuar semesa duket, nga ombrella më e fuqishme e Ballkanit ka filluar të pikojë ujë.
Arrestimi i miqve të tij
Sulmi i fundit i policisë ndaj njerëzve të afërt të Gjukanoviçit ndodhi më 24 korrik, kur, Departamenti Special i Policisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit në Podgoricë, arrestoi ish-drejtorin e policisë, Veselin Veljoviç, mikun e ngushtë të Gjukanoviçit. Ai akuzohet për dhënie të informacioneve zyrtare dhe ndihmë në kontrabandën e cigareve. Gjukanoviç, i besonte aq shumë sa që kur ishte president, e emëroi këshilltarin e tij për siguri dhe mbrojtje. Mediat malazeze raportojnë se Veljoviç u jepte kriminelëve informacione konfidenciale që ai i kishte marrë si këshilltar i Gjukanoviçit. Ai është i fundit në një seri të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Gjukanoviçit, të cilët janë sulmuar nga Prokuroria Speciale e Shtetit gjatë vitit të kaluar. Në këtë situatë më parë janë gjetur ish-kryetarja e Gjykatës Supreme, Vesna Medenica, kryetari i Gjykatës Ekonomike, Blazho Jovaniç, prokurori special Sasha Çadenoviç dhe zyrtari i lartë i Agjencisë për Siguri Kombëtare Petar Lazoviç.
“Berluskoni i Ballkanit”
Analistët malazezë e interpretojnë arrestimin e të gjithë atyre “njerëzve të Gjukanoviçit” si pasojë e rënies së ndikimit të tij në ngjarjet në Mal të Zi. Karriera e tij politike përfundoi pasi u mund në zgjedhjet presidenciale në prill të këtij viti, pas së cilës ai dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë. Por ishte një karrierë mbresëlënëse, po aq sa shifrat që lidhen me pasurinë personale të Gjukanoviçit, për të cilën një pjesë e malazezëve besojnë se është e lidhur me “mafinë e duhanit”.Në tetor 2009, Wikipedia publikoi një listë të krerëve më të pasur të shteteve në botë, sipas së cilës Gjukanoviç ishte i dyti më i pasur në Evropë, pas kryeministrit të atëhershëm italian Silvio Berlusconi, ndërsa renditej i 22-ti në botë. Me pasurinë e vlerësuar në 14.8 milionë euro, Gjukanoviç ia kaloi jo vetëm presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe Barack Obamëspor edhe mbretëreshës daneze. Po në të njëjtën ditë kur u publikua ajo listë, ish-miku i Gjukanoviçit, Ratko Knezheviq, një biznesmen malazez, dëshmoi në Gjykatën e Qarkut në Zagreb, duke e etiketuar Gjukanoviç si një nga krerët e “kartelit të duhanit” ballkanik.Por Gjukanoviç nuk ishte shumë i shqetësuar nga këto akuza, aq më tepër që prokuroria italiane pezulloi hetimet kundër tij për shkak të imunitetit të tij diplomatik.
Karteli i duhanit Në vitin 2009, Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) njoftoi se familja e Milo Gjukanoviçit vetëm në dy dekadat e para të sundimit të tij fitoi një pasuri prej gati 200 milionë dollarësh.Hulumtimi i tyre tregon qartë se si organizohej kontrabanda e cigareve në Mal të Zi, përmes të cilave kompanitë dhe vendet pastroheshin paratë dhe kush ishte i përfshirë. Si dhe të gjitha akuzat e tjera kundër tij, Gjukanoviç e hodhi poshtë këtë raport të ICIJ si “një seri tjetër gënjeshtrash”. Përveç faktit që shumë dyshojnë se pasuria e tij është e lidhur me “mafinë e duhanit”, rruga politike e Gjukanoviçit është gjithashtu e diskutueshme. Mbështetësit e tij e konsiderojnë atë “babain e kombit malazez” dhe simbol të Malit të Zi pro-evropian, ndërsa kundërshtarët e kritikojnë për sundim faraonik, e quajnë “Faust i Malit të Zi” dhe presin që anëtarët e Departamentit të Policisë Speciale të trokasin në derën e tij një ditë.
