E shtunë, 26 Shtator, 2026

Ambasadorët, krerët e shtetit dhe politikës mesazh për Fitër Bajram! Begaj: Bashkëjetesa fetare, vlera jonë e jashtëzakonshme! Urojnë Rama, Nikolla, Meta dhe Veliaj

Share

Krerët e shtetit dhe të politikës në Shqipëri kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, duke uruar më të mirat për vendin por edhe për më shumë dashuri dhe vepra të mira nga gjithsecili. Presidenti i Republikës ka uruar nga Kavaja, ku ka takuar shumë besimtarë.  Ai shkruan se sakrifica në emër të besimit të jetë shtysë për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin.

“Në fakt, kjo festë e Fiter Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin. Sot në Kavajë gjeta veten, takova miq të rinj dhe të vjetër, të besimeve të ndryshme dhe ku më mirë se Kavaja tregohet kjo harmoni fetare. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira.  Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen. Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë”, ka thënë Presidenti Begaj. Tek zyrat e komuniteti mysliman shqiptarë janë paraqitur me radhë, fillimisht Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.  Veliaj tha se Sot Tirana është më e bashkuar! Pas tij, zyrave të KMSH, ju drejtua Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi. Kreu I PR, Fatmir Mediu, e pas tij Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe Kandidati i selisë blu për Bashkinë e Tiranës Roland Bejko.

Kreu i Grupit Parlamentarë Socialistë, Taulant  Balla, e ka uruar festën e Fitër Bajramit nga Fieri në krahë të kryebashkiakut socialist të Fierit, Armando Subashi. Përmes rrjeteve sociale Fitër Bajramin e ka uruar dhe Kryeministri Edi Rama, si dhe Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fiter Bajramit.

“Gëzuar Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve muslimanë në Shqipëri! Uroj që kjo ditë e shenjtë t’ju sjellë gëzim, lumturi, paqe dhe prosperitet,” uroi ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann.

Pas 30 ditëve agjërim besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë përcolli sot urimin e saj për besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

“Ambasada e SHBA dërgon urimet më të ngrohta për të gjithë ata që festojnë sot Fitër Bajramin. Si kulmi i muajit të Ramazanit, kjo festë është një kohë mirënjohjeje, dhembshurie dhe bujarie përmes akteve të agjërimit, lutjes dhe bamirësisë. Urojmë paqe, shëndet dhe gëzim për të gjithë ata që festojnë sot”, thuhet në mesazhin e urimit.

Pas 30 ditëve agjerim besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin.

Te tjera

Lajme te tjera