E shtunë, 26 Shtator, 2026

Festohet Pashka Katolike/ Urimet

Share

Besimtarët katolikë kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin e festimeve për besimtarët katolikë.

Autoritetet më të larta të shtetit dhe politikanë uruan besimtarët katolikë për Festën e Pashkës, me besimin për më tepër begati për familjet shqiptare.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka uroi që kjo ditë që simbolizon ringjalljen të frymëzojë për më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin e për ta parë të ardhmen me besim e optimizëm.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Sopiropali u shpreh se “Pashka e bekuar na dëshmon se nuk ka të keqe që nuk mposhtet, nuk ka dhimbje që nuk shërohet, nuk ka errësirë që nuk thyhet edhe nga drita më e zbehtë, nuk ka forcë më madhore se dashuria njerëzore”.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi uroi që kjo ditë e shenjtë të jetë një reflektim mbi vlerat e besimit, shpresës dhe dashurisë. “Sjelltë kjo Pashkë e bekuar, frymëzim dhe unitet për për të punuar drejt qëllimeve tona të përbashkëta”, uroi ai.

Në këtë të diel të Pashkës katolike, simbol i dashurisë që triumfon mbi egoizmin, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro uroi për të qenë të gëzuar e të bashkuar, ndërsa vlerësoi se në këtë ditë shpresa për mbretërimin e paqes është më kuptimplotë se asnjëherë.

Pashkë të gëzuara për besimtarët katolikë uruan po ashtu edhe ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar.

Edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi të gjithë besimtarët katolikë për shëndet dhe lumturi në familje.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas vizitës në Kishën Katolike në Lushnje, tha se festa e Pashkës është një festë shumë e bukur që simbolizon jo vetëm ringjalljen e Krishtit por simbolizon dashurinë dhe sakrificën e Zotit për njeriun.

“Unë dua t’ju uroj me gjithë zemër gjithë besimtarëve katolikë, ungjillorë, prostestantë se festa e Pashkës është një festë shumë e bukur që simbolizon jo vetëm ringjalljen e Krishtit, por simbolizon dashurinë dhe sakrificën e Zotit për njeriun. Kështu që duhet të mësojmë të gjithë nga kjo festë. Paqja mbizotëroftë dhe për shkak të paqes duhet të sjellim sa më shumë mirëkuptim dhe sa më shumë marrëveshje më shumë punë të përbashkëta në dobi të Lushnjes dhe në të gjithë Shqipërisë. Kështu që edhe për ne politikanët festa e bukur e Pashkës është një mesazh që duhet të punojmë më së shumti së bashku në dobi të së mirës së qytetarëve”, deklaroi Balla.

Te tjera

Lajme te tjera