E enjte, 19 Nëntor, 2026

Lufta në Ukrainë/ Rama në ‘Koalicionin e Vullnetmirëve’: Lajm i mirë vendimi për t’u përfaqësuar si Evropë në bisedimet me Moskën, gabim strategjik që nuk u bë më herët

Share

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë këtë të enjte në samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” në Berlin, ku mbi 30 liderë janë mbledhur për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për arritjen e paqes.

Kryeministri shqiptar u prit në Kancelarinë Federale nga kancelari gjerman Friedrich Merz, me ftesë të të cilit po zhvillohet samiti. Në një prononcim për gazetarët, Rama përshëndeti vendimin e marrë në Dublin për krijimin e grupit përfaqësues evropian që do të vazhdojë dialogun me Moskën.

“Është një moment dhe një mundësi e mirë për t’u mbledhur këtu, në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh dhe asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Evropës në një komunikim të mundshëm me Rusinë. Evropa vendosi të ketë një grup në vijën e parë që do ta përfaqësojë në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që kjo nuk u bë që në fillim. Në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre. Tani, shpresojmë, komunikimi ka rifilluar dhe mbetet të shohim se si do të shkojë”, deklaroi Rama.

Në samitin e Berlinit marrin pjesë edhe të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët pritet të zhvillojnë bisedime me zyrtarë ukrainas dhe përfaqësues evropianë në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Në fokus të takimit janë garancitë e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës dhe plani për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Te tjera

Lajme te tjera