E enjte, 19 Nëntor, 2026

Berisha: Minimumi jetik është plotësisht i mundshëm! U bëj thirrje qytetarëve të mbështesin me protestën e tyre të fuqishme me 28 nëntor edhe përmbysjen e këtij buxheti

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se buxheti i vitit 2027, i reklamuar si buxheti më i madh në histori me 10 miliardë euro, është një buxhet që favorizon korrupsionin dhe shpenzimet e administratës, ndërsa lë në harresë pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta.

Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Berisha e cilësoi shifrën prej 10 miliardë eurosh si spekulim, duke argumentuar se, po të llogaritet me kurset e mëparshme të këmbimit, rritja reale e buxhetit është shumë më e vogël. Ai deklaroi se vetëm 1 për qind e PBB-së është parashikuar për pensionistët, duke kërkuar dyfishimin e menjëhershëm të fondit për pensionet, nga 300-350 milionë euro në të paktën 700 milionë euro.

Berisha paraqiti edhe propozimet e Partisë Demokratike për rritjen e të ardhurave të qytetarëve. Sipas tij, pagat e ulëta duhet të rriten me 50 për qind, pagat e mesme me 30 për qind, ndërsa pagat e larta të mos kenë rritje. Ai kërkoi gjithashtu vendosjen e një minimumi jetik, në mënyrë që asnjë pension të mos jetë nën 200 euro, duke përfshirë edhe pensionet e pjesshme, ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë.

Lideri opozitar argumentoi se këto masa mund të financohen përmes përgjysmimit të shpenzimeve operative të administratës dhe shkurtimit të fondeve për tenderat dhe prokurimet publike. Ai akuzoi qeverinë se një pjesë e madhe e parave të investimeve përfundojnë të shpërdoruara përmes korrupsionit, duke përmendur si shembull tunelin e Llogarasë, kostoja e të cilit, u rrit ndjeshëm krahasuar me ofertën fillestare.

Berisha e cilësoi buxhetin cinik dhe të pashpirt ndaj qytetarëve, duke u bërë thirrje shqiptarëve që të mbështesin protestën e 28 Nëntorit në Tiranë dhe kundërshtimin e këtij buxheti.

Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me gazetarët, Berisha foli edhe për bashkëpunimin opozitar në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Ai deklaroi se PD po punon për krijimin e një koalicioni të gjerë me të gjitha forcat politike, grupet e interesit dhe faktorët që e konsiderojnë qeverisjen e Edi Ramës si të keqen më të madhe të vendit, duke theksuar se bashkëpunimi mund të realizohet duke ruajtur identitetin e secilit subjekt politik.

I pyetur për reformën zgjedhore, Berisha tha se kërkesat e paraqitura nuk janë vetëm të PD-së, por të gjithë spektrit opozitar, ndërsa për protestën e 28 Nëntorit konfirmoi mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike.

Ai u bëri thirrje demokratëve dhe mbështetësve të opozitës nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe diaspora që të bashkohen në protestën e 28 Nëntorit në Tiranë.

Te tjera

Lajme te tjera