Nga Ariel Sabar
Në ditën e tetë të protestave të dhunshme në Tiranë, ndoqa një kolonë prej rreth 3.000 njerëzish që marshonin nëpër kryeqytetin shqiptar. Prej muajsh, shqiptarët kishin organizuar protesta kundër qeverisë, po aq paqësore sa zogu rozë nga i cili lëvizja kishte marrë emrin: Revolucioni i Flamingove. Por kohët e fundit, protestat kishin hyrë në një fazë të re, më të tensionuar dhe të paparashikueshme. Disa kishin filluar ta quanin Revolucioni i Shqiponjave, sipas zogut më luftarak që shfaqet në flamurin kombëtar.
Ishte ora 13:00 e një të marte në tetor dhe demonstruesit kishin mbushur bulevardet e qendrës së qytetit. Kaluam pranë stacioneve të shkatërruara të autobusëve, vitrinave të thyera të dyqaneve dhe ndërtesave qeveritare të nxira nga zjarri.
“Poshtë patronazhistët!”, bërtisnin njerëzit, duke iu referuar rrjeteve të rrënjosura të patronazhit politik, që shpërblejnë besnikërinë ndaj partisë në vend të meritës, pothuajse në çdo fushë të jetës. Kur një grup tjetër nisi të thërriste një slogan të Luftës së Dytë Botërore, “Shqipëria shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, bashkëpunëtori im vendas më tha: “Kjo është për ty”. Ai e kishte fjalën për amerikanët. Shkëndija e parë e protestave, në maj, kishte qenë plani i Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, për të ndërtuar një resort superluksoz në një zonë natyrore të mbrojtur dhe delikate në jug të vendit, ku grumbullohen flamingot.
Marshuesit ndaluan përpara Ministrisë së Arsimit. U zhvendosa drejt pjesës së përparme të turmës, ku ndodheshin protestuesit më agresivë. Disa i quanin “skuadra e zjarrit”: të rinj shtatlartë e të hollë, me maska dhe syze skish me xhama pasqyrë. Disa prej tyre shkulën pllaka guri nga trotuari, i përplasën pas bordurës për t’i copëtuar dhe më pas i hodhën drejt dritareve të ministrisë, me duar dhe me llastiqe.
Oficerët e Policisë së Shtetit, të mbështetur mbi mburojat kundër trazirave, vëzhguan pa reaguar për rreth 15 minuta. Më pas, një automjet i rëndë policor, i pajisur me topa uji në pjesën e sipërme, hyri në rrugë. Bashkëpunëtori im më shtyu përmes turmës, ndërsa currilat e fuqishme të ujit na godisnin në shpinë. Atë mbrëmje, pasi ra errësira, rrugët përpara zyrës së kryeministrit gjëmuan nga shpërthime të vogla. Policët me pajisje kundër trazirave lëviznin nëpër rrugë me armë për hedhjen e gazit lotsjellës. Protestuesit hodhën kokteje molotov, të cilat shpërthyen në flakë pranë këmbëve të policëve.
Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Evropës. Nga një popullsi prej 2,3 milionë banorësh, rreth 40.000 qytetarë largohen çdo vit. Lista e politikanëve të njohur që janë akuzuar së fundmi për korrupsion nga një prokurori e posaçme, e krijuar nën presionin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, përfshin një ish-kryeministër, një zëvendëskryeministër, një ish-president dhe kryebashkiakun e Tiranës, i cili vazhdon ta drejtojë qytetin nga qelia e burgut. Një biznesmen nga Majami, i cili i shiti Kushnerit dhe partnerëve të tij tokën për resortin, po hetohet nga prokurorët shqiptarë për falsifikim të dyshuar të dokumenteve të pronësisë dhe pastrim parash për banda të trafikut të drogës. (Të gjithë deklarojnë se janë të pafajshëm. Kushner nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.)
Doja të bisedoja me studentët universitarë që ndodheshin në ballë të këtyre protestave të reja, të rinj aq të zemëruar me korrupsionin qeveritar, sa kishin kaluar muaj të tërë në rrugë. Pothuajse asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur në vendin tonë, megjithëse afro 90 për qind e amerikanëve, niveli më i lartë në 20 vjet sipas Gallup, e konsiderojnë korrupsionin një fenomen të përhapur. Në një sondazh të CNBC-së në tetor, votuesit e renditën korrupsionin si shqetësimin e tyre kryesor, përpara kostos së ushqimeve. Por për shumë amerikanë, kjo çështje duket e largët: një problem që i shqetëson në nivel intelektual, por që nuk prek jetën e tyre në mënyrën e drejtpërdrejtë dhe personale siç prek jetën e shqiptarëve.
Kryeministri Edi Rama dhe Partia e tij Socialiste e qendrës së majtë kanë qenë në pushtet për 13 vjet. Drejtuesit e partisë, më thanë protestuesit, ndikojnë se kush merr vende pune, kontrata dhe shërbime shtetërore. Korrupsioni është i përhapur. Në një sondazh të vitit 2025, gati 10 për qind e studentëve të universiteteve publike pranuan se kishin ofruar ryshfet për të marrë nota më të mira.
Megi Ibrahimin, një studente 20-vjeçare në Universitetin Politeknik të Tiranës, e takova në fund të tetorit, pak pasi mbërrita në kryeqytet. Ajo më tregoi se në maj kishte qenë duke studiuar me shoqet në një kafene, kur kishte parë një video që po përhapej me shpejtësi në rrjetet sociale në mbarë Shqipërinë. Rreth një brezi idilik plazhi, mes detit Adriatik dhe një lagune, ishte ngritur një gardh me tela me gjemba. Zona gëzonte mbrojtje ligjore si peizazh natyror që prej vitit 2004. Breshkat detare të llojit Caretta caretta vendosin vezët në dunat e rërës. Fokat mesdhetare, ndër gjitarët më të rrallë në botë, gjuajnë në ujërat e saj.
Por në shkurt të vitit 2024, Parlamenti i Shqipërisë, nën kontrollin e Ramës, miratoi një ligj që lejonte ndërtimin e resorteve me pesë ose më shumë yje në zona të mbrojtura natyrore. Tri javë më vonë, Kushner publikoi në Instagram pamje të projektit të tij: një resort me sipërfaqe 657 akra, me klub jahtesh, kazino dhe banesa buzë detit, të cilat një dokument i rrjedhur i projektit i quan “Vilat e Miliarderëve”. (Paga mesatare vjetore në Shqipëri është rreth 14.000 dollarë.) Më vonë, po atë vit, një komitet qeveritar i drejtuar nga Rama u dha Kushnerit dhe partnerëve të tij statusin e “investitorit strategjik” për ndërtimin e një resorti tjetër në një ishull aty pranë. Ky status u mundësonte procedura të përshpejtuara për marrjen e lejeve dhe përfitime të mbështetura nga shteti, përfshirë pastrimin e territorit nga municionet e pashpërthyera. (Ishulli kishte qenë dikur një bazë sovjetike nëndetësesh.)
Në videon që Ibrahimi pa në telefonin e saj, një protestues në zonën e lagunës ku planifikohej projekti i Kushnerit, një peshkatar me lidhje të trashëguara brez pas brezi me atë tokë, rrihej dhe më pas tërhiqej zvarrë nga rojet private të sigurisë së kompanive zhvilluese. Burri më vonë pretendoi se rojet i kishin drejtuar armët në kokë. Oficerët e Policisë së Shtetit qëndruan pa bërë asgjë, derisa protestuesit, të indinjuar nga rrëmbimi, ishin në prag të shpërthimit të një revolte.
Për Ibrahimin dhe për shumë shqiptarë të tjerë me të cilët bisedova, kjo ngjarje ishte një metaforë e ndjenjës së tyre të pafuqisë. Udhëheqësit e vendit u japin favore të shumta investitorëve të huaj, oligarkëve dhe njerëzve të partisë, ndërsa të gjithë të tjerët përpiqen të mbijetojnë. Ibrahimi, vajza e një mësueseje dhe e një ish-punonjësi bashkiak në pension, kishte përfunduar gjimnazin e dyta në klasën e saj, në qytetin e vogël të Përmetit, në brendësi të vendit. Ajo mund t’u bashkohej lehtësisht emigrantëve që kërkojnë shkolla dhe vende pune më të mira jashtë vendit. Por dëshiron të qëndrojë.
“Jam shqiptare dhe dua të jetoj në vendin tim”, tha ajo.
Megjithatë, videoja që pa atë ditë në kafene e kishte tronditur thellë.
“M’u duk sikur dinjitetin tonë po e tërhiqnin zvarrë nëpër duna.”
Ajo nuk ishte e vetme. Protestat në zonën e resortit u përhapën brenda natës në kryeqytet, dy orë me makinë drejt veriut. Demonstruesit mbanin pankarta ku shkruhej “Shqipëria nuk është në shitje” dhe organizuan protesta të përditshme gjatë gjithë verës. Në kulmin e tyre, në mes të qershorit, turmat arritën, sipas vlerësimeve, në rreth 100.000 njerëz.
Ibrahimi kaloi pjesën më të madhe të verës mes tyre. Ajo krijoi miqësi dhe video për Instagramin. Bashkëpunoi me studentë të tjerë për të realizuar instalacione krijuese, me shpresën se do të mobilizonin bashkëqytetarët. Mes tyre ishte edhe një tryezë pokeri, rreth së cilës studentët uleshin me maska që paraqisnin fytyrat e politikanëve shqiptarë, duke vënë baste me çipa që përfaqësonin zonat e mbrojtura natyrore të vendit.
Zemërimi ndaj projektit të Kushnerit u shndërrua në një valë më të gjerë pakënaqësish kundër qeverisë, që përfshinin korrupsionin, kushtet në shkolla dhe koston e jetesës. Ibrahimi ndihej e frymëzuar nga mundësia e ndryshimit. Me kaq shumë njerëz në protesta, nëna që shtynin karrocat e fëmijëve, fëmijë që bënin piktura, pensionistë që ndanin kujtimet e së kaluarës represive të vendit, ajo besonte se Rama do të pranonte të paktën disa nga kërkesat e tyre.
Protestat po merrnin formën e lëvizjes më të rëndësishme qytetare në Shqipëri që nga koha kur studentët prodemokracisë rrëzuan statujën e diktatorit të ndjerë Enver Hoxha dhe, bashkë me të, pothuajse pesë dekada komunizëm, në vitin 1991.
Por Rama nuk ka lëshuar pe. Një ish-basketbollist profesionist karizmatik dhe piktor i talentuar, ai është zgjedhur për katër mandate radhazi dhe e ka promovuar me zell Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar të tërheqë turistë dhe investitorë privatë. Ai e ka vendosur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si përparësinë më të lartë të qeverisë së tij.
“Nuk ka absolutisht asnjë mundësi që investimi të ndalet për sa kohë jam unë këtu”, i tha ai Reuters-it në fillim të qershorit.
Me përfundimin e verës dhe shkurtimin e ditëve, njerëzit me fëmijë dhe angazhime profesionale filluan të merrnin pjesë më rrallë në protesta. Ibrahimi dhe miqtë e saj nisën të besonin se përgjegjësia për ndryshimin në Shqipëri i takonte brezit të tyre.
Gjyshërit e saj kishin përjetuar vitet më të vështira të komunizmit, kur kundërshtimi i regjimit mund t’i çonte njerëzit në burg ose drejt vdekjes. Prindërit shqetësohen për atë që mund t’i ndodhë në protesta, ku studentë janë gjymtuar, mbajtur nën mbikëqyrje dhe arrestuar.
“Mami më lutet çdo ditë të rri në shtëpi, të mos dal jashtë. Por ne kemi ende ëndrra dhe kohë për të luftuar për ëndrrat tona”, tha ajo,
Protestuesit e Revolucionit të Flamingove kishin fillimisht pesë kërkesa, përfshirë kufizimin e numrit të mandateve të kryeministrit dhe shfuqizimin e ligjeve që favorizonin projektet e Kushnerit. Përballë qëndrimit të palëkundur të Ramës, aktivistët studentorë i reduktuan kërkesat në vetëm një: dorëheqjen e Ramës.
Ata caktuan 13 tetorin, një javë pas rifillimit të shkollës, si datën e nisjes së një vale të re demonstratash të udhëhequra nga studentët. U bënë thirrje protestuesve të mblidheshin në një vend të ri, përpara Ministrisë së Arsimit, në një orar kur përfundonin shumë prej mësimeve. Ibrahimi e shkroi datën me bojë spërkatëse nëpër Tiranë dhe e promovoi në një emision televiziv lokal.
“Ne do të largohemi nga sheshi publik”, i tha ajo intervistuesit, “në momentin kur të përmbushet kërkesa kryesore e kësaj proteste, e cila ka qenë aty që nga dita e parë: largimi i kësaj kaste politike të vjetruar”.
Në fund të 13 tetorit, Tirana ishte zhytur në kaos. Protestues me maska hodhën gurë, fishekzjarrë dhe bomba me benzinë drejt ndërtesave qeveritare dhe policisë. Ata rrëzuan shtyllat e ndriçimit rrugor, duke bllokuar trafikun, dhe përdorën shtyllat e tabelave rrugore për të goditur dritaret dhe dyert. Në ditët që pasuan, u vunë zjarrin bankave, ministrive, një komisariati policie dhe Gjykatës së Lartë.
Ibrahimi kishte marrë me vete vezë dhe tullumbace të mbushura me bojë. Për njëfarë kohe, ajo qëndroi në vijën e parë, ballë për ballë me policinë, disa prej pjesëtarëve të së cilës qëlluan protestuesit me plumba gome. Por shpejt gjeti një rol që iu duk më i dobishëm. Vuri maskën kundër gazit dhe nisi të kërkonte protestues që kishin vështirësi në frymëmarrje. I nxirrte nga retë e gazit lotsjellës dhe u shpëlante sytë me solucion fiziologjik që e mbante në shishe brenda çantës së shpinës.
Gjatë bisedave të mia me analistë politikë shqiptarë, përfaqësues të partive të vogla dhe persona të tjerë, dëgjova shumë pak dënime të dhunës.
“Ishte e pashmangshme”, tha Arlind Qori, politolog dhe kryetar i Lëvizjes Bashkë, një parti me një mandat në Parlament, kur u takuam në zyrën e tij. Një ngjitëse mbi tryezën mes nesh paraqiste Ramën pas hekurave, me simbolet e dollarit dhe euros në sy.
“Protestat paqësore nuk e lëvizën fare”, tha ai.
Deri në fund të tetorit, sipas shifrave zyrtare, ishin plagosur 107 protestues dhe 201 punonjës të Policisë së Shtetit.
Protestuesit kanë kërkuar krijimin e një qeverie të re kalimtare, por Rama, të cilit i kanë mbetur pothuajse tre vjet nga mandati, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Rama më tha se “i gjithë zemërimi kundër projektit ka qenë një budallallëk i madh”, i nxitur, sipas tij, nga armiqësia e gazetarëve ndaj Kushnerit dhe presidentit Trump.
“Po, korrupsioni ka qenë një problem i madh për Shqipërinë dhe do të ishte gënjeshtër të thoshim se ata”, protestuesit, “nuk kanë të drejtë në atë që thonë”.
Por prokurorët e pavarur po e luftonin korrupsionin, “përfshirë edhe brenda radhëve tona”, tha ai.
Ai fajësoi për dhunën e fundit antifan, krimin e organizuar dhe kundërshtarët e tij politikë.
“Opozita dëshiron që unë të largohem përmes presionit të rrugës, sepse nuk mund të më mundë në kutinë e votimit.”
Projektet e Kushnerit janë në shqyrtim dhe nuk kanë marrë miratimet përfundimtare. Në një deklaratë të fundit në faqen e tij të internetit, Kushner pranoi se banorët vendas kanë “pyetje dhe shqetësime të ligjshme”.
Ai shtoi: “Në fund të fundit, Shqipëria do të vendosë nëse projekti do të vazhdojë”.
Studentët e përshkruajnë lëvizjen e tyre si një lëvizje pa drejtues. Ata druhen se kushdo që do të zgjidhnin si përfaqësues mund të korruptohej nga partia në pushtet ose të kthehej në objekt sulmesh.
Vetëm 2,8 për qind e shqiptarëve të anketuar në vitin 2018 ishin dakord me pohimin se “shumicës së njerëzve mund t’u besohet”, përqindja e dytë më e ulët mes afro 90 vendeve në një sondazh ndërkombëtar dhe më e ulëta në Evropë.
Megjithatë, Ibrahimi dhe miqtë e saj i ndoqën nga afër zgjedhjet e fundit në Serbinë fqinje. Atje, një opozitë e udhëhequr nga studentët mundi udhëheqësin populist Aleksandar Vuçiç, i cili, ashtu si Rama, kishte dominuar institucionet e vendit për më shumë se një dekadë.
Po ashtu si Rama, Vuçiç kishte mbështetur një projekt luksoz të pasurive të paluajtshme në vendin e tij, me mbështetjen e Kushnerit. Kushner hoqi dorë nga projekti në vitin 2025, pasi prokurorët serbë ngritën akuza për korrupsion ndaj zyrtarëve në lidhje me të.
“Ka gjëra që mund t’i mësojmë prej tyre”, tha Ibrahimi për lëvizjen studentore në Serbi.
Një orë pas intervistës sonë të parë, e gjeta përsëri, jashtë Ministrisë së Arsimit. Protestuesit u kishin vënë zjarrin disa kazanëve të mbeturinave, por turma ishte e vogël dhe njerëzit dukeshin të lodhur. Ibrahimi lëvizte nga një grup miqsh te tjetri, ndërsa disa prej tyre pyesnin veten nëse kishte ardhur koha për një tjetër ndryshim strategjie.
Ndërsa tymi përhapej në dritën e pasdites, mbërriti një grua e moshuar, duke shtyrë një karrocë pazari prej teli. Ajo nxori nga një qese plastike disa xhaketa dimri të zbehura nga përdorimi dhe i ngriti një nga një për të parë se cilit prej të rinjve mund t’i bënin.
U tregoi miqve të Ibrahimit se xhaketat u kishin përkitur fëmijëve të saj, të cilët tani jetonin jashtë vendit.
Moti po ftohej.
Fëmijët e saj, tha ajo, do të kishin dashur që ky brez i ri t’i vishte ato. “The Atlantic“
