E enjte, 19 Nëntor, 2026

Berisha: Rama ia mbathi me bisht ndër shalë se e di që kjo është hera e fundit që paraqet buxhet në këtë sallë. Ju keni vjedhur rreth 50 miliardë euro nga buxhetet, Rama ka shkatërruar procesin e prokurimeve me modelin KAYO

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi projektbuxhetin e vitit 2027 si dëshmi të vjedhjes së pasurisë publike dhe akuzoi qeverinë e Edi Ramës për ndërtimin e një narkoshteti, korrupsion masiv dhe shkatërrimin e ekonomisë shqiptare. Gjatë fjalës së tij në Parlament, Berisha u ndal te largimi i kryeministrit nga salla, duke deklaruar se Rama nuk qëndroi për të dëgjuar akuzat e opozitës. ‘Siç e patë vetë, ia mbathi. Ia mbathi me bisht ndër shalë. Ia mbathi sepse e di që kjo është hera e fundit që paraqet buxhet në këtë sallë’, u shpreh kreu i PD-së.

Lideri i opozitës, Sali Berisha akuzoi kryeministrin se ka ndërtuar atë që e quajti ‘narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë’, duke deklaruar se kartelet e drogës kanë ndikuar në vendimmarrjen politike dhe se paratë e trafikut janë përdorur për të korruptuar zyrtarë të lartë. Sipas tij, zhvlerësimi i euros dhe dollarit, rënia e eksporteve dhe tkurrja e prodhimit kanë sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe qytetarët. Berisha deklaroi se eksportet kanë rënë me 29% gjatë viteve 2022-2025, ndërsa kursimet e shqiptarëve në euro dhe dollarë janë zhvlerësuar me rreth 250 miliardë lekë. Ai kundërshtoi edhe pretendimin për rritjen e të ardhurave për frymë, duke thënë se kjo nuk lidhet me shtimin e prodhimit, por me largimin e popullsisë. ‘Rriten me 1000 dollarë të ardhurat në letër, varfëria shtohet në qiell’, deklaroi Berisha.

Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi qeverinë për abuzime me fondet publike, duke përmendur inceneratorët, tenderat e AKSHI-t, tunelin e Llogarasë, aeroportin e Vlorës dhe projektin e Portit të Durrësit. Ai deklaroi se nga 67 miliardë euro të administruara në 14 vite, rreth 50 miliardë euro janë vjedhur. ‘Buxheti që në 14 vite të administruar, djersë, mund, kafshatë të shqiptarëve, 67 miliardë euro. Çfarë keni bërë? Keni vjedhur rreth 50 miliardë’, tha Berisha.

Duke kundërshtuar projektbuxhetin, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha paralajmëroi se ai do të sjellë varfërim të mëtejshëm dhe rritje të çmimeve. ‘Ky buxhet, shqiptarët i varfëron! Ky buxhet, shqiptarët i mashtron!’, u shpreh ai. Në përfundim, Berisha akuzoi qeverinë për keqmenaxhimin e fondeve të shëndetësisë dhe mungesën e ilaçeve për pacientët, si dhe për rritjen e kostos së jetesës, duke kërkuar përgjegjësi për atë që e cilësoi si grabitje të pasurisë së qytetarëve.

Te tjera

Lajme te tjera