E diel, 22 Nëntor, 2026

Votat për Sara Milën në këmbim të ndihmës ekonomike, ja si kallëzimi i drejtorit që rekrutoi votuesit në Gjocaj zbuloi skemën e manipulimit të zgjedhjeve

Share

Historia se si deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila përfundoi nën hetim dhe e pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për akuzën e shitblerjes së votave në zgjedhjet e 11 majit 2025 është sa groteske aq edhe domethënëse për të ilustruar fabulën se nëse nuk u bindesh urdhrave të të fortëve të gjen belaja. Qesharake është për faktin se i gjithë hetimi ka nisur pas një kallëzimi të mbështetësve të Sara Milas në ato zgjedhje, kallëzim që iu kthye në autogol, ndërsa alarmante për faktin se tregon se si funksiononte aparatura e shantazhit dhe presionit për të siguruar vota për të në qarkun e Elbasanit.  

SPAK citon në dosje emra fiktivë të përfshirë në listën e ndihmës sociale në njësinë administrative të Gjocajt në Bashkinë e Peqinit. Por si ranë prokurorët në gjurmët e kësaj liste? Sipas Vox News, për të mbledhur vota në njësinë administrative të Gjocajt, Sara Mila rekrutoi bashkëpunëtorin e saj, Bilal Hasën, në atë kohë drejtor i Burgut të Rrogozhinës, biznesmen dhe me origjinë nga fshati Kurtaj i kësaj njësie. Mes mjeteve që Bilal Hasa përdori për të rritur votat për Sara Milan ishte presioni ndaj punonjësve të njësisë për të fryrë listat e asistencës sociale për familjet në këmbim të votave.  

Presioni ra mbi një nëpunës që kishte në dorë aplikimet e ndihmës ekonomike. Nëpunësi në fjalë refuzoi të shtone emra fiktivë në këto lista. Si hakmarrje, Bilal Hasa dyshohet se përmes një punonjësi te bizneset e tij i ka bërë kallëzim për shpërdorim detyre.  Skema e përdorur ka qenë aq e lexueshme, sa jo vetëm që prokuroria nuk mori parasysh kallëzimin e bërë, por ra në gjurmët e një manipulimi industrial të votave në këtë zonë, të udhëhequr nga Bilal Hasa për llogari të Sara Milas.  Por kjo nuk është hera e parë që emri i Bilal Hasës lidhet me procese gjyqësore. Në mars të këtij viti, në bodrumin e një magazine në emër të tij në fshatin Kurtaj u zbuluan mbi 4 mijë bimë narkotike, kultivimin e të cilave e mori përsipër vëllai i tij.

Dosja zbulon si u përjashtuan 55 familjet pas sigurimit të mandatit

Sipas një dosjeje hetimore të Prokurorisë së Elbasanit, dhjetëra familje dyshohet se janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike me qëllim që të votonin për kandidaten e atëhershme, Sara Mila. Por një tjetër fakt që ka dalë gjatë hetimeve lidhet me periudhën pas zgjedhjeve. Nga 60 familje të verifikuara nga prokuroria, 55 prej tyre rezultojnë të jenë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike në muajt maj-qershor 2026.  Sipas materialeve hetimore, të cilat janë bërë pjesë e dosjes, dyshohet se punonjës të Shërbimit Social në Elbasan kanë rritur në mënyrë fiktive numrin e familjeve përfituese gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Nga hetimet rezulton se aplikimet për disa qytetarë janë kryer nga vetë punonjësit e institucionit. Madje, një pjesë e personave që figuronin si përfitues të ndihmës ekonomike dyshohet se ndodheshin jashtë Shqipërisë dhe jetonin në emigracion. Në dëshmitë e dhëna përpara prokurorëve, punonjës të Shërbimit Social kanë deklaruar se në mars të vitit 2025, pas nisjes së fushatës zgjedhore, drejtuesja e institucionit u kishte kërkuar të rrisnin numrin e familjeve që përfitonin ndihmë ekonomike.

Një pjesë e rëndësishme e provave të administruara në dosje janë komunikimet mes punonjësve të Shërbimit Social dhe drejtuesve të institucionit. Në këto komunikime, sipas hetimit, përmendet edhe deputetja Sara Mila. Prokuroria e Elbasanit ka hetuar dyshimet për përdorimin e ndihmës ekonomike në funksion të fushatës zgjedhore dhe më pas ia ka përcjellë materialet SPAK-ut, për të hetuar rolin e mundshëm të deputetes. Në dosje evidentohet edhe fakti se shumica e familjeve të përfshira në verifikim kanë humbur përfitimin nga skema pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Nga verifikimet dhe përfitimet e shtetasve të listuar në vendimin e sekuestrimit të datës 29.05.2026 për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 01.10.2024-01.04.2025, ka rezultuar se rreth 55 familje nga 60 që ishte kampioni i hetimit janë përjashtuar nga skema e Ndihmës Ekonomike në muajt maj-qershor 2026”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Elbasanit. Sipas të njëjtit dokument, përjashtimet nga skema kanë ndodhur në një periudhë kur prokuroria kishte nisur hetimet dhe kishte filluar të thërriste për deklarime personat me funksione shtetëror. BURIMI: GAZETA SOT

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera