E enjte, 22 Tetor, 2026

Berisha: Parlamenti i ri do të miratojë një hartë për të rikthyer qeverisjen vendore te komunitetet dhe qytetarët. 100 bashkitë e premtuara do bëhen realitet, rikthimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të ripopullimit

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, ka deklaruar se rikthimi i bashkive dhe zgjerimi i njësive të qeverisjes vendore do të jenë ndër angazhimet e para të një qeverie të ardhshme të drejtuar nga PD. Ai u shpreh se parlamenti i ardhshëm do të miratojë një hartë të re territoriale, duke rikthyer qeverisjen vendore më pranë komuniteteve. ‘Një nga aktet më të para do të jetë miratimi i një harte të qeverisjes vendore nga parlamenti i ardhshëm për t’u rikthyer qeveritë vendore komuniteteve dhe qytetarëve dhe zonave të vendit’, deklaroi Berisha.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha garantoi se projekti i demokratëve për 100 bashki do të realizohet, duke lënë të hapur mundësinë për krijimin e njësive të tjera vendore. Sipas tij, reforma territoriale e miratuar nga mazhoranca socialiste largon shërbimet nga qytetarët dhe përshpejton shpopullimin e vendit. ‘I garantoj të gjithë qytetarët e këtyre bashkive, garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se ato do rikthehen plotësisht. Se 100 bashkitë e premtuara do bëhen realitet, dhe se një numër tjetër i konsiderueshëm bashkish dhe komunash do jenë realitet’, tha kreu i PD-së.

Gjatë bashkëbisedimit, lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi rikthimin e qeverisjes vendore si një nga shtyllat kryesore të politikave për ripopullimin e Shqipërisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se përmes ndryshimeve territoriale synon të dobësojë komunitetet dhe të largojë banorët nga zonat e tyre. Berisha sulmoi Edi Ramën për votimin në Kuvend për ndryshimet territoriale, duke deklaruar se asgjësimi i 15 bashkive është bërë në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe parimet e qeverisjes vendore. Ai tha se PD do të përdorë të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin, megjithëse shprehu skepticizëm për funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Kryetari i PD-së Sali Berisha foli edhe për programin ekonomik të Partisë Demokratike. Ai u shpreh se, vendosja e minimumit jetik 200 euro është një nga vendimet e para që qeverisja demokratike do të marrë, dhe rritja e pagave e pensioneve do të jenë prioritete, duke deklaruar se ndërhyrjet e para do të ndërmerren që në vitin e parë pas ardhjes së PD-së në pushtet. ‘Kam premtuar minimumin jetik 200 euro, i cili do vazhdojë të rritet në përputhje me rritjen e treguesit të çmimeve. Ai vit do jetë me fitoren e Partisë Demokratike, ju garantoj’, u shpreh ai.

Drejtuesi i demokratëve, Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përqendrimin e përfitimeve ekonomike te oligarkët dhe zyrtarët, ndërsa qytetarët, sipas tij, përballen me paga dhe pensione të ulëta dhe me çmime të larta. Ai u shpreh se, do të merren masa për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe mbështetjes sociale, si dhe një klimë më të favorshme për biznesin.

Ai kritikoi edhe ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, për të cilat pretendoi se kufizojnë hetimet e korrupsionit dhe zhvlerësojnë prova të rëndësishme. Ai akuzoi qeverinë për përpjekje për të dobësuar institucionet e drejtësisë dhe për të kufizuar raportimin mediatik.

Kryetari i Partisë Demokratike, u shpreh gjatë bashkëbisedimit se, PD do të vijojë betejën politike kundër qeverisë Rama, duke e paraqitur ripërtëritjen e vendit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e mirëqenies si shtyllat kryesore të programit të saj.

Te tjera

Lajme te tjera