E enjte, 1 Tetor, 2026

Veliaj kundër “Territoriales”, letër Kuvendit: Mos e votoni, s’është konsultuar! Për bashkimin e Rinasit me Bashkinë e Tiranës të bëhet vlerësim i plotë

Share

Erion Veliaj nuk u lejua nga SPAK të dëgjohej as para komisionit të posaçëm për reformën territoriale dhe as para Këshillit Bashkiak, mbi ndryshimet që do të pësojë harta e re e vendit, por përmes një letre të firmosur dhe dorëzuar këtë të enjte Kuvendit, ai kërkon të pezullohet votimi i ndarjes së re administrative me 46 bashki.

Argumentet e kryebashkiakut, janë disa, duke nisur, siç thotë ai, nga fakti që nuk pati një konsultim real.

“Nuk mund të them sot, në emër të qytetarëve të Tiranës, se ata janë pro apo kundër hartës së propozuar. Pikërisht këtë duhet të përcaktojë procedura kushtetuese, përmes një konsultimi që nuk zhvillohet për të konfirmuar formalisht një zgjidhje të gatshme, por për t’i dhënë popullsisë së prekur mundësinë reale që të ndikojë në të. Kryetari mund të japë mendimin e tij, Këshilli Bashkiak mund të japë të vetin, propozuesit mund të argumentojnë reformën dhe Kuvendi ushtron kompetencën ligjvënëse; por asnjëri prej këtyre institucioneve nuk mund ta zëvendësojë mendimin që Kushtetuta ia rezervon vetë popullsisë së prekur”, shkruan Veliaj në letër. 

Projektligji i propozuar nga socialistët thotë Veliaj ka paqartësi të dukshme, kur vjen fjala te konceptet e reja që futen:

“Nëse “qyteti” bëhet njësi referimi për përbërjen e organit përfaqësues të bashkisë, atëherë ndërhyhet drejtpërdrejt në mënyrën se si përkthehet vota e qytetarëve në përfaqësim politik. Çfarë është “qyteti” për qëllime zgjedhore? A krijohen zona territoriale përfaqësimi brenda bashkisë? Si ruhet barazia e votës ndërmjet qytetarëve që banojnë në qytete të ndryshme? Si përfaqësohen banorët e fshatrave dhe njësive administrative? Dhe mbi të gjitha, a mund të përcaktohet sot parimi i përfaqësimit, ndërkohë që mekanizmi juridik dhe zgjedhor për realizimin e tij lihet për një ndërhyrje të ardhshme legjislative?”, vijon letra. 

Një argument i rëndësishëm sipas kryebashkiakut lidhet me thelbin e kompetencave të qeverisjes vendore. Ndaj sipas tij puna për hartën e re duhet të bëhet paralelisht me ndryshimet në ligjin për vetëqeverisjen vendore.

“Nuk mund të vendosim sot kufijtë dhe nesër të vendosim se si do të qeveriset territori që krijuam sot. Është funksioni publik, demokracia vendore dhe interesi i komunitetit që duhet të përcaktojnë territorin optimal dhe jo territori i paracaktuar ai që më pas i imponon ligjvënësit funksionet, institucionet dhe përfaqësimin”, thekson ai. 

Një analizë e hollësishme nuk është bërë as për vetë ndryshimin e kufijve, thotë Veliaj. Në rastin e Tiranës, të cilës i shtohet Rinasi, kryebashkiaku evidenton se nuk ka as një vlerësim financiar.

Në mungesë të kryebashkiakut Veliaj, 2 ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës, dha vetëm me miratimin e këshilltarëve të majtë pëlqimin mbi ndarjen e re territoriale. Harta e re që ul numrin e bashkive nga 61 në 46, është parashikuar të miratohet më 8 tetor në Kuvend.

Te tjera

Lajme te tjera