Juristi i njohur, Romeo Kara ka zbërthyer prapaskenat e bujshme politike dhe gjyqësore që rrethojnë lënien në burg të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një analize pa doreza, Kara sqaroi se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ishte thjesht një produkt i rrethanave ligjore, por pasojë e një presioni të fortë institucional e qytetar. Sipas tij, rikthimi i Veliajt në krye të Bashkisë do të nënkuptonte kthim të drejtpërdrejtë në “vendin e krimit”, ku ekzistonin prova të qarta për intimidation të dëshmitarëve dhe manipulim të procesit hetimor.
Teksa ishte duke folur në “Antena TV”, juristi u ndal gjithashtu te përdorimi i fletë-rrufeve dhe letrave anonime në emër të “Nesti Angonit”, duke e cilësuar këtë skemë si një farsë të ndyrë që u përdor si pretekst formal nga organet e drejtësisë për të ndezur motorët e hetimit. Më tej, Kara analizoi përplasjen e brendshme në mazhorancë, ku distancimi politik ndaj Veliajt kishte nisur prej kohësh.
Duke iu referuar raporteve të pushtetit dhe mitologjisë së lashtë për përplasjen e liderëve me pasardhësit e tyre, ai theksoi se liderët autoritarë nuk lejojnë sekondarë të fuqishëm që mund t’u rrezikojnë fronin. Në këtë sipërmarrje të egër politike, Veliaj mbeti i vetmuar, pasi infrastruktura e pushtetit preferoi ta sakrifikojë figurën e tij në vend që të përballej me koston e përplasjes me drejtësinë e re.
-Avokat Kara, si e patë vendimin e Gjykatës së Lartë për të lënë në burg Erion Veliajn?
Unë kam menduar që lirimi i tij mund të bëhej për arsye të presionit politik, por në të vërtetë më duket se këtë radhë presioni politik për moslirimin e tij ishte më i madh dhe ishte më konkret. Pasi me sa duket kemi një realitet, kemi një protestë e cila të paktën ka një fitore: ka goditur establishmentin dhe termat e tij gjithëpërfshirës politikë, dhe ka lënë të kuptohet që atje në protestë ka njerëz… pra është e sigurt që ka njerëz që janë të papërfaqësuar, që mund të jenë baza mbase më aktive e një opozite reale ndaj këtij establishmenti.
Dhe ata ishin të pranishëm përpara gjykatës, duke lënë të kuptohet që: “Ne nuk jemi qytetarë indiferentë lidhur me aksionet që ka pushteti gjyqësor, nuk ushtrojmë presion, por ne po shprehim mendimin tonë apo po japim përkrahjen tonë që ju të vazhdoni dhe të mos toleroni karshi korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar”. Unë e kam parë që, nëse do të isha gjyqtar, do të shihja mirë provat dhe faktet, arsyetimin pse është dhënë kjo masë.
Të gjithë menduan që, mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të parë mirë proporcionalitetin — që të mos jepen masa të rënduara, por të jepen të argumentuara masat e sigurimit — të gjithë menduan që kjo po bëhej për Erion Veliajn. Në fakt, nuk është se ka ndryshuar diçka në ligjshmëri, vazhdojnë po ato parashikime ligjore: pra do të kemi masë sigurimi nëse personi tenton të largohet, tenton të bëjë një vepër tjetër penale (këto janë tri argumentet kryesore), dhe tjetra, të prishë integritetin e procesit apo të helmojë provat e tjera.
Në vendimet që janë dhënë, është theksuar sidomos në fund të vendimit se ka tentuar të helmojë provat dhe të prishë procesin. Pra, Erion Veliaj mund t’i prishte… Po, ka tentuar, nuk është se unë kam dyshim. Të gjithë këta që kanë pushtet tentojnë ta prishin kur gjejnë hapësirë. Por tjetra, askush nuk shkon tek debati kur në Komisionin e Venecias apo te shoqatat e mëdha evropiane që merren me pushtetin vendor e të tjerë, thanë se si helmohen provat kur ti hetohesh në lidhje me një korrupsion apo shpërdorim në lidhje me postin e punës që ke.
Dhe ti, duke shkuar në një post kaq të madh… ai është, si me thënë, kryeministri de facto i Tiranës. Duke shkuar në zyrë, pikërisht në vendin e krimit tënd — sepse ai është vendi i krimit, Bashkia e Tiranës është vendi i krimit për Erion Veliajn në kontekstin e asaj çfarë ka shërbyer. Si e përfytyron realitetin: “5D”-ja dhe çdo lidhje tjetër, të gjitha firmat, të gjitha lidhjet të çojnë tek ajo zyrë! Ti duke qenë në atë zyrë ke mundësi, por jo vetëm ke mundësi, por është treguar se është intimiduar dikush për telefonin, është udhëzuar nga një ish-deputete se si të veprojë e të tjerë; ka prova që janë intimiduar.
Domethënë, duke qenë prova të tilla, atëherë çdo gjykatë… nuk hynte dot më Gjykata e Lartë në analizën e fakteve dhe provave se si është argumentuar ajo. Këta do të shihnin: a është paraqitur siç duhet, a është mbështetur mirë në nenin 228 që janë këto masat e sigurimit që jepen? Dhe vazhdon pastaj, nuk mund të hedhin poshtë ata të gjithë punën hetimore nëse aty është argumentuar se provohet saktë që preket integriteti i procesit, mund të largohet e të tjerë.
Dikur është vepruar duke menduar se, meqë ka përpara një dënim të rëndë, mund të ikte. Këtu e lidhnin. Por kur ka veprime aktive për prishjen e provave dhe janë të gjitha dyshimet e arsyeshme që mund të prishen provat, atëherë Gjykata e Lartë nuk ka si të veprojë ndryshe. Pra, unë në këtë rast mendoj që Gjykata e Lartë ka vepruar në bazë të ligjshmërisë. Nuk mendoj që ka vepruar thjesht politikisht se i ka thënë Rama apo dikush tjetër.
Ndikimet politike absolutisht ekzistojnë, nuk po i mohoj, nuk jetojmë në ëndërr. Por në këtë rast, qëndrimin e saj unë nga këndvështrimi im e shoh të përligjur. Kështu që pastaj, nëse do ta analizojmë politikisht, do të ndodhin gjëra shumë të mëdha, që nga një armiqësi e dukshme midis të njëjtit lloj (bile mund të jetë nga më të egrat), për të kaluar pastaj në aleanca…
-Reagimet e Ramës si i ke parë? Apo janë thjesht reagimet e një njeriut që do të justifikohet para opinionit publik, apo reagimet e një Ponc Pilati që lan duart?
Çfarë duhet të kemi parasysh: Erion Veliaj është arrestuar në shkurt të vitit 2025, tani bëhen dy vjet. Kishte një mënjanim të tij nga partia që përgatiste fushatën që nga qershori i vitit 2024.
-Është e vërtetë kjo…
A ka dashur të largohet apo jo? Përfitimet që ai ndjen… se e ndjen veten të manipuluar deri diku edhe të mashtruar që është kthyer, dhe pastaj është arrestuar pak më pas. Arrestimi i tij pastaj ka hapur të tjera letra, që Rama ka qenë i detyruar besoj edhe të përplasjet edhe me krahë të tjerë brenda PS-së, se s’mund të marrë hapur krahun e dikujt tjetër sepse ka fraksione atje.
-Po, fraksionet brenda PS-së…
Është e kuptueshme ajo. Unë nuk mund ta mohoj domethënë që e kuptoj se ka tejkaluar masën me Erion Veliajn në lidhje me raportin tim si qytetar, të paktën i arsimuar për ta kuptuar se çfarë kryetari bashkie kam, se për të tjerët ai mund të jetë demagog. Për mua është i vështirë. Realisht e kam shumë të vështirë, duke qenë se të paktën në moshën time, për njerëz që kanë një arsimim dhe logjikë mesatare, ai ishte i vështirë.
Jo më për brezin e tij e poshtë mbase, por jo për brezin e tij e lart. Është një film i parë dhe i përsëritur për t’u riparë për herë të dytë, pra demagogjia e tij është shumë e vështirë. Pastaj, në mënyrën se me çfarë kostosh ka qeverisur ai, ajo është kriminale. Po të marr vetëm cilësinë e ajrit… Tani, ne nuk realizojmë dot ëndrra të tjera, por edhe ajrin të na e çosh në shtëpi, të na kapë kanceri sepse të do qejfi ty aty?
Domethënë, këtë nuk e pranoj unë, se je ti një pizeveng! Nga ke ardhur? Nuk e di nga ka ardhur që t’i ka hipur vetja në qejf. Por që nga ajo që t’i ka hipur vetja në qejf, ti e ke kuptuar që kështu funksionon sistemi këtu. Dhe prandaj unë i përmend kanadezët, amerikanët, sherri e berri ç’janë, që ka qëndruar qendra Stefan. Kështu të mësuar ata, kështu e mësuan ata, kështu e ka kuptuar ai rrugën e Zotit që ata i servirën, se kishte marrë 1% të besimit.
-Kanë Zot këta, Romeo Kara?
Po, kanë Zot këta… Jo “kanë Zot këta”, se Zot kanë këta! Po ta tregoj unë një histori: Një dijetar i devotshëm mysliman i thotë dikujt: “Unë Zotin tuaj e kam nën këmbët e mia”. Dhe ata e morën e e vranë aty. Mbas 100 e ca vjetësh, gati 200 vjetësh, Sulltan Sulejmani, që ishte deri diku mistik besimtar, shkon në atë vend, bën pushtimet e tij dhe thotë: “Ku e tha ai atë thënie, ai dijetari që e vranë për besim, ku e tha?”
I thanë në filan vend. “Gërmoni aty”, tha, dhe aty poshtë gjetën flori! Ai e dinte çfarë kishte poshtë dhe i tha këtyre: “Unë Zotin tuaj e kam nën këmbët e mia”! Këta kanë Zot paranë, kanë Zot babëzinë e tyre, kanë Zot egoizmin e tyre, kanë Zot poshtërsinë e tyre! Dhe për ta kuptuar, ky është Zoti i politikanëve në Shqipëri!
-Edhe krahët e tjerë?
Po patjetër! Rama e shprehu më në fund se “unë nuk lë pasardhës”. Të gjitha këto i thamë herën e kaluar… jo, e kam thënë në emision tjetër: kështu ka qenë raporti i Uranusit me Kronosin, raporti i vrasjes së babait nga i biri, po ashtu edhe i Kronosit nga Zeusi. Kështu ka qenë pra, gjithmonë brezi ka tentuar të bëjë një kryengritje, dhe unë besoj në këtë raport edhe brenda partive të tyre.
Prandaj këta nuk lënë jo numër dysh pas vetes, por as 12, as 20. Pra ka një diferencë të madhe. Dhe pastaj vjen dikush tjetër… Por ajo që unë e theksoj është që nuk mund të tallen deri në këtë pikë… jo vetëm pse është njeri (domethënë prapë ngel njeri), por i kanë bërë një lojë shumë të neveritshme me Nesti Angonin dhe me Nasta Pllongun.
-E kanë këputur me lojë, thua?
Është një tallje e papërgëlltitshme! Unë në këtë pikë i qëndroj etikës sime qytetare dhe profesionale. Jo! Nëse këtu ka një kallëzim të rremë, kush do të përgjigjet? Këtë e kam thënë që në fillim, nuk e morën parasysh. Një vit prapa e kanë artikuluar kështu.
Ne duhet të dimë kush janë këta që u morën parasysh me letra anonime, por edhe me tallje, se dhanë një herë Nesti Anonimi, pastaj dhanë Nasta… Këtu është e vërteta. Kështu që ai besoi se e di, por bën gabim që e luan lojën. Kështu ai mendon se di ta luajë lojën; loja duhej të ishte hapur përdrejt: Nasta ka një emër, edhe Nesti ka një emër, dhe të bënte lojë të drejtpërdrejtë, e aty pastaj mund të përballej me radhë. /gazeta sot/
