Pedagogu i Universitetit CUNY në New York, Grid Rroji gjatë episodit të tij më të fundit në “Grid S Rroji Podcast”, ka lëshuar akuza të rënda ndaj klasës politike në Tiranë, duke paralajmëruar se Shqipëria po hyn në një udhëkryq kombëtar e në një vjeshtë jashtëzakonisht të nxehtë. Sipas Rrojit, vizita e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork shënoi një dështim të plotë diplomatik, për shkak të izolimit nga autoritetet ndërkombëtare. Duke analizuar prapaskenat e këtij udhëtimi, Rroji u shpreh me citime të drejtpërdrejta mbi mungesën e takimeve dypalëshe të shefit të qeverisë. “Vizita e Edi Ramës në OKB dështoi. Vizita dështoi për disa arsye. Arsyeja e parë e dështimit të kësaj vizite ishte bojkoti i plotë që i bënë të gjitha autoritetet ndërkombëtare, duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe çdo lloj funksionari apo shtetari tjetër… Kryeministri shqiptar nuk mori pjesë në asnjë nga këto takime. Ai e di që figura e tij tanimë është e konsumuar dhe problemi kryesor që ai ka është legjitimiteti brenda vendit. Pra, Edi Rama erdhi në Neë York për të gjetur legjitimitet tek shqiptarët dhe për t’u hedhur hi syve shqiptarëve”, tha ai ndër të tjera.
Pakti Rama-Berisha
Një nga pikat më shpërthyese të analizës së Rrojit lidhet me atë që ai e cilëson si një pakt të fshehtë e të padukshëm mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, pas një takimi të përfolur në aeroportin e Rinasit. “Nuk kishte suksese për të paraqitur, atëherë mori një fletë nga libri i Sali Berishës, të cilin meqë ra fjala e takoi në Rinas, sepse ishin të dy rastësisht në Rinas — njëri që shkonte në Bruksel dhe tjetri që kthehej nga Amerika. Se si ndodhi që ishin të dy rastësisht aty, le ta shpjegojnë gazetarët hetimorë e emisionet e darkës… Nuk ka shumë rëndësi nëse u takuan apo jo kokë më kokë, se kanë ndërmjetës të shumtë. Ju që mendoni që ata nuk takohen, jeni jo budallenj, por jeni dele! Sepse gjysma e moderatorëve të emisioneve të natës, gjysma e pronarëve të televizioneve dhe gjysma e oligarkëve janë ndërmjetës mes tyre. Oligarkëve nuk u prishet supa: fiton Saliu mirë e kanë, fiton Edi mirë e kanë, fiton Iliri mirë e kanë…”, u shpreh ai. Rroji vijoi me akuza të drejtpërdrejta për paktet me lejet e ndërtimit dhe kullat që mbyllin gojën e opozitës zyrtare. “Rama tha se këtë opozitë nuk e llogarit, aty ka të drejtë! Ua ka blerë gjakun të gjithëve atyre!
Nuk i llogarit ata, ata i ha për mëngjes! Ata i ha me një tender, me dy ose tre tendera pallatesh të mëdha që i ka dhënë djalit të Saliut! Ashtu i ha ata! Se kur ke ngrënë çorbën e atij, kur ta ka blerë gjakun, një ua ka blerë të gjithëve”. Duke u ndalur sërish më tej te deklaratat e kryeministrit pas kthimit dhe përplasja me institucionet e drejtësisë, Rroji theksoi se pushteti po i shpall luftë të hapur SPAK-ut për të mbrojtur drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni. “Kryeministri tregoi që ai mesazhi për spiunët serbë nuk ishte për Klodiana Lalën. Lala ishte vetëm mjeti për të shpërndarë një kërcënim nga ana e Vlora Hysenit drejtpërdrejt për kryeministrin. Dhe ai tha se drejtësia duhet të bëjë punën e vet, ama drejtësia ka nxjerrë sekretet dhe ne do të bëjmë diçka në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Pra, ai i shpalli luftë drejtësisë së pavarur, SPAK-ut! Këtë mbajeni vath në vesh.
Ai Vlora Hysenit i tregoi që: ‘Unë do të mbroj përkarshi SPAK-ut që t’i ka nxjerrë të gjitha palarat'”. Rroji ngriti pikëpyetje të mëdha edhe për mbërritjen e papritur të ambasadorit të ri të SHBA-së në Tiranë në ditë të shtunë, duke pyetur publikisht kryeministrin: “Zoti kryeministër, a keni ndonjë mendim se pse ambasadori amerikan erdhi një javë përpara se ç’ishte paralajmëruar dhe e mori mandatin e vet si me letra kredenciale ditën e shtunë, pothuajse si asnjëherë tjetër? A keni përgjigje ju për pyetjen se pse u duk qartë sikur ishte një tentativë për shmangien tuaj nga gjithë ky proces? Gazetarët që ishin aty më thonë që takimi kokë më kokë midis Presidentit dhe ambasadorit amerikan ka zgjatur shumë më tepër se një takim normal… Pse nuk ju takoi njeri këtu? Pse u morët me pula e me sorra dhe nuk u morët me punët e shtetit? Çfarë frike keni ju nga drejtësia?”.
Vjeshta e nxehtë
Grid Rroji dha alarmin për zhvillimet e kësaj vjeshte duke bërë thirrje për rezistencë popullore. “Kjo vjeshtë, të dashur miq, kjo duhet t’ju tingëllojë si e vërteta. Ne sot si popull jemi në një udhëkryq jashtëzakonisht shumë të rrezikshëm. Kryeministri e kupton që, bashkë me parinë e Tiranës, gjendja e tyre është jashtëzakonisht shumë e vështirë tani, sepse ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë dhe kanë shumë frikë nga zhvillimet e kësaj vjeshte”, tha ai ndër të tjera. /gazeta sot/
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
