Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama për përgjegjësi politike lidhur me masën e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke e cilësuar çështjen një ngjarje me pasoja të rënda për sigurinë kombëtare.
Në konferencën me gazetarët diten e sotme, Berisha deklaroi se Hyseni ka shkelur detyrën dhe se informacione të klasifikuara të shërbimit informativ janë vënë në dispozicion të personave të lidhur me krimin.
Kreu i PD-së riktheu edhe denoncimet e tij të mëparshme për ndikimin e Ergys Agasit mbi SHISH-in dhe marrëdhënien e tij me Hysenin. Berisha e drejtoi përgjegjësinë politike te kryeministri Rama, duke theksuar se vendimmarrja në institucionet e sigurisë është përdorur në funksion të grupeve kriminale. Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Ramës dhe deklaroi se përgjegjësit për veprimet e paligjshme duhet të përballen me drejtësinë.
Lideri demokrat kërkoi gjithashtu që autoritetet shqiptare të vijojnë hetimet dhe, nëse Hyseni ndodhet jashtë vendit, të ndërmerren procedurat për kthimin e saj përpara drejtësisë shqiptare.
I pyetur nga gazetarët nëse opozita do të thërrasë protesta, Berisha tha se PD do të rishqyrtojë tërësisht rrugën që do të ndjekë, duke paralajmëruar një strategji të re opozitare. “Asgjë nuk përjashtohet më”, deklaroi ai.
Berisha akuzoi me tone të ashpra edhe Presidentin Bajram Begaj, duke kundërshtuar thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe duke theksuar se institucionet shtetërore janë nën ndikimin e mazhorancës.
