Mund të rezultojë si një prej skandaleve më të rënda në çështjet e sigurisë kombëtare, një hetim i fundit i SPAK që më firmë të GJKKO ka nxjerrë një urdhër arresti për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Kreu i SHISH, institucioni kryesor që siguron dhe ruan informacionin sekret të Republikës, akuzohet nga SPAK për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Hyseni dyshohet se me informacione sekrete të shtetit ndihmoi në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në gusht si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në aferën e AKSHI-t. Në njoftim SPAK kujdeset ta veçojë se akuza i referohet paragrafit të dytë të nenit 302, që bën fjalë për dhënien e ndihmës krimit të organizuar.
Teksa agjentët e BKH u ndodhën në banesën e saj për të ekzekutuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” Vlora Hyseni ndodhej disa mijëra kilometra larg, në Baku të Azerbajxhanit. Në kryeqytetin azerbajxhanas përfaqësonte Shqipërinë në forumin ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit, me pjesëmarrjen e 100 shteteve, ndërkohë që në Tiranë përveç arrestit ndaj saj GJKKO kishte vendosur edhe “pezullimin nga detyra”.
Në atë që duket një hetim për ata që kanë ndihmuar arratinë e Ergys Agasit, si fraksion i dosjes së AKSHI, prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, ekzekutuan edhe dy masa të tjera sigurie, arrestimin e Fatjon Kalluçit, Shefi sektori në Policinë shkencore dhe Embro Sulejmanit.
Ky i fundit është kryekamerier në restorantin e ndodhur te vilat qeveritare në Durrës, i blerë dhe i administruar nga “Agroturizëm Kodra e Kuajve”. Ai akuzohet se për ndihmë të dhënë autorit të krimit, ndërsa dyshohet gjithashtu se ka fshirë kamerat e sigurisë në ambiente e restorantit, menjëherë pasi u arrestua Ergys Agasi. Arsyeja, ende e pakonfirmuar, dyshohet për të fshirë gjurmët e qëndrimit të Agasit shpesh në këtë ambient, i shumë frekuentuar nga politikanë dhe personazhe të njohur. Edhe për drejtuesin në Laboratorin Shkencor të Policisë, Kalluçi, rëndon akuza e nxjerrjes së të dhënave sekrete.
Përveç masave të sigurisë, në orar të njëkohshëm në mëngjes herët, agjentë të BKH dhe forca policie, u gjenden në disa ambiente për të cilat kishin siguruar urdhra kontrolli. Forca RENEA dhe ato Speciale u panë në Shkozet të Durrësit për disa orë. SPAK njoftoi se kontrollet janë ushtruar në kompleksin e vilave në këtë fshat, që njihet si baza e Visit të Pojës, një prej personazheve më të njohur të krimit në Durrës.
Në kontroll edhe banesa e ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda. Ish kryepolici njihet për marrëdhënien e ngushtë me ish drejtuesin në polici Uljan Shpatarakun, i cili u prangos si shofer i Ergys Agasit, në operacionin e një muaji më parë. Siç mëson Report Tv, prova të siguruara nga telefonat e Agasit dhe Shpatarakut i kanë shërbyer Prokurorisë së Posaçme për të zgjeruar hetimet dhe për të konkluduar në operacionin e sotëm. Ish kreu i bluve menjëherë pas kontrollit të banesës së tij u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurori të Posaçme, nga ku doli dukshëm i shqetësuar dhe duke pirë cigare.
Njoftimi i SPAK
SPAK ekzekuton masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:
- “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
