E mërkurë, 23 Shtator, 2026

“Kemi vendosur armë në hapësirë”, SHBA ‘kërcënon’ Rusinë dhe Kinën: Janë gati për përdorim!

Share

Qeveria e SHBA-së po hap një front tjetër në konfliktin me Kinën dhe Rusinë. Të hënën, Sekretari i Forcave Ajrore Troy Meink njoftoi në një konferencë, se Uashingtoni ka armë në hapësirë të cilat mund të përdoren për çdo rast.

“Ju siguroj se jemi të përgatitur të adresojmë kërcënimet në zhvillim, kudo që të jenë ato. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara tashmë kanë armë kontrolli hapësinor në orbitë që mund të mbrojnë forcat tona të përbashkëta nga veprimet armiqësore”, tha ai.

Meink nuk dha hollësira. Ai nuk sqaroi se çfarë janë këto armë, kur apo si u vendosën. Megjithatë, fjalët e tij patën një ndikim të fortë politik: për herë të parë në histori, SHBA-të pranuan se kishin “armë hapësinore “, të drejtuara në mënyrë të qartë kundër Kinës dhe Rusisë.

“Kina po zhvillon aftësi hapësinore si një pjesë integrale të strategjisë së saj të modernizimit ushtarak (…) ndërsa Rusia beson se supremacia hapësinore do të jetë një faktor vendimtar në konfliktet e ardhshme”, thuhet në faqen e internetit të Forcës Hapësinore të SHBA-së.

Nga ana tjetër, reagimi i Pekinit ishte i prerë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun i bëri thirrje SHBA-së që të ndalojë përgatitjen për luftën hapësinore.

“Ne u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë zgjerimin e kapaciteteve të tyre ushtarake dhe përgatitjen për luftë në hapësirë”, thuhet në reagimin e Kinës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ishte pak a shumë në të njëjtën linjë, ai tha se është në mbështetje të një koalicioni që promovon demilitarizimin e hapësirës.

Ne mbështetemi te një koalicion i gjerë ndërkombëtar për të promovuar demilitarizimin e plotë të hapësirës“, tha Peskov.

“Luftërat hapësinore” nuk janë një shpikje e Donald Trump apo edhe e Ronald Reagan, presidentit i cili në vitin 1983 nisi “Iniciativën Strategjike të Mbrojtjes”, një lloj mburoje për të mbrojtur Amerikën nga sulmi bërthamor. Në fakt, data kyçe është viti 1967, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi “Traktatin e Hapësirës së Jashtme”. Dokumenti i ndalon të gjitha vendet të vendosin raketa me koka bërthamore në orbitë. Është një tekst që mishëron Luftën e Ftohtë midis SHBA-së dhe BRSS-së. Legjislacioni, megjithatë, nuk bën asnjë referencë për instrumentet ushtarake konvencionale. Në vitet më të fundit, me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë satelitore, të nxitur nga inteligjenca artificiale, amerikanët, dhe ndoshta edhe rusët dhe kinezët, kanë zhvilluar armë të tjera.

Në vitin 2018, Trump, gjatë mandatit të tij të parë, njoftoi krijimin e “Komandës Hapësinore”, e cila, një vit më vonë, u bë “Forca Hapësinore Amerikane”, duke zëvendësuar një organ të ngjashëm të krijuar në vitin 1982. Komanda Hapësinore filloi punën në një sërë projektesh që mbeten sekrete. Cilat? Sipas Bleddyn Bowen, profesor i astropolitikës në Universitetin Durham në Mbretërinë e Bashkuar, është e pamundur që amerikanët të kenë vendosur platforma të afta për të lëshuar raketa. Është e mundur, në vend të kësaj, që ato të jenë pajisje lufte elektronike, të afta për të çaktivizuar satelitët e armikut.

Te tjera

Lajme te tjera