E enjte, 30 Korrik, 2026

PD publikon variantin për ndarjen territoriale: Shqipëria të ndahet në 100 bashki dhe 6 rajone

Share

Teksa Partia Socialiste ka dërguar në Kuvend propozimin e saj për ndarjen e re administrativo-territoriale me 46 bashki, ku parashikohet shkrirja e 15 bashkive, Partia Demokratike ka publikuar disa orë më pas variantin e saj.

Në draftin e PD-së, Shqipëria propozohet të ndahet në 100 bashki dhe 6 rajone, duke sjellë një model dukshëm të ndryshëm nga ai i propozuar nga mazhoranca.

Dokumenti i përgatitur nga ekspertët e Partisë Demokratike u është shpërndarë deputetëve të PD-së nga bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Luciano Boçi.

Në mesazhin drejtuar deputetëve, Boçi shkruan: “Të nderuar deputetë, me miratimin e Kryetarit të PD dhe të Kryetarit të grupit ju përcjell listën e bashkive (100) të paraqitur në raport nga ekspertët tanë. Secili mund të bëjë më pas prononcimin e vet. Falenderime!”

Sipas variantit të PD-së, 100 bashkitë do të organizohen në 6 rajone:

Rajoni 1 – Shkodër-Lezhë: 16 bashki
Rajoni 2 – Dibër-Kukës: 13 bashki
Rajoni 3 – Tiranë-Durrës: 15 bashki
Rajoni 4 – Elbasan-Korçë: 19 bashki
Rajoni 5 – Fier-Berat: 19 bashki
Rajoni 6 – Vlorë-Gjirokastër: 18 bashki.


Varianti i PD-së rikthen në hartën administrative një numër bashkish që nuk ekzistojnë në ndarjen aktuale territoriale, ndërsa në disa qarqe parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të bashkive.

Në qarkun Shkodër, për shembull, propozohen 8 bashki, nga 5 që janë aktualisht, ndërsa në qarkun e Lezhës numri shkon nga 3 në 8 bashki. Në qarkun e Tiranës, PD propozon 10 bashki, nga 5 sipas ndarjes territoriale të vitit 2014.

Mes bashkive të propozuara në draft janë Velipojë, Drivast, Koplik, Shishtavec, Bicaj, Maqellarë, Shupenzë, Kastriot, Lurë, Petrelë, Kashar, Dajt, Arbanë, Ndroq, Amantia, Orikum, Ksamil dhe Novoselë, krahas bashkive ekzistuese që në draft marrin përbërje të reja territoriale.

Dy propozimet e reja për ndarjen territoriale paraqesin kështu dy modele të ndryshme: PS propozon 46 bashki, ndërsa PD 100 bashki të organizuara në 6 rajone.

Propozimi i Partisë Demokratike pritet të jetë pjesë e diskutimeve dhe debatit parlamentar për reformën e re administrativo-territoriale.

Te tjera

Lajme te tjera