Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në Tiranë nga qytetarët që janë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.
Teksa ka nxjerrë me video intervistën e një qytetari që fyen dhe kërcënon me vdekje, kreu i qeverisë thekson se Shqipëria do të bëhet sipas vizionit që është votuar në shumicë nga qytetarët në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
“Mirmëngjes dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”, shkruan Rama.
Dje paralelisht me orët e para të tubimit, Rama mbajti një takim me socialistët në Tiranë, në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.
Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë vijuar prej disa ditësh, që pas incidentit ku një protestues u dhunua në Vlorë nga punonjësit e kompanisë private të sigurisë që mbronin kantierin. Qytetarët kërkojnë ndalimin e projektit, pasi sipas tyre cenon zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës.
