SHBA-të po tërheqin 5,000 trupa nga Gjermania, njoftoi Pentagoni, ndërsa Donald Trump kërcënoi gjithashtu Italinë dhe Spanjën për refuzimin e ndihmës në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Presidenti i SHBA, Donald Trump kishte kërcënuar më herët se do të largonte trupat amerikane nga vendi pasi kancelari Friedrich Merz tha se SHBA po “poshtërohej” nga Irani në bisedimet për t’i dhënë fund luftës dy-mujore.
Merz sugjeroi në një fjalim të hënën se SHBA nuk kishte menduar mjaftueshëm për një strategji daljeje nga lufta.
Trump u kundërpërgjigj duke thënë se Merz po “bën një punë të tmerrshme” me vendin e tij dhe duhet të kalojë “më pak kohë duke ndërhyrë” në përpjekjet e SHBA për të përballuar “kërcënimin bërthamor të Iranit”.
“Presidenti po reagon me të drejtë ndaj këtyre komenteve kundërproduktive,” tha një zyrtar i lartë i Pentagonit për Reuters, duke shtuar se deklaratat e fundit gjermane kishin qenë “të papërshtatshme dhe jo të dobishme”.
Një brigadë luftarake që ndodhet aktualisht në Gjermani do të tërhiqet nga vendi, ndërsa një batalion me armë me rreze të gjatë veprimi që administrata Biden kishte planifikuar të vendoste në Gjermani më vonë këtë vit nuk do të dërgohet më, tha zyrtari.
Tërheqja pritet të përfundojë gjatë gjashtë deri në dymbëdhjetë muajve të ardhshëm, tha zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell.
Pentagoni tha SHBA-të do të tërheqin afërsisht 5,000 trupa nga Gjermania gjatë vitit të ardhshëm.
SHBA ka rreth 35,000 personel ushtarak aktiv të stacionuar në Gjermani, sipas të dhënave nga Qendra e të Dhënave për Fuqinë Punëtore të Mbrojtjes së SHBA, më shumë se gjysma e totalit në Evropë.
Vendet ushtarake amerikane në Evropë
Tërheqja e mundshme e trupave amerikane nga Europa po zhvillohet në një klimë përçarjeje në rritje mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s lidhur me luftën në Iran.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka kundërshtuar që në fillim ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit në Iran. Ai ka theksuar se qëndrimi i Madridit mbetet i qartë: bashkëpunim me aleatët, por gjithmonë brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.
Ndërkohë, Italia mbajti një qasje të balancuar deri në fund të marsit, kur refuzoi përdorimin e një baze ajrore në Siçili nga avionët amerikanë që transportonin armë për konfliktin. Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër, duke deklaruar se Italia “nuk ka ndihmuar” dhe se Spanja ka qenë “absolutisht e tmerrshme”, duke lënë të hapur mundësinë e tërheqjes së trupave nga këto vende.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar kontributin e Italisë, veçanërisht në sigurinë detare. Ai mohoi pretendimet për kalimin e anijeve të lidhura me Europën në ngushticën e Hormuzit dhe nënvizoi gatishmërinë e Romës për të marrë pjesë në misione mbrojtëse.
Rreth 13 mijë trupa amerikane janë të stacionuara në shtatë baza detare në Itali, ndërsa në Spanjë ndodhen rreth 3,800 ushtarakë në dy baza kryesore, Rota dhe Morón. Këto instalime konsiderohen thelbësore për operacionet amerikane në Mesdhe, Europë dhe Afrikë.
Spanja nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar ndaj deklaratave të Trump, por ka refuzuar përdorimin e bazave të saj për sulme ndaj Iranit dhe është shfaqur si një nga kritikët më të fortë europianë të kësaj lufte. Muajin e kaluar, Trump kërcënoi edhe me embargo tregtare ndaj Madridit.
Sipas të dhënave zyrtare amerikane, në fund të vitit të kaluar rreth 68 mijë trupa amerikane ishin të dislokuara në mënyrë të përhershme në Europë. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse presidenti amerikan do të kishte mbështetje të mjaftueshme për një tërheqje të madhe. Analistët e mbrojtjes dhe një pjesë e politikanëve në SHBA argumentojnë se prania ushtarake në Europë është thelbësore për operacionet globale dhe se reduktimi i saj do të dobësonte ndjeshëm kapacitetet strategjike të Uashingtonit.
Kritika të ngjashme janë shprehur edhe nga republikanë në Kongres. Përfaqësuesi Don Bacon paralajmëroi se sulmet ndaj aleatëve të NATO-s dëmtojnë interesat amerikane dhe theksoi rëndësinë e bazave në Gjermani për aksesin strategjik në tre kontinente.
Në këtë kontekst, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miratoi një ligj që kufizon aftësinë e presidentit për të ulur numrin e trupave në Europë, duke vendosur një prag minimal prej 76 mijë ushtarësh.
Marrëdhëniet mes Romës dhe Uashingtonit janë tensionuar më tej pas kritikave të kryeministres italiane Giorgia Meloni ndaj deklaratave të Trump kundër Papës, i cili kishte dënuar luftën në Iran. Nga ana tjetër, Trump e akuzoi Melonin për mungesë guximi në mosmbështetjen e ndërhyrjes ushtarake.
Në plan më të gjerë, presidenti amerikan ka sugjeruar edhe mundësinë e tërheqjes nga NATO, duke argumentuar se aleatët europianë nuk po mbështesin operacionet në Iran dhe sigurinë në ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, një hap i tillë konsiderohet i pamundur në praktikë për shkak të kufizimeve ligjore në SHBA, të cilat kërkojnë miratimin e Kongresit ose një shumicë të cilësuar në Senat.
